Kryetarja e zyrës së Këshillit të Evropës në Tiranë, Jutta Gutzkow e pranishme në konferencën “Liri pa urrejtje” e organizuar nga Avokati i Popullit ndër të tjera ka folur edhe për paketën e fundit nga kryeministri Rama, ligjin e censurës së medias nga qeveria e cila u miratua para dy ditësh në Kuvend.
Ndryshe nga deklaratat e Ramës i cili tha se, ekziston në shumë vende të Europës, Gutzkow tha se Këshilli i Evropës ka ngritur shqetësime për përputhshmërin me standardet e KiE-së dhe të vendeve të tjera të BE-së. Ajo deklaroi se të gjithë duhet të ndihmojmë në mbrojtjen e lirisë së fjalës.
“Këshilli i Evropës ka ngritur shqetësime për përputhshmërin me standardet e Kie dhe të vendeve të tjera të BE-së të paketës ligjore të miratuar së fundmi për mediat. Këto shqetësime i janë prezantuar dhe komisionit të medias në Kuvend. Ne nuk kemi pasur mundësi ta shqyrtojmë me hollësi këtë paketë, por sapo ta bëjmë do i adresojmë.
Liria e shprehjes jep mundësinë për debat dhe të gjithë duhet të ndihmojmë në mbrojtjen e lirisë së fjalës“, u shpreh Gutzkow gjatë fjalës së saj.
Gjithashtu ajo theksoi se për Kie është e rëndësishme liria e fjalës dhe që shoqëria të adresojë diskriminimin si problem dhe të luftojë gjuhën e urrejtjes.