Këto janë produktet që familjet shqiptare i blejnë më shtrenjtë se ato europiane

Eurostat publikon indeksin e çmimeve të konsumit, me referencë mesataren e Bashkimit Europian (BE=100) për produktet kryesore të shportës për vendet e BE-së dhe Ballkanit perëndimor (të dhënat për Kosovën mungojnë). Të dhënat e fundit të përditësuara i përkasin vitit 2022.

Pijet alkoolike janë produkti që shqiptarët e blejnë më shtrenjtë se Europa, me 25% më shumë se mesatarja europiane. Alkooli më i shtrenjtë në Europë është në Irlandë, me 60% më shumë se mesatarja Europiane dhe më i liri në Maqedoninë e Veriut dhe Turqi, 33.7% përkatësisht sa 26.4% e mesatares europiane.

Pajisjet elektroshtëpiake janë gjithashtu të shtrenjta, teksa kushtojnë 22% më shumë sesa mesatarja europiane, e katërta në Europë, pas Islandës (131%), Maltës (128%). Norvegjisë (124.6%). Më të lirat në Europë, pajisjet elektroshtëpiake i gjen në Poloni (85% e mesatares europiane).

Shqipëria është një vend bujqësor, por qumështin dhe djathin nuk i ka më aq të lira. Rënia e numrit të krerëve, rritja e kostove dhe problemet me ekonominë e shkallës, për shkak të fermave të vogla kanë bërë që familjet shqiptare ti blejnë këto produkte 11.8% më shtrenjtë sesa mesatarja europiane, duke u renditur e 14. Më të shtrenjtat këto produkte janë në Islandë (1675) dhe më të lirat në Poloni (74.6%).

Krahas qumështit dhe vajrat e yndyrnat janë më të shtrenjta se mesatarja europiane (106.8%).

Për të blerë një palë këpucë, që në Europë kushtojnë mesatarisht 100 euro, në Shqipëri duhen 105.5 euro. Këpucët më të shtrenjta janë në Zvicër (120.8%) dhe më të lirat në Turqi (36.3% e mesatares europiane).

Çmimet janë të shtrenjta, por të ardhurat mbeten të ulëta. Të dhënat e fundit të përditësuara të Eurostat (ky është përditësimi i dytë) tregojnë se vendi vijoi që të ishte i fundit në Europë, si për të ardhurat për frymë në raport me madhësinë e ekonomisë, ashtu dhe për të ardhurat në raport me fuqinë blerëse, me këtë të fundit që është një tregues i mirëqenies materiale të familjeve.

Të ardhurat për frymë në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto (PBB) ishin sa 34% e mesatares së Bashkimit Europian, e fundit në Europë (të dhënat për Kosovën nuk raportohen). Edhe treguesi tjetër, ai i konsumit individual për frymë, që mat të ardhurat sipas fuqisë blerëse, apo mirëqenien e një familjeje e vendos Shqipërinë në fund, së bashku më Bosnjë Hercegovinën, me 41% të mesatares europiane./Monitor

Exit mobile version