Kina, motori ekonomik i botës

Stephen S Roach

Përkundër gjithë gjërave që thuhen në lidhje me ngadalësimin ekonomik të Kinës, ekonomia kineze mbetet kontribuesi i vetëm më i madh në botë, për rritjen e prodhimit të brendshëm bruto. Për një ekonomi globale të çalë, e cila ndonjëherë pothuaj jep shenja ndaljeje – dhe më shumë gjasa e pamundur që të përballojë goditje të reja pa u zhytur në recesion – ky kontribut është edhe më i rëndësishëm.
Janë disa shifra që e mbështesin këtë gjë. Nëse rritja e GDP të Kinës arrin 6.7% në vitin 2016 në një linjë me objektivin zyrtar të qeverisë dhe vetëm pak më e lartë se sa parashikimi më i fundit i FMN-së (6.6%) – atëherë Kina do të ofronte 1.6% të rritjes së GDP botëror. Në një kohë kur FMN aktualisht pret një rritje globale prej vetëm 3.1% për këtë vit, Kina do të kontribuonte me pothuaj 39% të totalit. Shumë më e lartë, në krahasim me ekonomitë e tjera të mëdha. Për shembull, ndërkohë që SHBA vlerësohet gjerësisht për një rimëkëmbje të fortë, GDP e saj pritet që të rritet me vetëm 2.2 për qind në vitin 2016 – aq sa për të kontribuar me vetëm 0.3% në rritjen tërësore të GDP-së, ose sa një e katërta e kontributit të Kinës.
Një ekonomi evropiane sklerotike pritet t’i shtojë vetëm 0.2 për qind rritjes ekonomike botërore, dhe Japonia as edhe 0.1%. Kontributi i Kinës për rritjen ekonomike globale është në fakt, 50 për qind më i madh se sa 0.8 përqindëshi që do të kontribuojnë së bashku të gjitha ekonomitë e tjera, të ashtuquajtura të përparuara.
Po kështu, asnjë vend në zhvillim nuk i afrohet kontributit të Kinës për rritjen ekonomike globale. GDP i Indisë pritet që të rritet me 7.4% këtë vit, ose 0.8% më shpejtë se sa Kina. Por ekonomia e Kinës zë plot 18 për qind të prodhimit botëror (matur mbi bazën e paritetit të fuqisë blerëse) – më shumë se dyfishi i atij të Indisë (7.6%). Kjo do të thotë që kontributi i Indisë në GDP global pritet të jetë vetëm 0.6% këtë vit – pra, sa gjysma e 1.2 përqindëshit që pritet të ofrojë Kina.
Kështu që, sido që ta shikoni, Kina mbetet motori më i madh i rritjes ekonomike botërore. Megjithatë, ekonomia kineze është ngadalësuar në mënyrë domethënëse, krahasuar me rritjen ekonomike vjetore prej 10%, që regjistronte në periudhën 1998-2011. Por edhe pas tranzicionit nga “normalja e dikurshme” tek ajo që udhëheqja kineze e ka pagëzuar “normalja e re”, rritja ekonomike globale mbetet shumë e varur nga Kina. Një dinamikë rritjeje ekonomike Kinocentrike, ka tre pasoja të rëndësishme.
Së pari, dhe më e kuptueshmja, rënia e vazhdueshme e shpejtësisë së rritjes ekonomike të Kinës, do të kishte një pasojë shumë më të madhe, mbi një ekonomi përndryshe të dobët, se sa do të kishte nëse bota do të ishte duke u rritur me një tendencë afër 3.6 përqindëshit. Duke përjashtuar Kinën, rritja botërore e GDP pritet të jetë 1.9% këtë vit – shumë më poshtë se sa pragu i 2.5 përqindëshit, që shoqërohet vazhdimisht me recesionet globale.
