Kinezët blejnë Interin

Merr jetë Interi kinez. Tashmë është gjithçka zyrtare, mazhoranca e klubit zikaltër kalon në pronësi të Suning Holdings Group. Nga Nanjingu, u zyrtarizua edhe marrëveshja mes presidentit Erick Thohir dhe Zhang Jindong për shitjen e 68.55% të aksioneve të Interit, te kolosi i elektronikës kineze, Suning Holdings Group. Akordi mes palëve u arrit për shumën e 270 milionë Eurove neto, pasi Zhang Jindong do të shlyejë edhe borxhet që ka aktualisht Interi. Edhe pse tashmë do të ketë vetëm 31% të aksioneve, Erick Thohir do të vazhdojë të qëndrojë në krye të Interit si president.
Del përfundimisht nga skena zikaltër pas plot 21-viteve gjatë të cilëve ka përjetuar suksese të mëdha me Interin, Massimo Moratti. 29% të aksioneve që zotëronte manjati italian në klubin zikaltër kanë kaluar në pronësi të Zhang Jindong, njeriut që zotëron një pasuri prej 4 miliardë Dollarësh, dhe që pozicionohet nga revista “Forbes” i 403-ti në Botë, përsa i përket njerëzve më të pasur. Në një konferencë për shtyp të organizuar në Nanjingun e largët u bë edhe kalimi i shumicës së kuotave të Interit në pronësi të Suning Holdings Group. Pasi u firmos marrëveshja fjalën e morën protagonistët e vërtetë të këtij ndryshimi të madh në klubin zikaltër. Zhang Jindong njeriu që tashmë zotëron shumicën e aksioneve të Interit u shfaq shumë i lumtur që kompania që ai drejton ka bërë të mundur blerjen e një marke të madhe në futboll siç është Interi.
“Për mua është një kënaqësi shumë e madhe të jem këtu mes jush sot. Suning Group ka hyrë në botën e futboll, rreth një vit më parë dhe sot ka ardhur momenti që ne të blejmë një pjesë të aksioneve të Interit. Tashmë bëjmë pjesë në një prej klubeve më të mëdha të Europës. Kam takuar presidentin Erick Thohir dhe që në momentin e parë kemi qenë në sintoni të plotë me njëri-tjetrin. Duam ta ngrejmë Interin sa më lart. Do të ndërtojmë një skuadër më të fortë se kjo aktualja. Dëshirojmë të ndjekim rrugën e Massimo Morattit, duke sjellë në skuadër kampionë të mëdhenj. Ndihem zikaltër që nga momenti që shkela për herë të parë në San Siro”, u shpreh Zhang Jindong.
Shumë i kënaqur për marrëveshjen e nënshkruar me Suning Group, u shfaq edhe Erick Thohir i cili u shpreh se ky do të jetë një bashkëpunim fitues, pasi strategjia e kinezëve është e qartë dhe serioze. Në të njëjtën linjë me indonezianin qëndroi edhe zëvendspresidenti Javier Zanetti, i cili theksoi se Sunnig Group ka marrë kontrollin e Interit për t’a rritur akoma edhe më shumë si klub.

Artikulli paraprakKryebashkiaku: Prostitutës i dhashë 30 milionë lireta për mosdenoncim
Artikulli tjetërSpanja do t’i shkojë deri në fund Europianit