Kinezët hyjnë në lojë për Interin

Klubi i Interit copëzohet sërish. Pas largimit të Massimo Morattit, i cili ia dorëzoi pjesën më të madhe të aksioneve Eric Thohir, zikaltërit po hyjnë në një rrugë të re, pasi një pjesë e aksioneve të presidentit aktual, do t’i shiten kompanisë kineze Suning. Vështirësitë e mëdha të klubit për të pasur në dispozicion likuiditete, e ka detyruar Thohir të hapë dyert ndaj kinezëve, të cilët do të përvetësojnë 20% të aksioneve për 80 milionë euro. Në këtë pikë, presidentit aktual i mbeten 56% që do të thotë se Thohir mbetet njeriu kryesor dhe figura vendimmarrëse, ndërsa Moratti është aksioneri i dytë më i madh me 23.5% të kuotave. Vetëm 0.5% e aksioneve janë në duart e një minorance.
Marrëveshja me Suning do të zyrtarizohet brenda muajit qershor, pasi Thohir dëshiron të mbyllë sa më shpejt disa goditje në merkato. Ndërkohë, në skuadrën tjetër milaneze, Milan, bisedimet për shitjen e klubit janë ngrirë pas vetos së presidentit Silvio Berlusconi. Numri 1 i shoqërisë kuqezi, ka bërë me dije se nuk do të tërhiqet nga pozicioni drejtues edhe pse ky është një kusht i panegociueshëm nga të gjitha shoqëritë e interesuara për të blerë pjesën më të madhe të aksioneve. Në këtë mënyrë, Milani vazhdon të mbetet në udhëkryq për shkak të mungesës së investimeve që gjatë viteve të fundit kanë ndikuar në dështimet e njëpasnjëshme të kuqezinjve.
Presidenti i Interit duket se është bindur nga këshilltarët e tij dhe më në fund ka vendosur që të shpenzojë disa miliona euro për Interin. Sezoni që sapo u mbyll ka bërë që indoneziani të kuptojë se për të fituar një titull, nuk mjafton një strategji e zgjuar në merkato dhe një trajner fitues.
I pyetur për sezonin që sapo u mbyll, Erik Tohir ruajti të njëjtën linjë, duke vlerësuar lojtarët për punën e bërë. “Vendi i katërt ishte pozicioni më i mirë që mund të merrte Interi në këtë sezon. Shpresoj shumë që edicionin e ardhshëm ekipi të tregojë dhëmbët”, tha Tohir gjatë intervistës që dha për gazetën indoneziane “Sundul”. Besimi – Në fjalën e tij, presidenti zikaltër ishte optimist për të ardhmen dhe la të kuptohej se e kishte planifikuar Interin e ri me Mançinin në qendër. “Jam i bindur se ai ka besimin e lojtarëve dhe do të vazhdojë që të jetë trajner i Interit. E pranoj, është një trajner i madh”, u shpreh 45-vjeçari.
Numri një i Interit nuk u tërhoq, kur e pyetën për ekipin që priste të ndërtonte këtë verë. Në këtë temë, ai u zhbalancua dhe zbuloi strategjinë që kishte studiuar me trajnerin. “Unë dhe Roberto Mançini kemi diskutuar gjatë rreth merkatos. Kemi rënë dakort që të përforcojmë të tre repartet, duke afruar të paktën nga një futbollist të talentuar dhe ekspert në sulm, mesfushë dhe mbrojtje”, tha Erik Tohir.

Artikulli paraprakNeymar, 200 milionë!
Artikulli tjetërPse është trendi të kesh dy emra