Kili në finale, Ronaldo në shtëpi

Lajmi i vërtetë është që në vitin 2017 ekziston një trofe, të cilin Cristiano Ronaldo nuk do ta fitojë. Bëhet fjalë për Kupën e Konfederatave. Në finalen e turneut që po luhet në Rusi u kualifikua Kili i Alexis Sanchez, Arturo Vidal, por mbi të gjitha i portierit Claudio Bravo, që eliminoi Portugalinë pas ekzekutimit të 11-metërshave.
Ndeshja në Kazan ishte e luftuar, me portugezët që pas rasteve të shpërdoruara nga Andre Silva në minutat e para humbën ritmin dhe vuajtën presingun dhe shpejtësinë e amerikanojugorëve.
Kili ishte superior gjatë gjithë ndeshjes, megjithatë koha e rregullt përfundoi në barazim pa gola. Edhe në shtesë skuadra e Juan Antonio Pizzi-t shkoi pranë avantazhit, por fillimisht gjyqtari Faghani i mohoi një penallti të dukshme, duke injoruar edhe ndihmën e sistemit VAR, ndërsa dy minuta nga fundi, Kili goditi shtyllën dhe traversën në të njëjtin aksion me Vidal dhe Rodriguez.
Në ekzekutimin e 11-metërshave protagonist ishte Claudio Bravo. Portieri i Manchester City neutralizoi 3 penallti të Quaresma, Moutinho e Nani, ndërsa Kili shënoi në të tre rastet dhe u katapultua në finale. Këtë herë Cristiano Ronaldo mbetet me duart bosh, por kjo nuk është domosdoshmërisht një dramë: historia tregon se ai që fiton Kupën e Konfederatave nuk triumfon asnjëherë në Kupën e Botës.

Exit mobile version