Keta: Ata që mendojnë si Rama, e gjejnë fajin tek opozita

Deputeti demokrat, Roland Keta ka reaguar pas publikimit të debateve brenda Grupit të PD, Lulzim Basha. Deputeti i Qarkut të Dibrës, Keta thotë se, Basha veproi drejt me zgjedhjet në Dibër dhe se ata që mendojnë si Edi Rama e gjejnë fajin tek opozita. Ai thotë se, zona e tij është e mbushur me drogë dhe roje të ardhur nga anekënd vendit. “Sot kam parë fatkeqësisht që shumë media pranë qeverisë na kishin ndarë në grupe pro dhe kundër Bashës. E para. Unë kam qenë çdo ditë në fushatë në Dibër. Zona ime ishte Selishta e mbushur me drogë dhe roje të ardhura anekënd vendit për ta mbrojtur atë. Presioni ndihej kudo, paratë u derdhën lumë vetëm e vetëm që Edi Rama të krekosej sot si gjeli në majë të plehut”, tha Keta. Ai deklaroi se Rama ka sfiduar popullin dhe partnerët. Ndërsa thekson se, sfida e Bashës dhe çdo shqiptari është t’u kthejë shqiptarëve besimin tek vota. “Por sot Edi Rama ka sfiduar popullin, opozitën, partnerët ndërkombëtarë, ka sfiduar çdo vend partner që beson se vota e lirë është themeli i demokracisë. Edi Rama i varfëroi dibranët për t’u blerë më pas varfërinë siç bëri më 11 shtator, siç u faktua me zë dhe figurë nga mediat kombëtare dhe lokale. Sfida e çdo shqiptari, e opozitës, e PD, deputetëve të saj dhe e Lulzim Bashës është t’u kthejë shqiptarëve besimin te vota dhe ta nxjerrë atë nga tregu ku e ka futur Edi Rama”, thotë ai. Dhe deputeti demokrat e fut veten pikërisht tek ky grup. “Ky është grupi ku unë bëj pjesë. Sepse unë besoj fort se Lulzim Basha bëri gjënë e duhur me Dibrën, veproi drejt dhe i faktoi çdo qytetari, çdo analisti, çdo partneri se si Edi Rama i trajton zgjedhjet. Ky ishte testi se me Edi Ramën nuk mund të ketë zgjedhje të lira dhe të ndershme. Vetëm ata që mendojnë si Edi Rama e gjejnë fajin te opozita”, deklaron Keta.

Exit mobile version