Kim Mehmeti: Shqipëria, peng e një piktori të dështuar Kryeministër

Shkrimtari dhe publicisti Kim Mehmeti përmes një videoje dhe një statusi në rrjetet sociale ka sulmuar kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama dhe presidentin e Kosovës Hashim Thaçi, që sipas tij janë karrieristë të sëmurë, të mbetur peng pas ëndrrave.
Mehmeti thotë se politikanët që kanë drejtuar shqiptarët janë me dy fytyra, ndërsa ndërkombëtarët i kanë forcuar ata, dhe për këtë sipas shkrimtarit duhet të paguajnë pjesën e tyre të fajit.
Mehmeti shkruan ka ardhur koha që shqiptarët në të dy anët e kufirit ti zgjojnë nga ëndrra politikanët e tyre, duke reaguar.
Reagimi i Kim Mehmetit:
Shqipëria është peng i ëndrrës së mbrapshtë të piktorit të saj të dështuar Kryeministër, e Kosova e vuan ëndrrën e Presidentit të saj karrierist të sëmur!
“Shqipëria dhe shqiptarët në të, janë peng dhe janë pjesë e ëndrrës së mbrapshtë të Kryeministrit të sotëm të saj – të një piktori të dështuar, të një ‘selfisti’ dhe shoumeni – e cila ëndërr është plotësisht e rrejshme, e mbrapshtë dhe me përmasa tallëse ndaj shqiptarisë!
Siç e vuan Kosova ëndrrën e sëmurë karrieriste të Presidentit të saj aktual, i cili, që ta shpëtojë vetveten, ka nxjerrë në ‘shitje’ vendin dhe popullin e vet! Se kur do shpëtojmë nga këto ëndrra të dëmshme, të mbrapshta dhe poshtëruese për shqiptarinë, varet se a do ia dalim t’i zgjojmë nga gjumi
(lexo: a do ia dalim që një ditë e më parë, t’i ‘rrokullisim’ nga aty ku i kemi ulur me votën tonë, e nga ku ata na tallin, të gjithëve na mbajnë për kokëtulë dhe punojnë kundër nesh) këta ëndërrues të dehur nga pasuria enorme dhe forca që ua ofroi pushteti!”

Exit mobile version