Në shtratet ranore të Lumit Yumuna, burrat duhet të punojnë me shpjetësi të madhe. Pak pas orës 12 të natës, në një mbrëmje të lagësht maji, ata tërheqin shtresën e zezë që mbulon tre puse të thellë në tokën përreth rrugës së ujit në lindje të Delhit. Më pas, ata tërheqin tuba të gjatë drejt 20 kamionëve që ecin më ngadalë në rrugë me dritat e fikura. Burrat punojnë në skuadër. Teksa njëri fut tubin brenda një pusi, tjetri ngjitet prapa kamionit dhe vendos daljen tjetër të tubit në grykën e një cisterne të zbrazur.
“On car!” bërtet njëri prej tyre në gjuhën indiane. Pothuajse menjëherë, urdhrat e tij për të “ndezur motorin” zbatohen pa asnjë kundërshtim. Gjeneratorët e naftës të vendosur në disa streha afër tyre fillojnë punën. Pompat e zhytura brenda puseve fillojnë menjëherë të thithin litra e litra të tërë uji nga thellësia e tokës. Uji kalon nga tubat brenda cisternës. Brenda 15 minutash, tre cisternat e para janë mbushur me mbi 10 mijë litra ujë. Rutina përsëritet shumë e shumë herë të tjera përgjatë natës derisa secili kamion të jetë mbushur plot e përplot me ujë.
Kamionët e mbushur plot nuk qëndrojnë aty duke pritur. Ndërsa të tjerët vazhdojnë punën, shoferët kalojnë rrugën e vjetër të mbushur me baltë për të arritur në autostradën më të afërt. Aty ata ndezin dritat, ngrenë shpejtësinë dhe nxitojmë të shesin menjëherë ngarkesën e tyre. Ata shkojnë nëpër fabrika, spitale, qendra tregtare dhe hotele, në apartamente dhe streha nga më të ndryshmet përreth qytetit prej 25 milionë banorësh.
Gjithçka rreth këtij biznesi është e jashtëligjshme: puset janë gërmuar pa leje, kamionët qarkullojnë rrugëve pa dokumenta dhe uji shitet pa asnjë kontroll, testim apo trajtim. “Puna e ujit është punë nate”, thotë një mesoburrë, i cili jeton në një shtëpi me qira afër një prej stacioneve të pompimit dhe që kërkon t’i ruhet anonimati. “Bosët rregullojnë pazarin me blerësit, punëtorët mbushin cisternat, policët kthejnë kokën në anën tjetër dhe ‘të fortët’ sigurohen që askush të mos flasë.” Sot, një prej këtyre të fortëve, një burrë trupmadh, me mjekër dhe i veshur me një bluzë të ngushtë, duket se nuk ka shumë punë për të bërë. I ulur afër një kamioni, ai luan me letra sëbashku me burra të tjerë si ai. Në agim, skuadra fik gjeneratorët, heq tubat, i vendos përsëri në streha dhe vendos përsëri mbulesën plastike mbi puse. Mbeten shumë pak gjurmë të aktivitetit frenetik që ndodh gjatë natës.
Skuadrat e tilla gjenden kudo nëpër Dehli, ku furnizimi zyrtar me ujë nuk arrin të përmbushë kërkesën e qytetarëve me të paktën 790 milionë litra në ditë, sipas një auditi të kryer në vitin 2013 nga zyra indiane e kontrollit dhe auditit të përgjithshëm. Një e katërta e familjeve të Dehlit jetojnë pa lidhje me tubacionet e ujit dhe shumica e pjesës tjetër marrin vetëm pak orë ujë në ditë. Kështu, qytetarët duhet të blejnë ujë nga tregtarët e jashtëligjshëm. Burimet më të dukshme të këtij aktiviteti të jashtëligjshëm janë rrjeti i këshilltarëve, fermerëve, agjentëve imobilarë dhe punëtorëve që trafikojnë miliona litra ujë në ditë nga puset e jashtëligjshme, sëbashku me rrjetin e dobët të furnizimit zyrtar të qytetit, të cilët sheshin ujë me qëllim përfitimi.
