Nëpërmjet një postimi, kandidati i Koalicionit Euroatlantik Vlorë, Gjergji Nika, ka denoncuar mbledhjen jashtë radhe të këshillit bashkiak Vlorë, në të cilin është miratuar një shtesë në buxhet, në kundërshtim me ligjin zgjedhor.
Nika shprehet se një gjë e tillë bëhet për arsye elektorale dhe është në kundështim me ligjin.
“Arroganca ka një emër: Partia Socialiste.” – shkruan kandidati i Koalicionit Euroatlantik Vlorë, Gjergji Nika.
Postimi i Nikës:
Të nderuar qytetarë të Vlorës,
Dëshiroj të ndaj me ju shqetësimin tim për shkeljet flagrante të ligjit të kryera nga administrata e Bashkisë Vlorë dhe Këshilltarët Socialistë.
Konkretisht, sot në mbjedhjen e Këshillit Bashkiak, me forcën e kartonit u miratuar projekt-vendimi “Për disa shtesa dhe ndryshime në VKB nr. 111, datë 27.12.2024, për buxhetin e bashkisë për vitin 2025”.
Ky projektvendim konsistonte në miratimin e fondit ne vlerën 6.000.000 Lek per aktivitetin ” Giro D’Italia ” qe do te zhvillohet në datën 11 Maj 2025 ose ditën e zgjedhjeve.
Ky projektvendim i administratës së Bashkisë Vlorë është sjellë në Këshillin Bashkiak në shkelje të ligjit. Referuar Ligjit Nr.10 019, datë 29.12.2008, “Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë”, neni 90, pika 4, parashikohet se:
“Katër muaj para datës së zgjedhjeve deri në formimin e qeverisë së re pas zgjedhjeve ndalohet propozimi, miratimi ose nxjerrja e akteve ligjore ose nënligjore, të cilat parashikojnë dhënien e përfitimeve për kategori të caktuara të popullsisë, të tilla si aktet që parashikojnë rritjen e pagave, pensioneve, mbështetjes ekonomike apo sociale, uljen ose heqjen e taksave, vendosjen e amnistive fiskale, privatizimin apo dhënien e pasurive a të shpërblimeve, etj., përveçse kur nisma kushtëzohet nga gjendje të fatkeqësisë natyrore”.
Gjithashtu, projektvendimi i sipërcituar është në kundërshtim me Vendimin nr. 9, datë 13.02.2025 të KQZ, “Për rregullat e sjelljes së institucioneve publike në zgjedhje dhe ndalimin e keqpërdorimit të aseteve publike”. Kontretisht, në Kreun II, “Kategoritë e ndalimeve”, pika II.2/2, parashikohet se:
Pika II. 1. Ndalime për miratimin e akteve juridike
1. Katër muaj para datës së zgjedhjeve deri në formimin e qeverisë së re pas zgjedhjeve ndalohet propozimi, miratimi ose nxjerrja e akteve ligjore ose nënligjore, të cilat parashikojnë dhënien e përfitimeve për kategori të caktuara të popullsisë, të tilla si aktet që parashikojnë rritjen e pagave, pensioneve, mbështetjes ekonomike apo sociale, uljen ose heqjen e taksave, vendosjen e amnistive fiskale, privatizimin apo dhënien e pasurive a të shpërblimeve, etj., përveçse kur nisma kushtëzohet nga gjendje të fatkeqësisë natyrore apo kur akti nënligjor nxirret në zbatim të afateve të detyrimeve ligjore dhe kur fondet janë të parashikuara përpara afatit të ndaluar, sipas këtij vendimi.
Ndërsa pika II.2/2 parashikon:
“2. “Veprimtari të ndaluara për t’u promovuar” janë edhe veprimtaritë publike të zhvilluara brenda dhe jashtë vendit sipas përkufizimit të nenit I.2, pika 3, të këtij vendimi, për të cilat janë vënë rishtazi apo posaçërisht në dispozicion, apo janë transferuar fonde publike jo sipas planit buxhetor të miratuar, në periudhën 4-mujore para datës së zgjedhjeve dhe që përfshijnë, por pa u kufizuar, si përdorimin e fondeve publike për mbështetje të subjekteve zgjedhore, vënien në dispozicion të aseteve të luajtshme dhe të paluajtshme, të parashikuara në nenin 142 të Kodit Civil, si dhe çdo burim njerëzor të institucioneve.
Sa më sipër, vendimi i miratuar sot në Këshillin Bashkiak, pa votat e këshilltarëve të opozitës, është në shkelje flagrante të Kodit Zgjedhor dhe akteve nënligjore të nxjerra në zbatim të tij.
Nga ana jonë, do të ndiqen të gjitha hapat ligjorë për anullimin dhe shfuqizimin e këtyre vendimeve, duke i`u drejtuar zyrtarisht institucionit të Prefektit të Qarkut Vlorë për shpalljen e aktit administrative të sipërcituara “të paligjshëm”.
Dëshiroj të sqaroj publikisht qytetarët e Vlorës se, këshilltarët e opozitës në Këshillin Bashkiak nuk janë kundër zhvillimit të qytetit, përkundrazi jemi ne ata që kërkojnë më shumë përkushtim, më shumë investime dhe më tepër përgjegjshmëri për të menaxhuar qytetin tonë, por kurrsesi nuk mund të pajtohemi me shkeljet ligjore të një pushteti arrogant.
Ju faleminderit.