Këshilli i Investimeve ka përgatitur një raport teknik për incentivat për nxitjen e investimeve, “Shqipëria përballë vendeve të Ballkanit Perëndimor”, ku krahason përparësitë konkurruese të Shqipërisë. Sipas raportit, ndër argumentet më të fortë të Shqipërisë sot në tërheqjen e investime të huaja, përmenden pa diskutim pozita e favorshme gjeografike, e cila paraqet potencial të lartë për zhvillim të investimeve në vend, kryesisht atyre me natyrë rajonale. Portet detare konsiderohen si një avantazh i rëndësishëm në lidhje me vendet e tjera të rajonit, sa i përket mundësisë së lidhjes me tregjet ndërkombëtare.
Megjithatë, raporti thekson se edhe avantazhi që sjell pozita gjeografike e vendit në raport me vendet e tjera të rajonit nuk po shfrytëzohet si duhet, ku problematike vlerësohet barra e shquar nga skanimi në dogana.
“Pavarësisht kostove më të ulëta të shërbimit, kapacitetet e përpunimit në infrastrukturën portuale në vend mbeten sërish të kufizuara si rezultat i thellësisë së ulët dhe i pamundësisë kësisoj për të ofruar shërbime përpunimi për anije të tonazhit të lartë. Nga ana tjetër, bizneset operuese në fushën e transportit nënvizojnë nevojën për investime të qëndrueshme në infrastrukturën portuale dhe respektim të kontratave konçesionare. Gjithashtu, evidentohen problematika sa i përket kohës së përpunimit, aspekteve proceduriale dhe burokratike, të cilat vonojnë në qarkullimin e lirë të mallrave. Sistemet e inteligjencës për kontroll risku në autoritetet doganore, duhet të funksionojnë për të mos krijuar pengesa dhe vonesa të paarsyeshme në transportin e mallrave. Sikurse është evidentuar edhe më herët nga Sekretariati, komisionet për skanimin e mallrave prej 22 euro/deklaratë doganore kanë sjellë një rritje të kostove për bizneset, duke konsideruar rrugë të tjera transporti për bizneset e rajonit, të cilat kalojnë tranzit mallrat e tyre nëpërmjet Shqipërisë”, thuhet në raport.
Objekti i analizës në këtë Dokument ishte edhe evidentimi i politikave të incentivave për investime në Shqipëri, në krahasim me vendet e tjera të rajonit, sjellja e këndvështrimit të investitorëve mbi këto politika, por edhe shqetësimet konkrete të tyre mbi klimën e të bërit biznes në vend.
Në lidhje me ngarkesën totale të taksave për biznesin, Shqipëria duket më pak atraktive në krahasim me vendet e tjera të rajonit, duke qenë se renditet vetëm pas Serbisë për shkallën më të lartë të tatimit mbi fitimin, tatimit në burim dhe kontributit social të punëdhënësit. Të dhënat konfirmohen edhe nga Banka Botërore, nëpërmjet treguesit të normës totale të taksës (% e fitimeve komerciale) si në tabelën më poshtë:
Nga ana tjetër, Shqipëria është e krahasueshme me Kosovën dhe B&H për pagën minimale, por paraqet diferencë të dukshme në pagën mesatare, duke e bërë vendin tërheqës për koston e ulët të punonjësve relatitivisht të kualifikuar. Nga takimet me bizneset, por edhe nga disa anketime rezulton, mungesa e fuqisë punëtore të kualifikuar dhe çertifikuar për procese teknologjike specifike si psh, në projekte në fushën e industrisë (naftë, gaz, TAP etj.), projekte të cilave nuk ju është paraprirë me investime nga ana e Shtetit, në shkollimin dhe përgatitjen profesionale të specialistëve të mirëfilltë.
Në anketimet, bizneset ngrenë çështje dhe shqetësime që lidhen me klimën e përgjithshme të biznesit me fokus në elementët e korrupsionit, mungesën e kapaciteteve administrative dhe dyshimi për ndryshimet e shpeshta në paketën fiskale. Nga intervistat e kryera me disa biznese, mungesa e parashikueshmërisë fiskale theksohet si një disavantazh, me vendet e rajonit për investime në vend.