Këshilltarët demokratë euroatlantik në bashkinë Durrës, i kanë çuar një kërkesë Prefektit të Durrësit, që të mos pranojë projektvendimin e bashkisë për tarifimin e parkimit në zonat A dhe B të këtij qyteti.
Në një postim në Facebook, kreu i këshilltarëve Joni Myshketa, shprehet se argumentet e paraqitura prej tyre janë në koherencë të plotë me atë se çfarë kanë kërkuar që në fillim, duke qenë në shërbim të qytetarëve.
Myshketa gjithashtu shprehet se do të ndiqet çdo hap ligjor që çdo qytetar durrsak të ndihet i përfaqësuar dhe të marrë atë që ligjërisht i takon.
Postimi i plotë i Joni Myshketa:
Të nderuar miq e qytetar!
Bashkangjitur është kërkesa që kemi paraqitur sot pranë institucionit të Prefektit Durrës për mos pranimin e aktit në lidhje me projektvendimin e tarifimit të parkimeve në zonat A dhe B në Durrësin tonë.
Argumentet tona janë në koherencë të plotë me atë çka kemi kërkuar që në fillim në lidhje me nxitimin e këtij projektivendimit dhe të bazuara në ligj.
Të jeni të bindur që jam dhe do jemi përherë në shërbim të qytetit pasi mbi të gjitha jemi të njëjtë në raport me atë çka duhet të marrim nga Bashkia Durrës dhe kushdo institucion tjetër që mbahet me taksat tona dhe duhet të jetë në shërbimin tonë.
Do të ndjekim të gjitha hapat që na lejon ligji që çdo qytetar durrsak të ndihet i përfaqësuar dhe të marrë atë që ligjërisht i takon.
Me shumë respekt për secilin prej Jush!