Pasoja e dytë, e lidhur me të parën, është se “zgjimi i dhunshëm” ekonomik për Kinën, të cilit i është druajtur shumëkush, do të kishte një impakt global shkatërrimtar. Çdo ulje me 1 për qind në rritjen e GDP të Kinës, i heq direkt 0.2 për qind rritjes së GDP botërore; nëse përfshin edhe efektet mbi tregtinë e jashtme, impakti total mbi rritjen ekonomike globale do të ishte afërsisht 0.3%.
Nëse një “zgjim i dhunshëm” i Kinës do të nënkuptonte një përgjysmim të rritjes së saj aktuale prej 6.7%, bashkë me efektet direkte dhe indirekte të një gjëje të tillë, do t’i hiqnin afro 1 për qind rritjes ekonomike globale. Në një skenar të tillë, nuk ka asnjë shans që bota të shmangë një tjetër fundosje në recesion të plotë.
Së fundi (dhe kjo ka më shumë gjasa sipas këndvështrimit tim), ka pasoja globale nga një riekuilibrim i suksesshëm i ekonomisë kineze. Bota do të përfitonte shumë, nëse komponentët e ekonomisë së Kinës do të zhvendoseshin, nga eksportet e udhëhequr prej prodhimit, tek shërbimet dhe konsumi familjar.
Në ato rrethana, kërkesa e brendshme e Kinës ka potencialin të shndërrohet në një burim gjithnjë e më të rëndësishëm të rritjes ekonomike të orientuar nga eksportet, për partnerët më të mëdhenj tregtarë të Kinës – sigurisht, me kushtin që shteteve të tjerë t’u ofrohet qasje e lirë dhe e hapur në tregjet kineze në zgjerim.
Një skenar i suksesshëm i riekuilibrimit kinez ka shansin që t’i japë një shtysë të fuqishme kërkesës globale, me një burim të ri dhe të fuqishëm të kërkesës agregate – një antidot i fuqishëm ky, ndaj një bote që përndryshe është duke u hequr zvarrë. Kjo mundësi nuk duhet të injorohet, teksa trysnitë politike rëndojnë mbi debatin global për tregtinë.
Në tërësi, pavarësisht fokusit mbi SHBA, Europë apo Japoni, Kina vazhdon që të mbajë kartën nën mëngë, në ekonominë globale të dobësuar. Ndërkohë që një zgjim i dhunshëm i Kinës do të ishte shkatërrimtar, një riekuilibrim i suksesshëm do të ishte një ndihmë e madhe. Do të ishte prognoza për Kinën si faktorin vendimtar i peisazhit ekonomik global. Ndërkohë që treguesit më të fundit të përmuajshëm tregojnë se, ekonomia e Kinës po stabilizohet tek një rritje ekonomike prej 6.7%, që u regjistrua në gjysmën e parë të 2016-ës, nuk mund të ketë dyshim për erërat kundër që mund të fryjnë në gjysmën e dytë të vitit.
Në mënyrë të veçantë, mundësia e një rënieje të mëtejshme në investimet në asete fikse në sektorin privat mund të përshkallëzojë trysnitë që lidhen me tkurrjen e kreditimit, kërkesën e jashtme vazhdimisht të dobët, si dhe një cikël defektoz të pronave.
Por ndryshe nga ekonomitë e mëdha të botës së përparuar, ku hapësira për politika është zvogëluar shumë, autoritetet kineze kanë hapësira të mëdha për lëvizje akomoduese, që do të mund të fuqizonin aktivitetin ekonomik.
Dhe ndryshe nga ekonomitë e mëdha të botës në zhvillim, që vazhdimisht u duhet të luftojnë me një balancë mes trysnive ciklike afatshkurtëra dhe reformave strukturore më afatgjata, Kina është përsosmërisht në gjendje që të adresojë njëkohësisht të dyja këto grupe sfidash.
Për aq sa udhëheqja kineze të jetë në gjendje të ruajë një politikë të tillë shumëdimensionale dhe fokus mbi reformat, një ekonomi globale e dobët dhe ende e brishtë, vetëm mund të përfitojë. Botës i duhet më shumë se kurrë një Kinë e suksesshme.

