Shqipëria humb 200 milionë euro në vit nga korrupsioni. Deklarata u bë dje nga kreu i Kontrollit të Lartë të Shtetit, Bujar Leskaj gjatë prezantimit të auditimit 8-mujor të dëmshpërblimit për ish-të përndjekurit politikë. “Sipas të dhënave të Bankës Botërore në botë sot mbi 1 miliard dollarë në vit humbasin nga korrupsioni. Në Shqipëri sipas të dhënave dhe auditimeve nga Kontrolli i Lartë i Shtetit rreth 200 mln euro janë humbje nga korrupsioni. Kostoja e korrupsionit nuk është thjesht vjedhja e fondeve publike, kostoja e vërtetë është sabotimi i së ardhmes që shprehet në më pak spitale, shkolla, ujë, rrugë dhe energji. Po kështu edhe thithja e investimeve varet nga transparenca dhe eficenca e institucioneve publike”, u shpreh Leskaj. Ai u ndal gjatë edhe në auditimin e dëmshpërblimit për ish-të përndjekurit politikë, duke tërhequr vëmendjen për zvarritjen e çështjes. Ai tha se duhet të shtohen fondet. “Nga neglizhenca në hartimin dhe mosnxjerrja në kohë e akteve nënligjore nga organet shtetërore për zbatimin e detyrimeve e parashikuara në ligj, ish-të dënuarit dhe të përndjekurit politikë nuk përfituan plotësisht dhe në kohë nga zbatueshmëria e plotë e kuadrit ligjor. Për rrjedhojë janë krijuar pasoja serioze dhe në rehabilitimin e tyre. Nga institucionet shtetërore përgjegjëse jo vetëm që nuk janë realizuar detyrimet ligjore ndaj tyre, por dhe nuk ka një datë të saktë se kur do të mbarojë procesi i dëmshpërblimit, duke e shtyrë kështu për një periudhë të pacaktuar rehabilitimin e plotë të kësaj shtrese”. “Aktualisht gëzojnë statusin e ish-të përndjekurit 42 777 persona sipas Institutit të Integrimit të ish-të Përndjekurve Politikë, megjithëse kjo shifër kontestohet nga Instituti i Studimit të Krimeve të Komunizmit, sipas të cilit kjo shifër mendohet të jetë dy herë më e lartë, rreth 100 000. Çështja vazhdon të zvarritet. 26 vjet pas rënies së komunizimit ata kanë përfituar vetëm 1/3 e dëmshpërblimit. Përsëris një rekomandim të kahershëm të KLSH, 20% i të ardhurave nga privatizimi i sektorëve strategjikë të shkojë për dëmshpërblimin e ish-të dënuarve dhe ish-të përndjekurve politikë, 30% për privatizim dhe 50% për shlyerjen e borxhit”. Leskaj kërkoi nga qeveria ecjen me ritme më të shpejta në dhënien e dëmshpërblimeve për ish-të përndjekurit politikë. Nga një auditim i bërë, KLSH evidenton se vetëm 1/3 e kësaj kategori janë dëmshpërblyer. Dëmshpërblimet e ish-të përndjekurve politikë janë konsideruar nga qeveria Rama si prioritet, por nga një auditim prej 8-muajsh nga Kontrolli i Lartë i Shtetit rezulton se vetëm 1/3 e kësaj kategorie është dëmshpërblyer. Bujar Leskaj, kreu i Kontrollit të Lartë të Shtetit bëri me dije se ndryshimet e shpeshta në ligj, zvarritja e një procesi të tillë ndikon negativisht në rehabilitimin moral dhe financiar të kësaj kategorie që vuajti më shumë pasojat e regjimin komunist. Bujar Leskaj: Kanë dështuar në rehabilitimin e kësaj shtrese të shoqërisë në një kohë optimale. Jemi shumë larg përmbushjes së atyre detyrimeve ligjore, kushtetuese, morale dhe të drejta që shoqëria shqiptare ka ndaj jush. Kreu i Institutit të ish-të Përndjekurve, Bilal Kola, e vuri theksin tek punësimet e kësaj kategorie, pasi në të dhënat e KLSH-së rezulton se nga 182 kërkesa të bëra për rikthimet në punë për arsye të largimeve të pamotivuara, vetëm 3 persona janë rikthyer në vendin e punës. Bilal Kola: Në ligjin e statusit thuhet që kjo shtresë trajtohet me përparësi kur vjen puna tek punësimi, por ama është fakt që kjo shtresë nuk ka asnjë lloj përparësie faktike. Agron Tufa që drejton sektorin e krimeve të komunizimit tha se, mungojnë të dhënat për numrin e fëmijëve të ish-internuarve, pasi në regjistra figurojnë vetëm emrat e prindërve, duke lënë këtë kategori jashtë përfitimeve. Agron Tufa: Fëmijët është pjesa më e dhembshme e kësaj historie dramatike të Shqipërisë komuniste, nuk e gjejnë veten. Veprimtaria e KLSH, e shtrirë gjerësisht në auditimet në institucionet publike në mënyrën se si shpenzohen fondet publike dhe eficenca e tyre, është vlerësuar edhe nga Gjykata e Auditimit të Austrisë për pavarësinë e institucioneve dhe standardet e zbatuara. Nuk është bërë e mundur që bonot e privatizimit të kthehen në përfitim për ta, u shpreh kreu i KLSH-së gjatë publikimit të një raporti në praninë e ish-të përndjekurve lidhur me procedurat e dëmshpërblimit ndaj tyre. Leskaj nuk ka lënë mënjanë kërkesën për Ministrinë e Financave që të shtojë fondet për ish-të përndjekurit politikë pasi në 8 vite është dhënë gati 1/3 e shumës. Sipas të dhënave zyrtare, fondi për ish-të përndjekurit është rreth 18 milionë dollarë në vit. Ky fond filloi në vitin 2008, por me ardhjen e socialistëve në pushtet ndryshuan procedurat dhe prioritetet, proces i cili ka bërë edhe një zgjatje përtej afateve ligjore për dëmshpërblimin. Fondet që qeveritë kanë dhënë këto 8 vite janë thuajse të njëjta, por ka ndryshuar thjesht dhe vetëm procedura dhe radha e përfituesve.
A.Shahini