Këshilltari i Angela Merkel, Hans Joachim Falenski, vlerësoi dje programin ekonomik të Partisë Demokratike, si efikas, të realizueshëm e që do të vërë në lëvizje ekonominë shqiptare. Ky program, tha Falenski, funksionon çdo ditë në Gjermani, krijon vende pune dhe do të funksionojë edhe në Shqipëri. Deklaratat e këshilltarit të Angela Merkel, u bënë dje paradite gjatë një takimi të organizuar nga PD me qytetarë të Durrësit. “Qeveria Rama duhet të ikë dhe kjo është më e thjeshta dhe më e mira. Socialistët nuk mund të bëjnë ekonomi dhe nuk mund të menaxhojnë para. Kjo qeveri nuk ia ka arritur dhe nuk e ka bërë këtë. Partia Demokratike në bashkëpunim me Partinë Kristian-Demokratike gjermane dhe me Fondacionin ‘Kondard Adenauer’ ka hartuar këtë program ekonomik. Ky program siguron një ekonomi të fortë dhe më shumë vende pune. Partia Kristian-Demokratike gjermane së bashku me Angela Merkelin e vërtetojnë çdo ditë që ky program funksionon dhe çdo ditë krijohen vende të reja pune. Prandaj ju them që ky program funksionon ndaj na besoni ne dhe i besoni Lulzim Bashës. Shkoni votoni më 25 qershor. Ju thoni të gjithë miqve dhe të njohurve tuaj të shkojnë të votojnë. Votoni për ndryshimin e qeverisë dhe do të hyni më shpejt në Europë”, tha Falenski. Pas Durrësit, këshilltari i lartë i kancelares Merkel, ka vijuar me turin e tij në Kavajë, në takimet me qytetarët të organizuara nga Partia Demokratike. Hans Joachim Falenski theksoi se programi i Lulzim Bashës është hartuar në bashkëpunim me CDU gjermane. Falenski e cilësoi tronditëse gjetjen e sondazhit më të fundit, që tregon se 56 për qind e shqiptarëve duan të largohen. Është qeveria, që duhet të largohet, u shpreh ai. “Sipas një sondazhi tepër serioz, 56% e shqiptarëve duan të largohen për arsye ekonomike nga Shqipëria. Ata duan të largohen sepse nuk duan të durojnë më qeverinë e Ramës. Çfarë thirrje është kjo? Kjo do të thotë: Rama ti nuk e bën dot, jo! Nuk duhet të ikin njerëzit, por qeveria Rama duhet të ikë. Është e qartë që socialistët nuk mund të bëjnë ekonomi dhe nuk kanë marrëdhënie të mirë me paratë, as këtu, as në Gjermani. Partia Demokratike në bashkëpunim me ‘Konrad Adenauer’ dhe Partinë Kristian-Demokrate dhe Kristian-Sociale në Gjermani ka hartuar këtë program ekonomik. Ky program do të mundësojë një ekonomi të fortë dhe vende të reja pune. Partia Kristian-Demokrate në Gjermani së bashku me Angela Merkel e vërteton çdo ditë se ky program funksionon sepse çdo ditë krijon vende të reja pune. Ky program ekonomik do të funksionojë edhe në Shqipëri dhe do t’ju çojë drejt suksesit. Për këtë arsye shkoni votoni në datën 25 qershor. U thoni të gjithë miqve dhe të njohurve tuaj të shkojnë të votojnë. Ata duhet të zgjedhin Partinë Demokratike dhe aleatët e saj”, u shpreh Falenski.
Pas Kavajës, këshilltari i Angela Merkel, Hans Joachim Falenski u ndal pasdite në Elbasan. Falenski ka theksuar se programi i Lulzim Bashës është i besueshëm, konkret dhe i zbatueshëm. Ai tha se ky program është bërë në bashkëpunim me CDU-në gjermane. Falenski nënvizoi se ky program jep çdo ditë fryte në Gjermani, me rritjen ekonomike dhe krijimin e vendeve të reja të punës. “Partia Demokratike në bashkëpunim me Fondacionin ‘Conrad Adenauer’ në Shqipëri dhe me Partinë Kristian-Demokrate dhe Kristian-Sociale në Gjermani kanë hartuar këtë program ekonomik për një të ardhme më të sigurt, për më shumë vende pune. Angela Merkel çdo ditë e vërteton në Gjermani që ky program funksionon sepse çdo ditë e më shumë krijohen vende pune. Prandaj ky program ekonomik do të funksionojë dhe do të krijojë vende pune. Zgjidhni më 25 qershor kandidatin tuaj Lulzim Basha dhe Partinë Demokratike dhe pastaj rruga për në Europë do të jetë më e shpejtë”, u shpreh këshilltari i lartë i Merkel, para qytetarëve të Elbasanit.