Kinë-SHBA dhe gara e teknologjisë/ The Economist: Vija e parë e “luftës” është në Azi!

Një përplasje teknologjike mes dy superfuqive është bërë tashmë një dukuri e zakonshme.

Së fundmi, Wall Street Journal raportoi se rrjetet amerikane të telekomunikacionit u thyen nga një grup hakerësh kinezë, të njohur me emrin “Salt Typhoon”. Grupi me sa duket donte të merrte njohuri rreth aktivitetit amerikan të përgjimeve.

Mosbesimi i thellë mes dy vendeve ka çuar në një politikë armiqësore ku secili ka shmangur infrastrukturën dixhitale të tjetrit. Qeveria amerikane ka ndalur kompaninë kineze Huawei që të instalojë në Amerikë pajisjet e saj të telekomunikacionit. Kina ka shkurajuar shitjen e serverëve dhe shërbimeve cloud të Silicon Valley, brenda kufijve të saj.

Sidoqoftë, në pjesën më të madhe të botës, infrastruktura amerikane dhe ajo kineze (qendrat e të dhënave, kabllot nënujore dhe telat që mundësojnë internetin), qëndrojnë krah për krah, ndërsa dy shtetet garojnë për pjesën e tregut, fitimet dhe ndikimin gjeopolitik. Gara më e ashpër po zhvillohet në Azi.

 

lg.php?bannerid=0&campaignid=0&zoneid=629&loc=https%3A%2F%2Fwww.balkanweb.com%2Fkine shba dhe gara e teknologjise the economist vija e pare e luftes eshte ne azi%2F&referer=https%3A%2F%2Fwww.balkanweb

 

Atje, firmat kineze të infrastrukturës dixhitale kanë tashmë një prani domethënëse. Në katër vitet e fundit, rreth 18% e të gjitha kabllove të reja nënujore në mbarë botën janë ndërtuar nga një kompani e vetme kineze. Operacioni cloud i kompanisë Alibaba është aktiv në nëntë shtete aziatike dhe kompania Huawei ka ndërtuar shumë rrjete celulare.

Suksesi i Kinës pasqyron pjesërisht planin e saj qeveritar. Strategjia Dixhitale e Rrugës së Mëndafshit, një nismë e presidentit kinez Xi Jinping, synon mbizotërimin e Kinës në infrastrukturën e internetit në rajon.

Këtu ndihmon edhe fakti se kompanitë kineze janë inovative dhe më të lira se ato amerikane, edhe pse disa ndihmohen nga subvencionet e fshehta qeveritare. Sipas një vlerësimi, shërbimet kineze cloud, kushtojnë plot 40% më pak se ato amerikane.

Nëse Kina do të arrinte të mbizotëronte infrastrukturën dixhitale të Azisë, pasojat do të ishin të thella. Partia Komuniste në pushtet dëshiron të caktojë normat që rregullojnë të dhënat dhe internetin.

Kina ka reklamuar vizionin e “sovranitetit të të dhënave”, sipas të cilit, qeveritë duhet të kontrollojnë të dhënat dhe të sigurohen që ato të ruhen në nivel lokal, në mënyrë që asgjë të mos i shpëtojë zotërimit të shtetit.

Dilema dixhitale

Për më tepër, një infrastrukturë dixhitale e mbizotëruar nga Kina, mund t’i bëjë vendet aziatike të prekshme ndaj rreziqeve të përgjimit dhe sabotimit.

Disa qeveri janë shpërfillëse ndaj këtyre rreziqeve. Por nuk duhet të jenë. Hakerët kinezë kanë vjedhur inteligjencë nga Filipinet në Detin e Kinës Jugore dhe kanë shënjestruar fushën e gazit Kasawari të Malajzisë, e cila ndodhet në ujëra të pretenduara nga Kina.

Kur po ndërtoheshin rrjetet e telekomunikacionit celular në vitet 2000, dy kompani kineze, Huawei dhe ZTE, mposhtën rivalët e tyre amerikanë dhe europianë në Azi. Por kjo nuk do të thotë se kompanitë kineze do të fitojnë betejën për infrastrukturën dixhitale në të ardhmen. Cikli i investimeve ka filluar me vështirësi.

Kompanitë e teknologjisë do të investojnë vetëm disa dhjetëra miliarda dollarë çdo vit në qendrat e të dhënave në Azi. Një studim ka zbuluar se Kina mbizotëron në qendrat kompjuterike cloud në 5 nga 12 shtete aziatike, Amerika kryeson në 5 prej tyre dhe janë kokë më kokë në dy. Disa shtete, përfshirë Indinë, kohët e fundit janë bërë më të kujdesshme ndaj rrezikut të sigurisë që paraqesin firmat kineze.

Për të dalë fitimtare, Amerika duhet të përqendrohet në tri përparësi. Së pari, duhet të tregohet më e ashpër me aleatët e traktatit, të cilët janë bërë tërësisht të varur nga Kina, në veçanti Tajlanda dhe Filipinet.

Kjo e fundit po forcon lidhjet ushtarake me Amerikën, edhe pse infrastruktura e saj dixhitale është e cenueshme. Disa shtete, si Pakistani dhe Kamboxhia i kanë dorëzuar Kinës sovranitetin e tyre dixhital, kështu që janë bërë kauza të humbura.

Së dyti, Amerika duhet të ndërtojë një aleancë aziatike për sigurinë kibernetike dhe Inteligjencën Artificiale. Në vitin 2017, Donald Trump braktisi një marrëveshje tregtare rajonale, Aleancën Trans-Paqësore, e cila, ndër të tjerash, do të kishte rregulluar tregtinë dixhitale.

Rigjallërimi i kësaj marrëveshjeje do të jetë i pamundur, për shkak të kthesës proteksioniste që ka marrë politika amerikane, por gjithsesi mund të arrihet një marrëveshje më e ngushtë me disa vende, duke u dhënë atyre qasje në teknologjinë amerikane, në këmbim të garancive për mbrojtjen nga infiltrimet kineze.

Së treti, agjencitë e inteligjencës amerikane duhet të hedhin më shumë dritë mbi sulmet kibernetike kineze. Njohuritë e publikut për shkallën e përgjimit dhe hakerimit të Kinës janë të kufizuara. Është koha për të rritur ndërgjegjësimin se infrastruktura e lirë dixhitale kineze, është një problem për ndikimin e Amerikës./Monitor

Artikulli paraprakFrikë nga pezullimet, zbardhet plani kuqezi! Ja si luan Kombëtarja kundër Çekisë
Artikulli tjetërSocialistët strategjikë rrëmbejnë bregdetin/ Rama i fal ish kryetarit të bashkisë Vorë dhe vëllait të ish deputetit socalist 77 mijë metër katrorë tokë shtet në Lukovë