Klodeta Dibra, kandidatja e Shullazit për rektore

Kandidatja e favorizuar nga Rama për Rektoratin e Universitetit të Tiranës, Klodeta Dibra, për fitoren e së cilës u angazhua edhe Emiljano Shullazi duke kërcënuar kandidatin përballë saj, akademikun Mynyr Koni ka dalë publikisht në mbështetje të Shullazit, duke i cilësuar si shpifje, trillime dhe inskenime. Në momentin kur të gjitha strukturat janë angazhuar në hetimin e ngjarjes së rëndë, në një intervistë për gazetën “Panorama”, Dibra reagon dhe ndaj akuzave të ish¬-Kryeministrit Berisha për kërcënim të kandidatit tjetër për rektor të Universitetit të Tiranës, Koni, nga Emiljano Shullazi duke i cilësuar këto akuza si të stisura.
“Në deklarimin para gazetarëve të ish-¬Kryeministrit unë nuk shoh ndonjë akuzë për mbarëvajtjen e procesit, por një insinuatë lidhur me kërcënimin e rivalit tim (apo të dikujt tjetër) në këtë garë dhe madje edhe tërheqjen nga gara. Por shpejt u mësua se nuk kishte një dorëheqje! Unë vazhdoj të këmbëngul, sikundër është bërë publike, që zgjedhjet në universitetet publike nuk janë dhe nuk mund të jenë një arenë ku përplaset politika e ditës. Ato janë përgjegjësi e vetë stafeve akademike, studentëve dhe profesoratit, të cilët kanë treguar, deri sot qytetari dhe kulturë. Ngjarja e pretenduar as që ka ndonjë lidhje me mua, por mesa duket, është stisur nga falanga që e çuan universitetin në këtë gjendje ku është sot. Por koha e tyre mbaroi”, shprehet Dibra.
Madje, ajo nuk mjafton me kaq ndërsa shton se duke “shpikur” kërcënimet, kandidati përballë saj, akademiku i nderuar Koni kërkon të viktimizohet.
“Ashtu sikundër nuk besoj se do të ketë kohë nga nesër e tutje edhe për të tjerë, që dëshirojnë të vetëviktimizohen ose lejojnë viktimizimin e tyre, sepse nuk kanë çfarë tjetër të ofrojnë për universitetin dhe të ardhmen e tij! Sepse kanë qenë pjesë e atyre falangave që përmenda më sipër dhe iu ka mbetur thjesht të inskenojnë palavdinë e tyre, duke mos ditur të bëjnë gjë tjetër! Unë vijoj të tregoj me përgjegjshmërinë time se jam në këtë garë për ta fituar atë. Emrin tim dhe këtë përgjegjshmëri nuk e implikon dot askush, aq më tepër politika”, thotë në intervistën e saj.
Por ndërsa Dibra i cilëson si trillime kërcënimet e Shullazit ndaj dy figurave të njohura akademike, ka qenë vetë Rektorati i Universitetit të Tiranës, i cili ka pranuar vërtetësinë e këtyre kërcënimeve, si dhe faktin se strukturat përkatëse shtetërore janë vënë menjëherë në dijeni të ngjarjes.
Klodeta Dibra është rivalja e akademikut Koni për postin e Rektoratit të Tiranës, i cili është kërcënuar me jetë nga krahu i djathtë i Ramës e Tahirit, Emiljano Shullazi.
Klodeta Dibra jep mësim tek Fakulteti i Gjuhëve të Huaja, ka 18 vite punë në këtë institucion, por krahas kësaj ajo është anëtare e Këshillit Bashkiak të Tiranës si përfaqësuese e Partisë Socialiste, dhe duket se ka qenë e preferuara e Ramës pasi ka qenë e para në listën e Partisë Socialiste për anëtarët e Këshillit Bashkiak. Në një intervistë të dhënë për gazetën “Shekulli” më 7 maj 2015 Klodeta Dibra është shprehur se “Edi Rama ma plotësoi dëshirën për të qenë në Këshillin Bashkiak”.

Reagimi zyrtar i Rektoratit

Rektorati i Universitetit të Tiranës ka reaguar ashpër dje për rastin e kërcënimit të dekanit të Fakultetit të Shkencave të Natyrës, njëherësh kandidat për rektor në UT, Mynyr Koni si dhe rektorit aktual Dhori Kule.
Në një njoftim zyrtar të Rektoratit konfirmohet se, kërcënimi kishte si qëllim tërheqjen nga gara të kandidatit Koni pak ditë para zgjedhjeve. Rektorati bën me dije se është konfirmuar mbi kërcënimet ditën e enjte dhe të premte të javës që kaloi, ndërsa e cilëson këtë ngjarje si të paprecedent e të pakonceptueshëm brenda institucioneve akademike.
“Rektorati i UT u informua për ngjarjet e rënda të zhvilluara, përkatësisht ditën e enjte dhe të premte, ku janë kërcënuar dekani i Fakultetit të Shkencave të Natyrës dhe kandidati për rektor, Prof. Dr. Mynyr Koni dhe rektori i UT, Prof. Dr. Dhori Kule. Këto kërcënime kanë patur për qëllim tërheqjen nga gara, vetëm pak ditë përpara zgjedhjeve të kandidatit Mynyr Koni. Ky është një rast i paprecedent dhe i pakonceptueshëm që të ndodhë brenda institucioneve akademike”, thuhet në reagimin e rektoratit.
Rektorati vlerëson të gjitha strukturat përkatëse kanë qenë të informuara në lidhje me kërcënimet në fjalë. “Strukturat shtetërore janë informuar për ngjarjen e rëndë nga rektori dhe dekani i FSHN dhe ato menjëherë kanë marrë masat e duhura, duke vlerësuar seriozisht këtë situatë të paprecedent në zgjedhjet universitare. Nisur nga mbështetja e organeve shtetërore dhe aktorëve të tjerë, kandidati për rektor vendosi që ta vazhdojë garën për rektor të UT. Gjejmë rastin të falënderojmë strukturat shtetërore dhe të gjithë aktorët e tjerë për mbështetjen në këtë fazë delikate të historisë së UT”, vijon deklarata.
Ndër të tjera në deklaratë shprehet angazhimi maksimal për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor, ndërsa bëhet thirrje për pjesëmarrje masive në këto zgjedhje.
“Ne, nënshkruesit e kësaj deklarate, drejtues të fakulteteve të ndryshme të UT, dënojmë aktin e paprecedent dhe mbështesim kolegët tanë në përmbushjen e detyrimeve të tyre institucionale, si dhe garantojmë angazhimin tonë maksimal për një proces të rregullt zgjedhor në UT, për cilindo kandidat në garë. Gjithashtu, ne gjykojmë që procesi deri tani është zhvilluar normalisht dhe të gjitha strukturat kanë plotësuar detyrimet e tyre në bazë të rregullores për zgjedhjet. I bëjmë thirrje gjithë profesoratit dhe studentëve të UT të marrin pjesë masivisht në këto zgjedhje dhe të tregojnë që UT, si deri tani, është një institucion publik që karakterizohet nga integriteti dhe vendosmëria për ta çuar arsimin tonë drejt standardeve më të përparuara ndërkombëtare”, thuhet në fund të deklaratës së Rektoratit.

Arben Shahini

Exit mobile version