1.47 miliardë euro fonde publike e para të taksapaguesve janë vjedhur dhe zhvatur nga Rama dhe oligarkët pranë tij. Shifrat e Kontrollit të Lartë të Shtetit mbi korrupsionin dhe vjedhjet e fondeve publike janë të frikshme. Kontrolli i Lartë i Shtetit gjatë viteve 2012-2016 ka bërë 718 kallëzime penale ndaj institucioneve shtetërore për korrupsion dhe mashtrim financiar. Kreu i KLSH, Bujar Leskaj, u shpreh në konferencën rajonale se dëmi i llogaritur në buxhetin e shtetit është në masën 1.47 miliardë euro apo 191 miliardë lekë. Në harkun kohor prej 4 viteve (2012-2016), Kontrolli i Lartë i Shtetit ka bërë 718 kallëzime penale ndaj instucioneve shtetërore për shkak të shkeljeve të konstatuara për korrupsion dhe mashtrim financiar. Kreu i KLSH-së, Bujar Leskaj, bën me dije se dëmi ekonomik në buxhetin e shtetit në këto shkelje llogaritet në masën 191 mld lekë. “219 kallëzime penale për 718 persona ose e thënë ndryshe ne këto 5 vite kemi adresuar një kallëzim penal në javë apo një kallëzim penal për çdo tri auditime të zhvilluara. Ky numër është 1.5 herë më i lartë se 10 vitet e mëparshme 2002-2011 të marra së bashku. Për periudhën 2012-2016, në këto 5 vite dëmi ekonomik i evidentuar dhe bërë publik arrin në shumë 191 miliardë lekë”, u shpreh Leskaj. Për një vend që aspiron integrimin, tha Leskaj, duhet të ketë strategji kombëtare efektive kundër korrupsionit në institucionet shtetërore. “Vënien para përgjegjësive të shkaktarëve të tij me synimin e krijimit të një klime parandaluese dhe dekurajuese ndaj abuzimeve. Megjithatë realiteti konkret në Shqipëri tregon se pavarësisht arsyeve të jashtme nuk kemi qenë të suksesshëm në këtë drejtim”, thekson Leskaj. Deklaratat Leskaj i bëri gjatë një konference rajonale me homologët dhe ekspertë të fushës ku u evidentua roli i institucioneve supreme të auditivit në përpjekjet dhe punën e tyre për zbulimin e korrupsionit dhe mashtrimit financiar. Konkretisht, vetëm për vitin 2016, janë rekomanduar 558 masa organizative, 188 masa për shpërblim dëmi në vlerën 17,823,178 mijë lekë, 256 masa disiplinore, 23 masa administrative, si dhe janë dërguar në organin e Prokurorisë 5 kallëzime penale, për 5 drejtues apo administratorë të shoqërive dhe enteve publike. Një nga treguesit kryesorë të performancës së auditimeve është niveli i zbatimit të rekomandimeve, thekson KLSH. Për vitin 2016 janë dhënë gjithsej 1025 rekomandime në 26 auditime të realizuara. Kanë kthyer përgjigje për zbatimin e rekomandimeve 20 subjekte (të cilat janë përfshirë në auditimin e kryer për zbatimin e rekomandimeve). Janë rekomanduar gjithsej 558 masa organizative, nga të cilat janë pranuar 419 masa ose 98.8%, si dhe janë realizuar plotësisht, pjesërisht ose në proces realizimi 396 të tilla. Për zhdëmtimin e dëmit ekonomik të konstatuar në shumën 17,823,178 mijë lekë, vlerë e cila është kërkuar 100% për zhdëmtim. Nga kjo vlerë, janë pranuar dhe kanë nisur procedurat për kthimin e shumave prej 1,2 miliardë lekësh, kurse nga verifikimi nga KLSH në 20 subjekte, realizimi paraqitet në masën 10.5%, pa llogaritur 5 subjekte të tjera që janë brenda afatit të kthimit të përgjigjes.
