Kina, Gao Hongbo largohet pas humbjes me Uzbekistanin

Një pikë në katër ndeshje. Është ky bilanci i Kinës në grupin A të eliminatoreve aziatike drejt Rusi 2018. Botërori është tashmë një mirazh dhe pas kontestimeve të tifozëve, gjatë natës erdhi dhe dorëheqja e trajnerit Gao Hongbo pas disfatës kundër Uzbekistanit. Planet e qeverisë kineze janë të qarta, investime masive në futboll në nivel kombëtar, angazhim i trajnerëve të përgatitur për të krijuar shkollat e futbollit, pasi dëshirojnë që të mikpresin Botërorin sa më shpejt e madje që pas 15 vitesh të synojnë dhe triumfin. Presidenti Xi Jingping synon ta kthejë Kinën në një fuqi futbollistike brenda vitit 2050 me objektivin që të ketë 50 milionë futbollistë të moshave të ndryshme brenda vitit 2020.
Tani për tani këto janë vetëm projekte, pasi kombëtarja kineze fut ujë nga të gjitha anët dhe dorëheqja e trajnerit Gao Hogbo janë vetëm pika e fundit e ujit. Kina është kualifikuar në Botëror vetëm në 2002 dhe tani është në vendin e 78 në klasifikimin e FIFA-s. Siç është parë edhe me investimet në klubet europiane, kinezët duket se e kanë seriozisht. Në të ardhmen Kina mund të bëhet një superfuqi e futbollit falë potencialit ekonomik, por rezultatet sportive mungojnë, dhe mungesa e pjesëmarrjes në Botërorin e Rusisë për më tepër, duke u mundur para pak ditësh nga një skuadër si Siria është një tjetër goditje e fortë.

Exit mobile version