Para pak ditësh, Bashkia Tiranë njoftoi papritur dhe në shkelje të ligjit, dëgjesat publike për masterplanin e Tiranës, pa respektuar as afatin e njoftimit dhe pa bërë fare publik masterplanin për të cilin publiku duhet të japë mendime.
Ndërsa sot më 26 dhjetor në orën 10:00, ditë zyrtare pushimi, Kryesia e Këshillit Bashkiak të Tiranës do të organizojë një dëgjesë publike për masterplanin nën Hotel Plaza. Po mbasdite, Bashkia ka planifikaur një dëgjesë publike me qytetarë, të cilët nuk janë lajmëruar me asnjë mjet informimi.
Në mënyrë të qëllimshme dhe në shkelje të ligjit shkresa nga Kryesia e Këshillit u ka shkuar këshilltarëve bashkiakë ditën e shtunë, që do të thotë që këshilltarët nuk do të kenë asnjë ditë pune për t’u përgatitur për dëgjesën.
Ndërkohë që në mënyrë tallëse dhe përçmuese, këshilltarëve nuk u është dërguar asnjë kopje e masterplanit, që do të thotë se ata ftohen të japin mendime dhe diskutojnë për një plan që nuk e kanë parë. Informimi paraprak i qytetarëve as që bëhet fjalë.
Njoftimi i dëgjesave publike. Facebook
Në njoftimin e Bashkisë Tiranë thuhet se masterplani do të votohet në Këshillin Bashkiak më 29 dhjetor 2016, së bashku me buxhetin e vitit 2017.
Sipas ligjit të dëgjesave publike, bashkia duhet të organizojë të paktën dy dëgjesa publike të mëdha në nivel bashkie dhe t’i njoftojë ato, së bashku me dokumentat e projektit, të cilat duhet të diskutohen, një muaj përpara se ato të miratohen.
As faqja “transparenca” e Bashkisë (e cila ironkisht përfshin edhe ligjin, i cili nuk po zbatohet), as regjistri i Agjencisë Kombëtare të Planifikimit të Territorit (AKPT) nuk kanë bërë publike asnjë njoftim rreth dëgjesave publike, të cilat mbahen me qëllimin për të diskututar planin e përgjithshëm vendor të Tiranës, i hartuar në kuadër të reformës territoriale.
Në faqen zyrtare dhe në Facebook të TR030, të cilat u njoftuan si platforma kryesore të shkëmbimit të informacionit me publikun, nuk paraqitet asnjë aktivitet deri më tani. Faqja zyrtare është ende duke u ndërtuar, ndërsa postimi i fundit në Facebook daton më 1 tetor.
Prej fillimit, masterplani i Tiranës nën mbështetjen e të pamposhturit, arkitektit dhe politikanit italian Stefano Boeri, ka qenë mbuluar në dyshime për korrupsion e klientelizëm dhe keqmenaxhim.
Tani duket se Bashkia Tiranë do të kalojë produktin e studios së tij dhe të UNILAB-it gjatë periudhës së festave, pavarësisht nga fakti se gjithçka po bëhet në shkelje të ligjit.
Tallje dhe manipulim me këshilltartë bashkiakë
Anëtarët e Këshillit Bashkiak janë përfaqësuesit e qytetarëve të Tiranës, por Kryebashkiaku Veliaj i trajton edhe më keq se vartësit e vet. Në fakt, ai mobilizon vartësit e vet për të përgatitur talljen dhe manipulimin e këshilltarëve.
Sikurse informuam dje, këshilltarët janë thirrur në një mbledhje për të diskutuar masterplanin e zhvillimit të Tiranës. Mënyra dhe forma e thirrjes së takimit, por edhe mënyra e zhvillimit të tij janë jo vetëm në shkelje të ligjit, por edhe krejtësisht abuzive dhe nëpërkëmbëse për përfaqësuesit e popullit të Tiranës.
Së pari, njoftimi u bë në shkelje të çdo ligji dhe procedure: u njoftua ditën e shtunë, ditë pushimi, për t’u mbledhur më pak se 48 orë më pas, kohë e gjitha pushim zyrtar.
Në faqen e Bashkisë takimi njoftohej për në sallën UNESCO të Muzeut Kombëtar, kur në fakt ishte lënë për në Hotel Plaza, hoteli zyrtar i qeverisë.
Media fillimisht nuk është lënë të marrë pjesë, duke u përpjekur për të përzgjedhur vetëm mediat miqësore. Vetëm pas një debati të gjatë dhe këmbënguljes të përfaqësuesve të grupimeve qytetare është pranuar që si përfaqësuesit e këtyre grupeve edhe mediat të lejohen në sallë si dëgjues.
Këshilltarëve bashkiakë jo vetëm që nuk u është dhënë paraprakisht masterplani, por nuk ju është dhënë materiali as gjatë takimit.
I vetmi material që u është vënë në dispozicion është një përmbledhje hartash teknike. Edhe vartësit e Veliajt e kanë dokumentin e plotë të masterplanit, por jo këshilltarët bashkiakë.
Pasi ka mbajtur fjalën e tij, Kryebashkiaku Veliaj e ka lënë takimin me justifikimin se duhet të shkonte në Bashki për të bërë një celebrim, pikërisht në momentin kur këshilltarët e djathtë kërkuan t’i bënin pyetje kryebashkiakut.