Këta janë punëmbaruarit/ Drejtori i Ramës, paradite te Kadastra pasdite në laboratorin e drogës

Një magazinë që shërbente si laborator droge, dhe ku ishin mbjellë qindra rrënjë me kanabis u zbulua nga policia e Kurbinit.

Burimet bëjnë me dije se, Edmond Stojani, personi i cili është shpallur në kërkim për laboratorin e drogës në Fushë Gjormë, është drejtori i Kadastrës në Kurbin. Stojani e drejtonte prej tre vitesh Kadastrën e Kurbinit, dhe ishte fytyra e shtetit që prezantohej te qindra qytetarë, që i shkonin në zyrë për shqetësimet që mund të kishin me pronat.

Edmond Stojani u shpall në kërkim në kuadër të operacionit të koduar, “Gjormë 2021”, ku policia zbuloi një magazinë, e cila ishte përshtatur për laborator droge.

Në pranga u vu shtetasi Vranicki Hisku 24 vjeç, i cili në bashkëpunim me Kreun e Kadastrës zhvillonin aktivitetin e paligjshëm. Burimet saktësojnë se Hisku është nipi i Stojanit, drejtorit të Kadastrës, i cili tashmë ndodhet në kërkim policor, dhe nuk dihet nëse aksioni është dekonspiruar, dhe si ai ka arritur t’ia mbathë.

Stojani dhe Hisku në bashkëpunim me njëri-tjetrin, në fshatin Fushë Gjormë, Kurbin, kishin përshtatur katin e dytë të një magazine të marrë me qira, me aparatura që shërbejnë për kultivimin e bimëve narkotike.

Gjatë kontrollit të ambientit u gjetën dhe u sekuestruan 205 bimë të dyshuara narkotike cannabis sativa të kultivuara në vazo. Gjithashtu, gjatë kontrollit, në ndërtesë u konstatua një lidhje e paligjshme e energjisë elektrike, e cila shërbente për furnizimin me energji të pajisjeve si llamba, aspirator, filtra ajrimi etj, që ndihmonin në kultivimin dhe rritjen e bimëve narkotike.

Gjithashtu, në cilësinë e provës materiale u sekuestruan të gjitha pajisjet që kanë shërbyer për kultivimin e bimëve narkotike, si pajisje elektrike, llamba elektrike termale, bidonë me lëndë ushqyese për bimët narkotike. Po gjatë operacionit, në banesën e shtetasit Hisku është gjetur dhe sekuestruar dhe një armë zjarri pushkë me dylbi të montuar.

1 76

2 61

Artikulli paraprakMisioni i pamundur i të rinjve shqiptarë
Artikulli tjetërTabaku: Vendi sot është në mes të një krize ekonomike, Basha kryeministër sjell ndryshimin!