Kjo qeveri ‘fallxhore’ po na privon nga dielli e deri tek lëvizja e lirë!

Nga Tritan SHEHU

Ne akoma vazhdojmë me “improvizime”, ndërsa vendet e tjera evropiane si Gjermania, Austria, Italia, Spanja, por edhe të rajonit si Greqia, po publikojnë etapat e qarta të procesit të hapjes. Ne vazhdojmë të hedhim “fall” për të njohur realitetin, domosdoshmëri kjo për hapjen.

Ato vende, por edhe SHBA, si siguri gjatë atij procesit i japin shtimit eksponencial të testimeve virusale dhe imunologjike, metoda që ne i konsiderojmë “tabu” për publikun, ndërsa laboratorët që ofrohen për t’u bërë pjesë e kësaj procedure, “armiqësorë”. Prandaj kurba jonë e epidemisë ka atë konfigurim të painterpretueshëm, sikur të jetë përgatitur në “shpella” magjistarësh e fallxhorësh me një qeveri që veçse pret “tymin” e lëshuar prej andej.

Ndërkaq Greqia dhe vende të tjera të BE do të vënë si kërkesë për lëvizjen në zonën Shengen, një dokument shëndetësor të bazuar mbi testimin, kryesisht atë imunologjik, metodë kjo me besueshmëri, e lirë dhe e realizueshme në laboratorët tona – por e anatemuar nga qeveria “fallxhore”.

Gjermanët autorizuan edhe laboratorët veterinarë, amerikanët edhe farmacitë për të realizuar këto!

Qeveria, e cila prej janarit ka “notuar” në amulli duhet të kuptojë se koha lëviz shpejt, kërkon vendime objektive dhe kjo nuk mund të realizohet në bodrume “alkimistësh” dhe as me kurba “magjistarësh”, por me informacion nga terreni nëpërmjet testimeve masive në popullsi duke vënë në dispozicion të gjitha kapacitetet tona, ndryshe rrezikojmë të zvarritemi pa siguri, të mos shfrytëzojmë as diellin, detin e ajrin tonë e të qëndrojmë të mbyllur gjatë brenda kufijve tanë.

Artikulli paraprakBoris Johnson merr lajmin e mirë pasi mposhti koronavirusin
Artikulli tjetërVizita sekrete e Thaçit në Tiranë!