Vjedhjet sipas fushave
Prokurimet, 282 milionë lekë
Tatimtaksat, 233 milionë lekë
Doganat, 150 milionë lekë
Shitja dhe qiradhënia, 149 milionë lekë
Shpërblimet, 53 milionë lekë
Shpenzimet operative, 47 milionë lekë
Të tjera, 37 milionë lekë
Urbanistika, 8 milionë lekë
314 milionë euro dëm ekonomik për 2016
Kompanitë publike ku shteti është aksioner i shumicës janë keqmenaxhuar, teksa janë gjetur abuzime të rënda me fondet që donatorët kanë dhënë për disa projekte të mëdha. Kontrolli i Lartë i Shtetit, në zbulimet për 26 auditimet e vitit të kaluar, ka kontabilizuar një dëm ekonomik prej 43 miliardë lekësh (314 mln euro). Nga kjo shumë, mbi 17 miliardë lekë ose 130 milionë euro i takojnë mospërputhjes së veprimtarisë me kërkesat dhe kriteret e kuadrit rregullator. Kjo shumë është rekomanduar të zhdëmtohet 100%. Gjithashtu, entet dhe kompanitë shtetërore nga të ardhurat e munguara apo shpenzime jo në përputhje me parimet e ekonomicitetit, eficencës dhe efektivitetit kanë krijuar një dëm në vlerën e 25.2 miliardë lekë (184 milionë euro). KLSH ka llogaritur se në “Albpetrol” sh.a., vlera e dëmit ekonomik llogaritet në 15,1 miliardë lekë. Në KESH sh.a., vlera e dëmit është 391,8 milionë lekë, në Autoritetin Portual të Durrësit, vlera e dëmit ekonomik të zbuluar është 217,142 mijë lekë.
Në fushën e projekteve me financime të huaja, konkretisht në ARRSH për projektin “Ndërtimi i segmentit by pass Fier-Vlorë”, vlera e dëmit ekonomik llogaritet 1,3 miliardë lekë, në projektin “Ndërtimi i aksit Tiranë-Elbasan”, vlera e dëmit ekonomik llogaritet në 306 milionë lekë. Në Ministrinë e Shëndetësisë, projekti “Shëndetësia elektronike në Shqipëri, regjistri mbarëkombëtar i shëndetësisë elektronike”, vlera e dëmit ekonomik është 243,8 milionë lekë. Gjithashtu, KLSH ka gjetur shumë dobësi në ndërmarrjen “Trajtimi i studentit nr. 3” sh.a. Tiranë, Ujësjellës-Kanalizime sh.a. Lezhë, Spitali Rajonal i Fierit dhe Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor. Kontrolli i Lartë i Shtetit bën me dije se rezultatet nga auditimi i 26 subjekteve kanë evidentuar nevojën e rekomandimit të masave për përmirësimin e gjendjes, për mirëmenaxhimin e aktivitetit nëpërmjet masave organizative, për parandalimin dhe ndëshkimin e personave përgjegjës në keqadministrimin e fondeve dhe pasurisë publike, nëpërmjet dhënies së masave administrative dhe disiplinore, si dhe ka raste të dërgimit në organin e Prokurorisë, kur janë konstatuar shpërdorime të detyrës.
920 milionë euro vjedhje e korrupsion për 2015
Në prill të vitit 2015, KLSH në raportin drejtuar Kuvendit konstatonte se abuzimet në Dogana dhe Tatime ishin rritur rreth 14 herë më shumë, krahasuar me një vit më parë. Sipas këtij raporti 123 milionë euro ishte shuma e abuzimit nga këta sektorë ose rreth 13 për qind të totalit prej 1 miliard euro të dëmit që iu shkaktua shtetit për vitin që shkoi nga qeverisja e rilindjes. “Për vitin 2015, një dëm të konsiderueshëm kemi konstatuar në sektorin e Tatimeve dhe Doganave në rreth 13% të dëmit total të konstatuar, kundrejt 10% të dëmit të konstatuar në këtë sektor për vitin 2014 dhe 3% të konstatuar në vitin 2013. Po të analizojmë në vlerë trendin në rritje të dëmit në sektorin e Tatimeve dhe Doganave do të vërejmë një rritje me 14 herë krahasuar me shifrën e dëmit të konstatuar në vitin 2014”, raporton KLSH. Kështu nga 1,220,319 mijë lekë të vitit 2014 konstatimet në këtë sektor kanë arritur në 16,854,733 mijë lekë në vitin 2015. Për vitin 2015, kemi rritje të konsiderueshme të vlerës së dëmit të konstatuar në fushën e prokurimeve publike krahasuar me vitin 2014. Gjithashtu, rritje ka pësuar edhe dëmi në prokurime arriti në 2,621,594 mijë lekë, krahasuar me 678,118 mijë lekë të konstatuar për vitin 2014 me një rritje 3.8 herë. Por KLSH referon se, për vitin 2015 pjesa më e madhe e dëmit vjen kryesisht nga fusha e menaxhimit të pasurisë shtetërore, ku rezulton se është konstatuar rreth 84% e dëmit total në sektorin e energjisë e sektorin e hidrokarbureve. Buxheti i shtetit për vitin 2015 ka pësuar një dëm ekonomik rreth 920 milionë euro ose 125.763.051 mijë lekë. Sipas raportit, dëmi ka si shkak parregullsitë dhe shkeljet financiare, në të ardhurat dhe shpenzimet e kryera. Madje, treguesi i mesatares së dëmit ekonomik në raport me buxhetin e shtetit është rritur ndjeshëm krahasuar me vitin 2014, thuajse është dyfishuar.