Hans-Joachim Falenski, këshilltar i lartë për Politikën e Jashtme në Grupin parlamentar CDU/CSU në Bundestag e sheh dramatike situatën në Shqipëri, teksa thekson se krimi dhe korrupsioni nuk po luftohen e vendi nuk ka shënuar asnjë përparim në këtë drejtim. Ai vë theksin tek rëndësia që ka garantimi i zgjedhjeve të lira dhe të ndershme vitin e ardhshëm, ndërsa shpreh rezervat e tij për zgjedhjet pa standarde të zhvilluara vitin e kaluar. Deklaratat zyrtari gjerman i bëri në konferencën ku u prezantuan gjetjet e raportit të monitorimit të progresit të Shqipërisë në sektorët e transportit dhe energjisë. Këshilltari i lartë gjerman, Falenski konsideron se përmbushja e disa prioriteteve nga Shqipëria ka ngelur në vend nga raport progresi i fundit. Ai thekson se, në drejtim të parandalimit të korrupsionit dhe krimit të organizuar nuk është bërë asnjë përmirësim dhe shton se priten zgjedhje me standarde.
“Nëse vëmë re raport progresin e komisionit dhe do ta përktheja me fjalët e mia raportin e fundit do të thoja: Në krahasim me raportin paraardhës nuk është bërë asnjë hap përpara, e kam fjalën këtu për luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar në nivele të larta. Këtu ka shumë punë për t’u bërë derisa ne të themi po jeni në rrugën e duhur. Në lidhje me reformën zgjedhore presim që zgjedhjet e 2017 të jenë me standarde, sepse zgjedhjet e mëparshme nuk iu janë përgjigjur standardeve europiane”, tha Hans-Joachim Falenski.
Nga ana tjetër, ai thotë se Reforma në Drejtësi që pritet të miratohet në Shqipëri është madhështore dhe model për rajonin, por Gjermania do të presë që pas miratimit, kjo reformë të implementohet e për këtë do të duhet të ndryshojë 1/3 e Kushtetutës. Ai theksoi se implementimi është faktori kyç që Budenstagu gjerman të japë OK për hapjen e negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në BE.
“Raportet e Komisionit Europian në të kaluarën kanë qenë të zbukuruara e të hartuara në mënyrë miqësore, ndaj ne kemi krijuar një mosbesim të shëndetshëm ndaj tyre. Tashmë duam të krijojmë një panoramë tonën, duke udhëtuar në vendet e Ballkanit. Panorama ime për situatën është kjo: Ju keni 5 prioritete për të përmbushur, por në pikëpamjen time janë 7. Të drejtat e njeriut dhe Reforma në Drejtësi, që mund të jetë model për gjithë rajonin. Votojeni përpara 21 korrikut. Vendimtarja për Budenstagun gjerman është implementimi i saj. Ju duhet të ndryshoni 40 ligje, duhen ndryshuar dhe duhen verifikuar prokurorë dhe gjykatës, kjo do kohë. Dritën jeshile do ta japim nëse e shikojmë një pjesë të madhe të reformës të implementuar”, tha Hans-Joachim Falenski.
E pranishme, kryetarja e Komisionit parlamentar të Integrimit, Majlinda Bregu u shpreh e zhgënjyer nga formimi dhe motivimi i politikanëve shqiptarë për të dhënë kontributin e tyre në rrugën e integrimit të vendit. “Fatkeqësisht në Parlamentin shqiptar ka pak njerëz që kanë lidhje me profesionin. Është e vështirë të gjesh mundësi të diskutosh me ta për procesin e integrimit. Është e vështirë të gjesh një deputet apo parlamentar t’i kërkojë llogari një ministri. Deputetët kanë mungesë informacioni, seancat tona kanë pak diskutim, mendim dhe shumë zhurmë”.