Sistemi i elaboruar e këtij aktiviteti lokal e ka një emërtim: mafia e ujit. Edhe pse numri i saktë i puseve të jashtëligjshme të krijuar nga ky rrjet është i panjohur, sipas një raporti qeveritar të vitit 2001, mendohej se ekzistonin rreth 200 mijë të tillë, ndërsa auditi i vitit 2013 zbuloi se qyteti humb mbi 60 për qind të furnizimit me ujë nga trafiku dhe nga paaftësia për të mbledhur të ardhurat. Mafia e mbron punën e saj si një shërbim për komunitetin, por në fakt ekziston një pamje më e errët e industrisë së jashtëligjshme të ujit në Dehli. Ky është një nga tregjet e zeza më fitimprurëse që zhvillohet nga agjentët e lirë, të cilët shfrytëzojnë burimet e dobëta të ujit në vend, duke kërcënuar sigurinë afatgjatë të furnizimit të ujit në Indi.
Ujërat tokësorë përbëjnë 85 për qind të furnizimit të përgjithshëm me ujë të Indisë, sipas raportit të Bankës Botërore të vitit 2010. Vendi vazhdon të urbanizohet dhe mbi gjysma e territorit tashmë po përballen në reduktim të ndjeshëm të burimeve ujore. Më shumë se 100 milionë indianë jetojnë në zona me burime ujore tepër të ndotura dhe mafia e ujit është duke e përkeqësuar ndjeshëm situatën.
Në vitin 2014, qeveria raportoi se pothuajse tre të katërtat e akuifereve nëntokësore të Dehlit janë duke u shfrytëzuar përtej kapacitetit të tyre. Kjo do të thotë se, puset duhet të gërmohen gjithmonë e më thellë për të nxjerrë ujë, gjë që do të thotë se tubacionet e jashtëligjshme shumë shpejt do të fillojnë të thithin ujë të ndotur me kontaminues tepër të rrezikshëm për shëndetin që ndodhen në shtresat më të thella të tokës. Në vitin 2012, Ministria e Burimeve Ujore të vendit zbuloi prezencë në sasi të rrezikshme të klorit, hekurit, madje edhe të arsenikut në ujërat tokësorë.
Megjithatë, mafia vazhdon të ketë një kërkesë të jashtëzakonshme lokale për ujë. Kur puset thahen dhe gërmimet nuk nxjerrin më sasi të kënaqshme, skuadrat e pompimit kërkojnë për fusha të reja, madje në kufijtë më ekstremë të Dehlit. Kjo ka shkaktuar zgjerimin e tepërt të zonave të nxjerrjes së ujit dhe metropoli i etur tashmë është duke tharë edhe rrethinat e tij. Mbi të gjitha, duke qenë një biznes tepër fitimprurës, mafia e ujit ka gjeneruar kopje të saj edhe në qytetet dhe fshatra të tjerë.
Qeveria ka bërë disa përpjekje për të frenuar aktivitetin e jashtëligjshëm të nxjerrjes dhe trafikimit të ujit, por pa rezultat. Mafia e ujit nuk është aspak një sindikatë e unifikuar dhe organizuar siç mund të sugjerojë emri që mban, pra nuk mund të asgjësohet dhe eliminohet vetëm duke kapur disa prej kokave drejtuese. Mafia është e lirë, e shkathët dhe e adaptueshme dhe ka aftësinë të mashtrojë autoritetet aty ku has vështirësi korruptimi.
Përgjigja reale kundrejt mafies së ujit do të ishte përmirësimi i infrastrukturës, korrigjimin e zhvillimit të papërshtatshëm të disa dekatave gjatë së cilave shërbimet publike janë ndërtuar për t’i shërbyer vetëm elitës, duke i lënë miliona qytetarë të varfër t’i zgjidhin vetë problemet e tyre. Sistemi i ujit i neglizhuar dhe tepër i korruptuar i vendit, i menaxhuar nga Bordi Delhi Jal, ndodhet në prag të kolapsit. Projektimet e përmirësimeve të domosdoshme tregojnë nevojën e një procesi të gjatë dhe të kushtueshëm.
Ndoshta është tepër vonë për të ndërprerë aktivitetin e mafies, e jo të afrosh sasinë e nevojshme të ujit për të mbijetuar të miliona qytetarëve. Dehli ofron kështu një paralajmërim të dhimbshëm për shumë qytete të tjerë ku po lulëzon mafia e ujit si Bangladeshi, Hondurasi, Ekuadori e shumë të tjerë. “Qeveria është përgjegjëse më shumë se kushdo tjetër për fuqizimin e mafies së ujit”, thotë Dinesh Mohaniya, anëtar i Asamblesë legjislative të Dehlit. “Nëse do të kishin furnizuar me ujë të gjithë qytetarët, përse do të duhet ta paguanin tek mafia?”