Kontrolli i Lartë i Shtetit konstaton se abuzimet financiare nga administrata publike për periudhën 2013-2015 arrijnë shifrën rekord 44 miliardë lekë ose 314 milionë euro. Të dhënat bëhen publike në raportin e fundit të auditimit, i cili i përket periudhës janar-shtator të këtij viti.
Raporti nuk përfshin dëmin prej 67 miliardë lekësh që KLSH ka raportuar për Marrëveshjen e Mirëkuptimit me CEZ, por përmban vetëm ato të konstatuara në terren nga shpërdorimi i buxhetit dhe shkelja e disiplinës financiare me ndikim negativ. Institucionet janë kontrolluar në 9 muajt e parë të këtij viti, por dëmi i zbuluar i përket periudhës 2013-2015, e cila përkon me ardhjen në pushtet të qeverisë së majtë.
Sipas raportit, dëmi prej 44 miliardë lekësh ndahet në parregullsi dhe shkelje financiare në të ardhurat apo shpenzimet e kryera, në masën 6,1 miliardë lekë, si dhe shkelje të disiplinës financiare me ndikim negativ në perfomancën e subjekteve të audituara, në masën 37,9 miliardë lekë.
Institucioni me abuzimet më të mëdha klasifikohet Autoriteti Rrugor Shqiptar, me mbi 60 milionë dollarë. Por ndër abuzuesit e mëdhenj renditen edhe Drejtoria e Tatimeve, Ministria e Shëndetësisë, si dhe Agjencia e Shoqërisë së Informacionit, një institucion në varësi të Kryeministrit Edi Rama.
Në 12 muaj gjatë 2015, KLSH ka kryer 174 auditime nga të cilat 158 janë të përfunduara. KLSH evidenton dy dëme të mëdha financiare. Kështu dëmi për parregullsi dhe shkelje financiare në të ardhurat dhe në shpenzimet e kryera shkon në shifrën totale 919.91 milionë euro. Ndërsa dëmi për shkelje të disiplinës financiare me ndikim negativ në performancën e subjekteve të audituara shkon në shumën totale 257.7 milionë euro. Problemet më të mëdha sipas KLSH konstatohen në sektorin e prokurimeve, kthimi i pronës, privatizimet dhe tatimet. Në sektorin e tatim-taksave shkeljet për vitin 2015 kanë shkaktuar një dëm ekonomik prej 92 mln eurosh. Në sektorin e doganave dëmi vlerësohet 31 milionë euro. Në fushën e prokurimeve sipas auditimit të KLSH dëmi vlerësohet 19 mln euro. Në fushën e shitjes dhe dhënies me qira të pasurive shtetërore shkeljet e konstatuara vlerësohen gjithsej në 733.4 mln euro. Kontrolli i Lartë i Shtetit i ka kushtuar një rëndësi të veçantë edhe abuzimeve korruptive për zgjidhjen me mirëkuptim të konfliktit me kompaninë CEZ. Në raportin e Kontrollit të Lartë i Shtetit thuhet se, Ministria e Energjisë dhe grupi i punës që negocioi dhe më pas arriti marrëveshjen për zgjidhje me mirëkuptim të konfliktit me kompaninë CEZ, ka mungesë transparence. “Nga auditimi rezultoi se, negociatat janë zhvilluar, në kushtet e mungesës së dokumentacionit të nevojshëm, përfshirë procesverbalet e mbledhjeve të grupit të punës, mbi bazën e të cilit të mund të evidentohej dhe gjykohej në lidhje me punën e bërë nga ana e grupit të negocimit”, thotë KLSH në Buletinin Vjetor të Kontrolleve për vitin 2015. Në marrëveshjen e arritur pas negociatave dypalëshe, shteti shqiptar hoqi dorë nga çdo pretendim ndaj CEZ dhe mori përsipër t’i paguante kompanisë çeke 95 milionë euro si dëmshpërblim edhe pse kompania ishte nën akuzë për abuzime dhe mosrespektim të kontratës së privatizimit. Konflikti mes Shqipërisë dhe CEZ kulmoi në janar të vitit 2013, kur Enti Rregullator i hoqi licencën kompanisë çeke për shkak të ndërprerjes së energjisë në ujësjellësat.
Dëshmia në Komisionin Hetimor e Leskajt për CEZ
Kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit, Bujar Leskaj ka raportuar dje në komisionin hetimor të ngritur për zgjidhjen e konfliktit mes operatorit çek të energjisë CEZ sha dhe qeverisë shqiptare.
Leskaj pohoi se grupi i punës që ishte ngritur për shqyrtimin e zgjidhjes së marrëveshjes nuk ka pasur asnjë strategji negocimi dhe nuk është zbatuar urdhri i Kryeministrit Rama, që e kishte cilësuar këtë çështje të një rëndësie të veçantë.
“Në raport është konstatuar se nga ana e grupit të punës nuk është përmbushur detyra e ngarkuar në pikat 1, 2 të urdhrit të Kryeministrit, numër 228, datë 02.12.2013, pra të Kryeministrit Rama, dalë në zbatim të VKM nr. 969, datë 25.10.2013, ku përcaktohet shprehimisht që çështja për të cilin ishte ngarkuar një grup pune, ishte e një rëndësie të veçantë për interesat e shtetit shqiptar dhe grupi i punë duhet të marrë të gjitha masat e duhura, që në bazë të rrethanave të konfliktit me shoqërinë CEZ as të përcaktojë strategjinë dhe platformën e negocimit”, tha Leskaj. Sipas vendimit, grupi i punës të merrte masa për përcaktimin e mënyrës së komunikimit ndërmjet palëve, administrimit të dokumentacionit të negociatave dhe konfidencialitetin e bisedimeve. Leskaj tha se e vërteta është se nuk është bërë asnjë nga këto kërkesa e urdhrit të Kryeministrit.
Grupi i punës, sipas tij e kishte për detyrë të zbatonte vendimin e Këshillit të Ministrave në pikat 1, 2 dhe 5, ku përcaktohet shprehimisht që grupi i punës të marrë të gjitha masat e duhura që në bazë të rrethanave të konfliktit me kompaninë CEZ as të përcaktojë strategjinë dhe platformën e negocimit, administrimit të dokumentacionit e negociatave, komunikimit ndërmjet palëve dhe konfidencialitetit e bisedimeve. “Nga ana e grupit të punës nuk është marrë asnjë masë dhe as që është përcaktuar ndonjë strategji negocimi. Nga ana e grupit të punës nuk është përcaktuar ndonjë mënyrë përfaqësimi, por vetëm është përcaktuar grupi negociator, me vendimi nr. 1 dhe vendimi 2 ka qenë përfundimtar. Nga grupi i punës nuk ka një vendimmarrje në lidhje me komunikimin ndërmjet palëve, nuk ka asnjë raport apo takim të dokumentuar nga ana e kryetarit të grupit të punës që anëtarët të jenë vënë në dijeni për miratimin”, tha Leskaj para deputetëve.
Ndërsa Gjykata e Lartë rrëzoi para pak ditësh kërkesën e KLSH për rihapjen e hetimeve për CEZ, Leskaj tha se në vendimin e pushimit të çështjes nga ana e prokurorit është shmangur totalisht trajtimi i raportit të ekspertit. “Nuk merret në analizë raporti i ekspertit mbi të cilin bazohet një pjesë e konsiderueshme e kallëzimit penal të KLSH-së. Në vendimin e pushimit lihen pa trajtuar një sërë çështjesh të ngritura në kallëzimin e KLSH përsa i përket kostove shtesë që shteti shqiptar mori përsipër të trajtonte”.