Milan-Donnaruma, telenovela po shkon drejt fundit të lumtur për të gjitha palët. Pak javë pasi agjenti i 18-vjeçarit, Mino Raiola bëri me dije vendimin për t’u larguar nga kuqezinjtë, një hap i madh pas ndryshon rrjedhën e ngjarjeve. Dashuria e portierit për fanellën kuqezi i ka vënë fre fantazisë së agjentit për të bërë 18-vjeçarin portierin më të shtrenjtë të planetit. Drejtuesit e klubit italian dhe përfaqësuesit e portierit kanë arritur marrëveshjen verbale dhe shumë shpejt pritet të hedhin firmat në kontratën e re 5-vjeçare.
Mediat italiane zbulojnë disa detaje rreth kontratës së pazakontë për një adoleshent, i cili do të përfitojë shifra të frikshme si askush në moshën e tij. 30 milionë euro neto do të përfitojë Donnaruma për 5 vjet në Milanello, por ai do të ketë një klauzolë të padëgjuar më parë. Në rast se Milani nuk kualifikohet në Champions League sezonin e ardhshëm, mund të largohet për 50 milionë euro, por nëse kuqezinjtë renditen mes 4 të parave të Serie A, atëherë klubi që do të dëshirojë shërbimet e tij duhet të derdhë në arkën e Milanit plot dyfishin pra, 100 milionë.
Nuk është vetëm djali i madh i familjes Donnaruma që përfiton në këtë mes, pasi në kontratë është përmendur edhe vëllai i tij Antonio, portier edhe ai. Sipas të dhënave, djali i vogël i familjes do të bashkohet me të rinjtë e Milanit dhe do të përfitojë rreth 1 milionë euro në sezon. Sipas “Gazzetta dello Sport”, këto shifra nuk vijnë si një logjikë e thjeshtë merkatoje, por si pasojë e ofertës stratosferike që PSG i kishte bërë të riut italian. Al Khelaifi i kishte premtuar 18-vjeçarit 13 milionë euro në sezon për t’u transferuar në Paris, por mesa duket, dashuria e gardianit për fanellën kuqezi e ka shtyrë të bëjë një hap pas.
Andrea Conti e ka bërë zgjedhjen për të ardhmen dhe është vetëm Milani. Mbrojtësi që sapo mbylli aventurën me Italinë e 21-vjeçarëve në Europian tani pret të transferohet te kuqezinjtë pavarësisht se për të ka oferta nga Interi dhe klube angleze. 23-vjeçari u shpreh se do t’i jetë gjithmonë Atalantës mirënjohës që e ka rritur si lojtar, por insistoi se ëndrra e tij tashmë është të luajë me Milanin.
Interi ende nuk ka nisur merkaton në pritje për të barazuar bilancin sipas parametrave të Fair Play Financar. Më 1 korrik zikaltërit do të kenë liri veprimi dhe reparti që dëshiron Spalletti të përforcohet me çdo kusht është mbrojtja. Krahas Skriniar për të cilin është arritur akordi, Sabatini dhe Ausilio kanë kërkuar informacion për Gimenez të Atl. Madrid. Për uruguaianin është gati oferta 25 mln euro dhe pengesa e vetme është bllokada në merkato nga FIFA për ekipin spanjoll.