Rritja nxitet nga risitë

Të dhënat statistikore të Bankës Botërore tregojnë që, pas Luftës së Dytë Botërore, vetëm 13 vende e rajone kanë ruajtur një rritje ekonomike mbi 7% për 25 vjet me radhë dhe Kina është një prej tyre. Gjatë 30 vjetëve të fundit, Kina, me një rritje mesatare afro 10%, është bërë vendi më i madh prodhues dhe ekonomia e dytë më e madhe në botë. Por, pas zhvillimit të shpejtë dhjetëravjeçar, tani ka lindur nevoja që Kina ta ndryshojë modelin e zhvillimit, për t’u përballur me sfidat kryesore globale, si ulja e kërkesës, pakësimi i burimeve dhe ngrohja globale. Për të realizuar këtë ndryshim, ekonomia kineze tani po futet në një fazë të re, që njihet si “gjendja e re normale”.
Statistikat tregojnë që, në tre tremujorët e parë të vitit 2016, rritja ekonomike ishte 7.4%, gjë që ka shkaktuar shqetësime për zhvillimin ekonomik të Kinës. Por, në të vërtetë, ekonomia kineze po hyn në një fazë të re normale. Në muajin maj, kryetari i Shtetit i Kinës, Xi Jinping u shpreh për herë të parë që ekonomia kineze po futet në “gjendjen e re normale”. Ai deklaroi që kjo gjendje ka tre tipare kryesore: ngadalësimi i zhvillimit ekonomik, duke kaluar nga ritmet e larta në ritmet mesatare të rritjes; përmirësimi i strukturës ekonomike dhe nxitja e ekonomisë nga sektorë jotradicionalë, si sektorët e risive. Kreu i Zyrës së Informacionit të Qendrës Ndërkombëtare të Shkëmbimeve Ekonomike të Kinës, Xu Hongcai shprehet:
“Ekonomia kineze është futur në një epokë të re zhvillimi, me tre faza të ndërthurura. Në këtë periudhë, gjendja ka ndryshuar. P.sh., në të kaluarën, ekonomia zhvillohej në mënyrë ekstensive, harxhonte shumë burime dhe import-eksporti nxitej nga shfrytëzimi i krahut të lirë të punës. Tani ky model nuk mund të vazhdojë më, prandaj në të ardhmen do të fokusohemi tek risitë, për të sjellë përfitime nga reforma”.
Pas zhvillimit të shpejtë shumëvjeçar, kjo gjendje në fakt është një fazë e domosdoshme e zhvillimit ekonomik në Kinë. Profesori i ekonomisë i Universitetit, Tsinghua, Li Daokui u shpreh që 2015-ta është një vit përfaqësues i kësaj “gjendjeje të re normale” të ekonomisë kineze. Megjithëse ritmet e rritjes ekonomike janë ulur, objektivi i Kinës për shtimin e 10 milionë vendeve të punës në zonat urbane është realizuar që në muajin shtator, përqindja e konsumit në ekonominë kombëtare është rritur pandërprerë dhe struktura ekonomike është përmirësuar në mënyrë të dukshme. Profesor Li Daokui është i mendimit që, në vitin 2017, rregullimi strukturor dhe nxitja e reformave do të jenë aspektet më të rëndësishme, kështu që objektivi i rritjes ekonomike në vitin 2017 do të jetë më i ulët se në 2016-ën.
“Ka mundësi që rritja të ulet nga 7.5% në vitin 2016 në 7.0% në vitin 2017. Ulja e rritjes ekonomike në Kinë në fakt është përgatitje për të ardhmen, kur rritja mund të arrijë në një nivel më të shpejtë. Unë nuk mendoj që ndodhemi në një fazë rënieje të vazhdueshme. Kjo rënie mund të thuhet se është në formë U-je”, thekson prof. Li.
