Profesor Përparim Kabo thotë se Shqipëria do të bëhet. Teksa bën një parashikim për dekadën e ardhshme ai shprehet se klasa politika aktuale do të largohet atëherë kur do mendojë se fitoi.
Parashikimin e tij dhe optimizmin thotë se e shikon tek vlerësimet e ndërkombëtarëve, pasi siç shprehet “po të ishte për këta Shqipëria llum e më llum do shkonte”.
“Kjo klasë politike do largohet dhe do largohet atëherë kur do mendojë që e fituam këtë betejë. Fitorja e zgjedhjeve nuk është fitore mbi figurën tënde të pistë. Do jesh më turp që të jesh rizgjedhure dhe të merresh i pandehur.
Këta mendojnë që po të zgjidhen riciklohen në politikë dhe shtyjnë në kohë përballjen me drejtësinë. Këtë e quajnë fitore të betejës mbi drejtësinë dhe do ta lënë drejtësinë që të merren me cironka. Kjo nuk do ndodhë, ndonjë mund të shpëtojë. Këtë e bazoj, sepse unë shikoj vlerësimin e faktorit ndërkombëtar, po të ishte për këta, Shqipëria llum e më llum do shkonte, po mos ishte SHBA, gjermani, BE, Britania?!”, tha Kabo në emisionin “Open” në News24.
I pyetur pse shqiptarët nuk reagojnë, Përparim Kabo tha: “Sepse varfëria pjesën më të madhe të popullsisë e ka kthyer në shtresë në nevojë. Shoqëria në nevojë është shoqëri para politike, ajo lufton për të mbiekzistuar”.