Prokurorët e Krimeve të Rënda duket se kanë mbetur të surprizuar, kur nga hetimi pasuror kanë zbuluar se Klement Balili, nuk disponon prona e pasuri të paluajtshme, apo llogari bankare me shuma marramendëse. Bëhet e ditur se, nga hetimet paraprake ka rezultuar se Klement Balili, në emrin e tij disponon pasuri modeste, edhe pse në sitën e prokurorëve po kalon çdo qindarkë e tij.
Hetimi pasuror është shtrirë edhe mbi familjarët e të shumëkërkuarit dhe mbi personat e lidhur me të. Në kuadër të këtij hetimi, është provuar se edhe një kompleks luksoz në Sarandë, që ishte pronë e “Eskobarit të Ballkanit”, në fakt është në pronësi të vëllait të Klement Balilit. Burimet nga organi i akuzës bëjnë të ditur se, prokurorët do të kërkojnë sekuestrimin edhe të kompleksit në fjalë për shkak se ligji Antimafia lejon që të sekuestrohen edhe pronat e familjarëve apo personave të lidhur me subjektin që hetohet.
Prokurorët thanë se, në kuadër të hetimit pasuror kanë kërkuar informacion në disa banka të nivelit të dytë në vend, për llogaritë e 20 personave. Mbi këtë grup personash i është kërkuar informacion edhe Hipotekës, për të verifikuar nëse zotërojnë prona dhe pasuri të paluajtshme.
Hetimi pasuror nisi menjëherë pas shpalljes në kërkim të Klement Balilit, i cili cilësohet si kreu i një grupi kriminal që trafikon drogë nga Shqipëria drejt vendeve të Bashkimit Europian. “Eksobari i Ballkanit” vazhdon të shijojë jetën në arrati.