Koreja e Jugut është kualifikuar për në çerekfinalen e Kupës së Azisë, pasi triumfoi ndaj Arabisë Saudite. Koha e rregullt u mbyll 1-1, ndërsa fituesi u vendos nga penalltitë. Në pjesën e parë mbizotëroi ekuilibri, me skuadrat që bënë një lojë të kënaqshme për tifozët që kishin ardhur për të parë sfidën në Education City Stadium (Al Rayyan).Në fundin e 45-minutave, të besuarit e Roberto Mancinit iu afruan ndjeshëm golit, por fati nuk ishte me ta.
I sapo futur në fushë, në të 46-tën minutën, sulmuesi i Al Shabab, Abdullah Radif realizoi gol në favor të arabëve, duke “ndezur” festën në stadium. Në një përballje shumë të rëndësishme, Salem Al Dawsari dhuroi asist për 21-vjeçarin.
Falë përpjekjeve, gjatë 10 minutave shtesë të akorduara prej arbitrit nga Uzbekistani, Tantashev, koreanët barazuan shifrat në 1-1, me sulmuesin Gue-Sung Cho.
Në shtesë nuk pati gol, nëse nga pika e bardhë e penalltisë më të saktë u treguan koreano-jugorët. Skuadra e gjermanit Jurgen Klinsmann nuk gaboi asnjëherë, ndërsa në krahun tjetër ekzekutuan keq Ghareeb dhe Al Najei. Kështu, Klinsmann mund Mancinin, në sfidën brenda sfidës…
Në çerekfinale, Koreja e Jugut do të ketë një ndeshje mjaft të vështirë, pasi përballë do jenë “kangurët” e Australisë. Gjatë ditës së sotme është luajtur edhe Uzbekistan-Tailandë, me 90-minutëshin që përfundoi 2-1.