Klopp paralajmëron Gerrard: Jo çdo lojtar i mirë bëhet trajner

“Të jesh një lojtar i mirë, jo domosdoshmërisht mund të jesh edhe një trajner i mirë”. Jurgen Klopp i dërgon një sinjal të qartë kapitenit legjendar të Liverpoolit, Steven Gerrard, i cili vari këpucën në gozhdë pas një karriere të gjatë në radhët e “The Reds”. Sipas mediave ishullore, objektivi i tij tashmë është drejtimi i klubit ku u rrit dhe ai ka nisur menjëherë punën për të qenë gati kur t’i jepet mundësia e artë. Në krahun tjetër, edhe klubi ia ka bërë të qartë se dera për të do të jetë gjithmonë e hapur, por në këndvështrimin e trajnerit gjerman, gjërat nuk janë kaq të thjeshta.
“Fakti që ke qenë futbollist të ndihmon dhe unë e di shumë mirë sepse personalisht nuk kam qenë i tillë, por kjo nuk do të thotë se e kupton lojën më mirë se kushdo tjetër. Unë thjesht arrij ta imagjinoj se sa shumë ndryshojnë gjërat nga fusha në pankinë. Kështu funksionon kudo. Pas fitores së Botërorit 1990, shumë pak lojtarë të Gjermanisë arritën të bëheshin trajnerë. Shumë pak e provuan dhe mund të them se situata është e njëjtë për çdo futbollist të mirë”, u shpreh Klopp.
Gjithsesi, Liverpooli me shumë mundësi do të jetë ndalesa e radhës për Gerrard. Ish-kapiteni ka në tavolinë një ofertë për një rol drejtues në akademinë e klubit. Këtë e ka bërë të ditur drejtori Alex Inglethorpe, i cili pret një përgjigje. Gerrard i kaloi 18 muajt e fundit të karrierës në radhët e Los Angeles Galaxy dhe aktualisht po ndjek kursin e trajningut për licencën UEFA A, madje gjatë ditëve të fundit ka refuzuar edhe një ofertë nga klubi i MK Dons.

Exit mobile version