Në “Raportin e parashikimit ekonomik dhe financiar 2015” të publikuar nga Banka e Kinës, vihet në dukje se ka mundësi shumë të madhe që në vitin 2016 ekonomia kineze të ketë një rritje të vogël, por sektori i shërbimeve do të ketë një rritje të shpejtë. Gjithashtu, biznesi në internet dhe sektorët e energjisë së pastër do të kenë një perspektivë pozitive. Në vitet e ardhshme sektorët e rinj strategjikë do të ruajnë një rritje mbi 20% në vit. Deri në vitin 2020, vlera e këtyre sektorëve do të zërë rreth 15% të GDP-së. Kryeekonomisti i Bankës së Kinës, Cao Yuanzheng vë në dukje:
“2016-ta është një vit me inflacion të ulët dhe rritje të vogël. Besoj që kjo prirje do të vazhdojë. Parashikojmë që në vitin e ri, rritja ekonomike do të jetë rreth 7.2% dhe niveli i inflacionit do të jetë afro 2.4%. Gjatë këtij procesi, ekonomia kineze ende do të përballet me trysninë e uljes”.
Për ekonominë kineze, “gjendja e vjetër normale” është tashmë diçka që i përket përfundimisht së shkuarës. Në të ardhmen, për të ruajtur zhvillimin e vazhdueshëm, ekonomia e 2-të e botës duhet të gjejë pika të reja rritjeje, për të siguruar një “gjendje të re normale”. Pas kërkimeve dhe studimeve, përgjigjja për këtë pikë të re është gjetur novacioni teknologjik. Ekspertët janë të mendimit që, nëpërmjet novacionit teknologjik, produktet kineze do të kenë më shumë vlerë dhe kështu do të kalojnë nga pjesa e poshtme e zinxhirit industrial global drejt pjesës së sipërme të këtij zinxhiri. Anëtari i Komitetit Akademik pranë Këshillit Kombëtar të Zhvillimit dhe Reformës të Kinës, Zhang Yansheng është i mendimit që risitë do t’u sjellin një gjallëri më të madhe kompanive. Ai u shpreh:
“Në të kaluarën ekonomistët mendonin që, kush krijon risi, merr fund shpejt. Ndërsa në fazën e re, mund të shohim që struktura e vjetër ka ndryshuar në modelin e ri dhe ai që nuk rinovon do të marrë fund. Kjo do të thotë që, nëse një kompani nuk krijon risi, nuk merr në punë talente të reja dhe nuk krijon produkte të mira me dizenjim ose materiale më moderne, biznesi nuk do të ketë perspektivë të mirë”.
Të dhënat tregojnë që në tre tremujorët e parë të vitit 2016, sektori i teknologjive të larta dhe sektori i prodhimit të pajisjeve teknologjike kanë shënuar rritje me përkatësisht 12.3% dhe 11.1%, duke e kaluar mesataren e rritjes industriale. Ndërkohë, harxhimi i energjisë për njësi të GDP-së është ulur me 4.6%. Krahas kësaj, investimet në përmirësimin e teknologjisë kanë pasur një rritje të madhe. Në 10 muajt e parë të vitit 2015, investimet në këtë drejtim u rritën me 14.7% në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2014 dhe ishin 1.6% më shumë se investimet industriale, duke zënë afro 40% të nivelit të investimeve në sektorin industrial. Zv.drejtori i Zyrës së Monitorimit dhe Bashkërendimit në Ministrinë e Industrisë dhe të Teknologjisë së Informacionit të Kinës Huang Libing shprehet:
“Duke u nisur nga strategjia për një vend të fuqishëm me bazë sektorin e manifakturës, Kina do të fillojë disa projekte të mëdha novatore, si të dhënat e gjera e prodhimin intelektual, dhe do të ndërtojë një sërë zonash eksperimentale me teknologjinë smart në mbarë vendin”.

Përgatiti
KLARITA BAJRAKTARI

Exit mobile version