Kontrolli i Lartë i Shtetit e ka konsideruar absurditet faktin se koncesionari më i madh i naftës në vend, Bankers Petroleum, vijon të deklarohet me humbje edhe pas 12 vitesh aktivitet në Shqipëri.
Bankers parashikonte në planin e zhvillimit fillestar që në vitin 2009 të kishte të ardhura më të larta se shpenzimet (R>1), pastaj me ndryshimet e mëvonshme e shtyu këtë parashikim (R>1) për në vitin 2012 dhe aktualisht, edhe pas 12 vitesh pune vazhdon të jetë me humbje (R<1, pasi të ardhurat nuk mbulojnë kostot). “Në këtë drejtim, është pa kuptim teorik dhe praktik, ekonomik dhe financiar, madje do të thoshim absurde, që të flitet për performancë private dhe publike në sektorin e naftës në Shqipëri”, shprehet KLSH.
Më tej, sqaron KLSH, guri i themelit në krijimin e kostove hidrokarbure të fryra nga ana e kontraktorit dhe pamundësia e shtetit shqiptar për mosnjohjen dhe zbritjen e tyre, është përcaktimi evaziv i tyre në marrëveshje dhe konkretisht si: “… të gjitha shpenzimet e mbartura dhe të kryera nga kontraktori në ose në lidhje me kryerjen e operacioneve hidrokarbure në përputhje me këtë marrëveshje”.
KLSH vë në dukje se, konfidencialiteti mbi këtë marrëveshje në të gjitha përmasat e saj, jo vetëm që mbulon me mister veprimet e kontraktorit, por nuk është transparente para publikut për të njohur dhe për t’i bërë të ditur se si dhe sa po shfrytëzohen pasuritë kombëtare nëntokësore, duke rritur përgjegjësinë dhe llogaridhënien e qeverive përballë taksapaguesve.
Marrëveshja nuk përcakton shkallën e nënkontraktimit të punëve, mallrave dhe shërbimeve, duke rritur kështu jo vetëm kostot, por duke krijuar një situatë kontradiktore, sepse ndërsa nënkontraktorët raportojnë fitime të majme nga kryerja e këtyre shërbimeve apo investimeve, vetë kontraktori vazhdon të raportojë humbje.
Megjithëse plani i zhvillimit në frymën e kësaj marrëveshjeje përcakton “shinat” nga dhe si duhet ta ketë ecurinë e saj 25-vjeçare, plani nuk vë kusht përputhjen ose shkallën e mospërputhjes me programet e punës dhe buxhetet vjetore.
Mbulimi i plotë i kostove hidrokarbure me të ardhurat nga nafta e disponueshme e bën këtë marrëveshje shumë të ndjeshme ndaj vitit në të cilin parashikohet (kuptohet me mbartje risku) që të rritet pjesa e Albpetrolit nga 1% në 3%, si dhe ndarja e fitimit në raportin 50% me 50%.
Institucioni më i lartë i kontrollit në vend ka bërë fajtorë për këtë situatë institucionet shqiptare.
Edhe për auditet mbi deklaratat e llogarisë “Kosto”, Albpetroli nuk ka rol urdhërues, por këshillues, pa përcaktuar afate për procedura dhe dokumentacion të auditimit (projekt-raport, raport, afate observimi, etj.)
Ka një dublim dhe paqartësi midis të drejtave që i lindin Albpetrol Sh.A. mbi bazën e marrëveshjes dhe AKBN mbi bazën e licencë-marrëveshjes dhe marrëveshjes.
KLSH kërkon nga Ministria e Energjetikës që brenda tremujorit të parë të rishikojë rregulloren e brendshme të funksionimit, me qëllim që Drejtorisë së Politikave dhe Zhvillimit të Hidrokarbureve t’i vendosë si detyra prioritare ndjekjen e zbatimit të marrëveshjeve hidrokarbure të nxjerrjes së naftës dhe gazit, nëpërmjet bashkërendimit të veprimtarisë me AKBN dhe Albpetrol në terma realë.