Klinton fiton betejën e fundit

Hillary Clinton të martën shpalli fitoren në garën për të marrë emërimin e Partisë Demokrate, duke u bërë gruaja e parë, kandidate e një partie të madhe politike në zgjedhjet e përgjithshme presidenciale në Shtetet e Bashkuara.
Zonja Clinton fitoi dje në Kaliforni, Dakotën e Jugut, Nju Meksiko dhe Nju Xhërsi. Rivali i saj demokrat, senatori nga Vermonti, Bernie Sanders, fitoi në Dakotën e Veriut dhe Montana. Me votimet e djeshme u mbyllën zgjedhjet paraprake.
Presidenti Obama të martën telefonoi të dy kandidatët, duke e përgëzuar Sekretaren Clinton për sigurimin e delegatëve të nevojshëm për emërimin e partisë. Ai gjithashtu falënderoi Senatorin Sanders për mobilizimin e miliona amerikanëve dhe për sjelljen e vëmendjes tek çështjet si luftimi i pabarazisë ekonomike.
Senatori Sanders u tha mbështetësve të martën në Kaliforni se, ai e kishte telefonuar Sekretaren Clinton për ta uruar për fitoret e saj. Gjatë fjalimit para mbështetësve të tij, ai tha se duhet punuar së bashku për të mposhtur kandidatin republikan Donald Trump, por nuk e përmendi faktin se me fitoret e djeshme zonja Clinton tashmë ka siguruar numrin e nevojshëm të delegatëve për të marrë emërimin e Partisë Demokrate dhe nuk dha asnjë shenjë se ai ka ndërmend të tërhiqet. Zoti Sanders u zotua se do të “vazhdojë luftën”.

Exit mobile version