Klani Ndoka, për çdo natë dy skafe me drogë drejt Italisë

Klani Ndoka në Lezhë nis për çdo natë nga dy skafe me drogë nga Rana e Hedhun drejt Italisë. Denoncimi është bërë nga një qytetar nga Lezha, i cili i është drejtuar me një mesazh ish-Kryeministrit Berisha. “Qytetari dixhital denoncon: Dy skafe të fuqishme ngarkohen me kanabis në Shëngjin tek Rëra e Hedhun! Skafet i lëviz klani Ndoka, konkretisht Xhevahir Ndoka!”, shkruan Berisha në Facebook, duke publikuar edhe mesazhin e qytetarit.
“Përshëndetje zoti Sali Berisha. Desha t’iu informoj se 2-3 herë në javë në Shëngjin të Lezhës vijnë 2 skafe me motora shumë të fuqishëm për t’u ngarkuar me hashash te Rana e Hedhun me urdhër të Ndokave, më saktë të Xhevahir Ndokës. Policia e di mirë, por ndan fitimin dhe nis edhe drogën e vet, po mujte publiko po mos më nxjerr. Të përshnes nga zemra”, shkruan qytetari.
Në këtë trafik droge janë të përfshirë edhe drejtuesit e policisë, pasi marrin përqindjen e fitimeve kolosale. Të gjithë në Lezhë e dinë për trafikun e klanit Ndoka, por kanë frikë ta ngrenë zërin. Edhe pse ka patur denoncime në polici, policia nuk ka ndërhyrë në asnjë rast për bllokimin e skafeve me drogë.
Para katër ditësh u bllokuan 2 ton drogë në një tunel ushtrie në Mat, pas hetimeve të Prokurorisë. Kjo sasi droge ishte planifikuar për t’u trafikuar drejt Italisë. Lënda narkotike u gjet e futur në thasë në një tunel të ushtrisë dhe një konteiner në vendin e quajtur “Shullani i Vilës”. Nga kontrolli i ushtruar në tunel u gjetën dhe u sekuestruan 73 thasë, ndërsa në konteiner u gjetën 139 thasë me kanabis të papërpunuar, pas peshimit rezultoi mbi 2 tonë. Gjithashtu po gjatë kontrollit të ushtruar, policia gjeti në brendësi të konteinerit edhe një armë zjarri tip Kallashinkov.
Ndërkohë, tunelet e ushtrisë janë të mbushura me tonelata kanabis. Ish-Kryeministri Berisha deklaroi para pak ditësh se mbi 10 mijë ton kanabis janë depozituar nga policia në tunelet e ushtrisë dhe Rezervat e Shtetit për ta trafikuar jashtë shtetit.

“Hakmarrja për Drejtësi” në trafikun e drogës

Në Vlorë, trafiku i drogës drejt Italisë drejtohet nga vetë krerët e Policisë dhe anëtarët e organizatës terroriste “Hakmarrja për Drejtësi”. Qytetarët nga Vlora bëjnë të ditur se, anëtarët e organizatës terroriste “Hakmarrja për Drejtësi” dërgojnë nga 3-4 ngarkesa me drogë për çdo natë në Itali. Qytetarët vlonjatë ngrenë shqetësimin se, janë më shumë se 40 të zhdukur në det për drogën, por policia fsheh rastet e njerëzve të zhdukur në det, ndërsa mbron trafikantët e drogës. Denoncuesit flasin me emra dhe me shifra rreth asaj çfarë ndodh në det me trafikun e drogës drejt Italisë. Në Vlorë, Roland Shyti, nipi i Hajredin Shytit nis të paktën tre-katër gomone në natë drejt brigjeve. Jo vetëm kaq, por ai mbrohet nga policia.
Një oficer policie në Komisariatin e Vlorës denoncoi para pak ditësh se, droga e kapur në Triport-Zvërnec ishte e drejtorit të Policisë së Qarkut Vlorë, Jaert Çela. Oficeri i policisë përmendi emra konkretë të zyrtarëve të policisë që organizojnë trafikun e drogës në Jug të vendit drejt Italisë.
Oficeri shkruante se, drejtori i Policisë së Qarkut Vlorë nuk ka lajmëruar shefin e Komisariatit të Policisë, ndërsa ky i fundit gjatë operacionit ka kapur ngarkesën e drogës si dhe shefin e Krimit të Organizuar në këtë drejtori që bënte organizimin e trafikut, por më pas personat përgjegjës janë lënë të lirë. Oficeri i policisë bëri të ditur se, përplasja mes drejtorit të Policisë së Qarkut Vlorë, Jaert Çela dhe shefit të Komisariatit, Behar Caka është shumë e fortë.
Ndërsa një oficer policie në Komisariatin e Vlorës deklaroi para dy ditësh se, skafi me 1 ton kanabis që u gjet pak ditë më parë i braktisur në brigjet e Karaburunit ishte i vëllait të ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafa. Sipas tij, në komisariat po ushtrohet terror që të mos përmendet emri i vëllait të ministrit Xhafa.

Exit mobile version