Klientët e LSI tek koncesioni i dializës

PD denoncoi dje hipokrizinë e LSI në lidhje me qëndrimin ndaj koncesioneve që po rrjepin qytetarët, duke i kujtuar se do të bëhej më serioze që të reagonte edhe për koncesionin e dializës, i cili i është dhënë klientëve të LSI.
“LSI është bashkëautore e të gjitha vjedhjeve, konçesioneve dhe abuzimeve të qeverisë Rama-Meta, nga një pjesë e të cilave LSI ka përfituar direkt. Nëse Ilir Meta është për interesin publik, nuk do të kishte bërë pazar me taksën e gazit. Nëse Ilir Meta është për interesin publik, le të ngrejë zërin kundër koncesionit të dializës, që u shit për dy lekë tek klientët e LSI-së.
Sot ka vetëm një zë në interes të publikut në Shqipëri: kjo është opozita. LSI dhe PS janë dy faqe të një monedhe, nuk kanë dallim nga njëra-tjetra, ndajnë bashkë atë që grabisin nga populli”, thuhet në deklaratën e PD.
PD ka sfiduar dje LSI që në rast se e ka seriozisht qëndrimin kundër qeverisë për koncesionin e laboratorëve atëhere kjo mund të provohet lehtësisht, duke refuzuar vendimin e Ramës dhe duke dalë nga qeveria.
“Vendimin për konçesionin e laboratorëve e merr qeveria dhe jo Kuvendi. Nëse Ilir Meta është kundër konçesionit e ka të thjeshtë: ta rrëzojë atë në qeveri. Le të bllokojë qeverinë ose të dalë nga qeveria. Por këtë LSI nuk e bën dot, sepse qeverisja është oksigjeni që mban në jetë LSI-në”, thuhet në një njoftim të PD.
Për Partinë Demokratike kemi të bëjmë me një manovër politike të LSI për shfaqje publike, duke u shtirur sikur është e interesuar për mbrojtjen e interesave të qytetarëve në një kohë që afron dita e zgjedhjeve.
“Gjasme amendamenti kundër konçesionit, ishte një manovër propagandistike e Ilir Metës për të bërë gjasme sikur mendon për popullin, pra ishte një gënjeshtër. Po afrohen zgjedhjet dhe është koha kur Ilir Meta bën sikur nuk ka qenë në qeveri katër vjet”, thuhet në deklaratën e PD.
Partia Demokratike është kundër konçesionit të laboratorëve. Ka qenë dhe është kundër konçesionit të dializës. Ka qenë dhe është kundër konçesionit të sterilizimit. Ka qenë dhe është kundër konçesionit të kontrollit mjekësor. I ka denoncuar të gjitha këto konçesione dhe ka luftuar kundër tyre.
Gjasme amendamenti buxhetor i LSI-së, për konçesionin e laboratorëve në shëndetësi, nuk e ndalonte konçesionin e laboratorëve, dhe nuk kishte asnjë vlerë ligjore.

Exit mobile version