Edi Ramës i mungon guximi për të marrë pjesë në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të thirrur nga Presidenti i Republikës dhe për këtë ka vendosur të përdorë dhe një herë Niko Peleshin, veglën e tij që e nxjerr për ta shpëtuar nga situatat e sikletshme. Por Presidenti i Shqipërisë ka vendosur të mos e pranojë kërkesën e kryeministrit Edi Rama që në mbledhjen e Këshillit të Sigurisë të zëvendësohet nga Niko Peleshi, takim ku do të diskutohet për mosarrestimin e Klement Balilit. Institucioni i Presidentit i ka kthyer përgjigje kërkesës së Kryeministrisë, duke thënë se prania e Kryeministrit është e rëndësishme në këtë mbledhje për arsye këshillimi dhe diskutimesh. Mbledhja e Këshillit të Sigurisë është paralajmëruar për ditën e sotme, në orën 12:00. Ky takim është thirrur pas një kërkese të bërë me shkrim nga kreu i Kuvendit, Ilir Meta drejtuar presidentit Bujar Nishani. Kryeministri Rama me aktin e tij provon dhe një herë se është mungesa e vullnetit politik për të arrestuar Klement Balilin dhe këtë mungesë vullneti kërkon ta fshehë pas shpinës së butë të Peleshit për të cilin kjo peshë është shumë e rëndë. Nga ana tjetër, Rama i druhet një përballjeje të drejtpërdrejtë me Ilir Metën, aleatin e tij, për këtë çështje, pasi ishte ky i fundit që kërkoi mbledhjen e Këshillit të Sigurimit për Balilin. Meta ja bëri të ditur me anë të Vasilit se arrestimin e tij e kanë kërkuar SHBA-të… Duket se nga çështja Balili, Peleshi e ka vështirë ta shpëtojë. Presidenca pranoi kërkesën e kreut të Kuvendit, Ilir Meta, për mbledhjen e Këshillit të Sigurisë për çështjen “Balili”. Ajo thotë se ekziston shqetësimi i partnerëve amerikanë dhe të tjerë ndërkombëtarë, të cilët paraqesin rezerva në drejtim të punës së organeve përgjegjëse për shkak të mosndalimit të tij në kohë dhe zbatimit të detyrave të përcaktuara në akte ndërkombëtare dhe legjislacionin vendas. “Si dhe rrezikut që ekziston tashmë nga mosveprimi i agjencive ligjzbatuese të vendit tonë, në drejtim të goditjes ndaj krimit të organizuar, trafiqeve të paligjshme apo edhe bazave të tyre, që mund të kontrollohen nga njerëz të politikës dhe shtetit”, tha Ols Lafe, drejtor i Kabinetit të Presidentit. Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Ilir Meta, në cilësinë e anëtarit të Këshillit të Sigurimit Kombëtar (KSK) i është drejtuar Presidentit të Republikës, Bujar Nishani për thirrjen në një kohë sa më të shpejtë të mbledhjes së Këshillit të Sigurimit Kombëtar, për çështjen “Balili”. Kjo kërkesë vlerësohet serioze, pasi ajo paraqitet nga kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, si dhe për shkak të problematikave që parashtrohen, të cilat kanë të bëjnë me:
– Rrezikshmërinë e lartë shoqërore të shtetasit Klemend Balili, përcjellë nga organet kompetente shqiptare apo ndërkombëtare.
– Shqetësimin e partnerëve tanë të SHBA dhe të tjerë ndërkombëtarë, të cilët paraqesin rezerva në drejtim të punës së organeve tona përgjegjëse për shkak të mosndalimit të tij në kohë dhe zbatimit të detyrimeve të përcaktuara në akte ndërkombëtare dhe legjislacioni vendas.
– Si dhe rrezikut që ekziston, tashmë, nga mosveprimi i agjencive ligjzbatuese të vendit tonë, në drejtim të goditjes ndaj krimit të organizuar, trafiqeve të paligjshme apo dhe bazave të tyre që mund të kontrollohen nga njerëz të politikës dhe shtetit. Për këto arsye Presidenti i Republikës në cilësinë e kryetarit të Këshillit të Sigurimit Kombëtar ka vendosur të thërrasë mbledhjen e Këshillit me qëllim dëgjimin e të gjitha argumenteve të parashtruara në kërkesë, si dhe duke i analizuar dhe duke këshilluar me të gjithë anëtarët e Këshillit.