Nga ferri në parajsë, i tillë ishte debutimi në Kampionatin Europian për Klaus Gjasulën në ndeshjen e djeshme ndaj Kroacisë. Mesfushori kuqezi u aktivizua nga trajneri Silvinjo në minutën e 72-të, duke marrë vendin e një tjetër heroi, të Qazim Laçit, që kishte shënuar golin e avantazhit për Shqipërinë. Por brenda 4 minutave pas futjes së tij në fushë, kroatët kthyen gjithçka, ndërsa Gjasula ishte i pafat, duke shënuar autogolin e përmbysjes për ekipin e Daliçit.
Megjithatë, në frymën e fundit, 34-vjeçari u protagonist duke shmangur humbjen e Kombëtares për të mbajtur gjallë shpresat e kualifikimit me atë gol në minutën e 95-të që ngriti peshë të gjithë shqiptarët. Pas ndeshjes Gjasula ka rrëfyer emocionet në një prononcim për “Panorama Sport”. Mesfushori e quan një ditë historike, ndërsa flet për ndjesitë që përjetoi në Hamburg, një stadium që njeh mirë pasi ka luajtur për skuadrën e këtij qyteti. Gjasula beson së Shqipëria është në gjendje për të bërë surprizën ndaj Spanjës, ndonëse është i vetëdijshëm që kuqezinjtë i pret një takim me shkallë vështirësie shumë të lartë.
Gjasula, ishte një ndeshje shumë emocionuese, sidomos minutat e fundit. A i ndiheshin aq shumë këto emocione në fushë, si në shkallët e stadiumit?
Normalisht që po, pasi ishte një lojë e shkëlqyer. Ndeshja shkoi 1-0 për ne, më pas e kthyen ata 1-2, ndërsa në fund arritëm që të barazonim. Kishim edhe disa kundërsulme të mira për të shënuar golin e tretë, pra ishte një ndeshje me shumë emocion. Minutat e para ishin të vështira, jo vetëm autogoli edhe për disa situata që si bëra mirë. Faleminderit zotit që më dha mundësinë të bëjë këtë golin, një ditë historike për mua. 55-60 minutat e para bëmë një lojë më të mirë, pastaj e humbëm pak kontrollin e lojës.