Shkrimtari i njohur shpërthen ndaj Ramës: I dështuar dhe i lig, mendon se pa të gjithçka do të shkonte në të sëmës

Shkrimtari i njohur, Kim Mehmeti ka reaguar ashpër ndaj kryeministrit Edi Rama duke e cilësuar një burrë shteti të dështuar.
“Ligësinë njerëzore mund ta zbulosh pasi individi të bëhet i pasur dhe i pushtetshëm. Kështu që nuk kisha si ta shpalosja ligësinë e Edi Ramës përderisa ai ishte i mirë me të gjithë që mund ta ndihmonin të ngjitej atje ku synonte: ta mposhtë popullin e vet dhe ata që i kishin besuar.
Po, ligësia e tij si njeri është ajo që sot më bën ta konsideroj si burrështetas të dështuar dhe si politikan të cilit nuk duhet besuar”, thotë ai në një intervistë për Entela Resulin e gazetës Dita.
Sipas tij, Rama është shkëputur nga realiteti:
“Siç duket ai prej moti është shkëputur nga realiteti në të cilin jetoni dhe është shpërngulur në botën e tij imagjinare duke besuar se po të mos ishte ai çdo gjë do shkonte “në të s’ëmës”.
Pjesë nga intervista
-Ju keni patur pritshmëri më të larta për kryeministrin Edi Rama?
Sa për vete, gjithmonë e kam ditur se partitë politike nuk janë as akademi shkencash, as organizata humanitare, e as shoqata filozofësh e intelektualësh, por grupe interesi, që synojnë marrjen e pushtetit.

Por ama, e pranoj publikisht: kurrë nuk e kisha paragjykuar e besuar se ato do bëheshin atë që në pjesë të madhe i karakterizon partitë shqiptare – strehimore për injorantët, karrieristët e sëmurë, gënjeshtarët, banditët dhe hajnat e kategorive të ndryshme.
Dhe prisja që Kryeministri i sotëm i Shqipërisë, si njeri i mençur, e ka kuptuar se nuk ka politikanë më të rrezikshëm se ata që e kanë humbur pushtetin mbi vetveten. Dhe se do bëjë çmos që kjo të mos i ndodh edhe atij. Por për fat të keq, ndodhi e kundërta: ai shpejt e mësoi si sundohet populli, por jo edhe vetvetja!
-Përpara disa vitesh ju keni qenë një mbështetës i kryeministrit të Shqipërisë, ndërsa tashmë jeni një kritik i fortë. A mund ta bëjmë pyetjen se çfarë ka ndodhur mes Kimit dhe Edit në rrafshin personal apo nuk ka asgjë të tillë?
Nuk ka asgjë personale dhe as që mund të ketë ngaqë me Kryeministrin e sotëm të Shqipërisë nuk kemi asnjë të kaluar, apo të sotme të përbashkët. Nuk besoj se atij do mund t’i ketë mbetur hatri pse gjatë viteve kur ai e promovonte “Kurbanin” nëpër vendbanimet shqiptare, unë nuk pranova që t’ia promovoja librin në Shkup, edhe atë për arsye që nuk kishin të bëjnë personalisht me të,

por pse kurrë nuk jam marrë me përurimin e librave me prapavijë politike dhe të shkruara nga politikanët, ngaqë e di se librat e tillë nuk i shkruan dora krijuese, e as mençuria personale, por inati politik.
-Ju, më herët në analizat tuaja e keni vlerësuar atë (Ramën) si një mendje të mençur, po tani, a ka ndryshuar mendimi juaj për të?
Dallimi i parë që bëj mes politikanëve dhe njerëzve në përgjithësi është ajo më e dukshmja që mund ta vëresh te ata: mençuria e tyre. Dhe Kryeministrit të Shqipërisë nuk mund t’i mohohet mençuria si dhe dhuntitë oratorike. Siç nuk mund t’i mohohet se është njeri i informuar që lexon, që flet një shqipe të begatë, e që janë tipare të cilat i çmoj te njerëzit.
E sa i përket ligësisë njerëzore, atë mund ta zbulosh pasi individi të bëhet i pasur dhe i pushtetshëm. Kështu që nuk kisha si ta shpalosja ligësinë e tij përderisa ai ishte i mirë me të gjithë që mund ta ndihmonin të ngjitej atje ku synonte: ta mposhtë popullin e vet dhe ata që i kishin besuar.
Po, ligësia e tij si njeri është ajo që sot më bën ta konsideroj si burrështetas të dështuar dhe si politikan të cilit nuk duhet besuar.

EDI RAMA KOPERTINA E LIBRIT KURBAN

Exit mobile version