Vetëm pak ditë pas derbit të Manchesterit, Premier League sjell në skenë një tjetër superduel që nuk do të mungojë në ekranin e “Supersport”. Të premten në “Stamford Bridge” luhet Chelsea-Liverpool, sfidë e vlefshme për javën e 5-t të kampionatit anglez. Në konferencën për shtyp përpara kësaj sfide trajneri i Liverpoolit, Jurgen Klopp vlerësoi kolegun e tij Antonio Conte, ndërkohë që e cilësoi Chelsea-in si një skuadër shumë të fortë që po kalon një moment të shkëlqyer.
“Jam shumë i emocionuar. Ndeshjet përballë Chelsea-it, veçanërisht në një stadium si “Stamford Bridge” janë gjithmonë speciale. Ata janë një skuadër me potencial të madh që po kalojnë një moment pozitiv. Kam parë sfidën që zhvilloi Chelsea ndaj Swansea-t, ata meritonin ta fitonin atë ndeshje. Unë dhe stafi im i kemi analizuar takimet e fundit që kanë zhvilluar Blutë. Pas një sezoni të dobët, Chelsea vendosi të ndryshonte trajner dhe me Conten në drejtim skuadra është rikthyer në nivelet më të larta. Ai është trajner shumë i zoti, i cili ka përcjellë menjëherë mentalitetin e tij fitues te Chelsea. Për ne kjo ndeshje do të jetë shumë e vështirë. Duhet ta japim më shumë se 100% të mundësive tona për të fituar në “Stamford Bridge”, u shpreh Klop.
Në vijim, Klopp foli edhe për gjendjen e futbollistëve të dëmtuar në skuadrën e tij. “Lojtarët të cilët hasën disa probleme në ndeshjen e fundit ndaj Leicester-it, janë të gjithë gati. Është rifatësuar gjithashtu nga dëmtimi mbrojtësi Dejan Lovren. Emre Can, ndërkohë ka nisur të stërvitet me skuadrën, por ka nevojë edhe për pak kohë për të luajtur. Të shohim se çfarë do të bëjmë me Mahmadou Sako”, përfundoi trajneri i Liverpulit.