Kreu i KLSH-së, Bujar Leskaj e quan të padrejtë vendimin e Prokurorisë për pushimin e hetimeve për ministrin e Energjisë, Damian Gjiknuri dhe Avokates së Shtetit, Alma Hiçka lidhur me dosjen e CEZ. Dje është mbledhur Komisioni Hetimor “Për të kontrolluar zbatimin e legjislacionit në fuqi dhe mbrojtjes së interesave financiarë të shtetit shqiptar, si dhe procedurave dhe rrethanave të nënshkrimit të marrëveshjes për zgjidhjen me mirëkuptim ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe shoqërisë “CEZ, a. s.” . Kreu i KLSH-së gjatë raportimit tha se institucioni që ai drejton ka paraqitur në Gjykatën e Lartë ankimimin, duke kërkuar vazhdimin e mëtejshëm të hetimeve.
“Dëmi i shkaktuar ishte i rëndë, kjo na detyroi të depozitojmë në Prokurorinë e Përgjithshme kallzimin penal të datës 12.10. 2015 së bashku me materialet e tjera ndaj Damian Gjiknurit në cilësinë e kryetarit të grupit të punës dhe Alma Hicka, Avokate e Shtetit me akuzën e “shpërdorimit të detyrës”. Dua t’i bëj me dije këtij komisioni se më datën 28. 7 2016 Prokuroria e Përgjithshme përcolli në KLSH vendimin e pushimit të procedimit penal të datës 06.06 2016. Nga shqyrtimi i këtij vendimi kemi arritur në përfundimin që nga ana e prokurorit të çështjes nuk janë zhvilluar si duhet hetimet në lidhje me fakte, çështje dhe pretendime të ngritura në kallëzimin penal të KLSH-së. Mjafton të citojmë një dhe më të rëndësishmin: Në vendimin e pushimit të çështjes u shmang totalisht trajtimi i raportit të ekspertit BDO. Duke e konsideruar këtë vendim të padrejtë dhe jo në përputhje me ligjin ne ankimuam në Gjykatën e Lartë, datë 04.08. 2016, duke kërkuar vazhdimin e mëtejshëm të hetimeve”, tha Leskaj.
Sipas Leskajt gabimet që janë bërë në vendimin e pushimit. “Keqintepretohet fushë veprimi i Ligjit 84 80 për funksionimin e organeve kolegjiale, duke shmangur përgjegjësinë e grupit të punës. Nuk merret në analizë raporti i ekspertit BDO, ku konstatohet një pjesë e konsiderueshme e kallzimit penal të KLSH-së. Në vendimin e pushimit lihen pa trajtuar një sërë çështjesh sa i takon detyrimeve të përfshira në marrëveshjen për zgjidhjen me mirëkuptim dhe kostove shtesë që shteti shqiptar mori përsipër t’i paguante padrejtësisht dhe detyrimeve apo pretendimeve të përfshira në marrëveshje”.
“Avokati i Shtetit si titullar i institucionit i ngarkuar me nënshkrimin e marrëveshjes. ka pasur detyrimin jo vetëm të mos nënshkruante një marrëveshje tërësisht të disfavorshme dhe në shpërfillje të plotë të pretendimeve dhe interesave të shtetit shqiptar, por edhe të paralajmëronte dhe informonte jo vetëm anëtarët e grupit të punës, por dhe institucionet e tjera të shtetit si Këshillin e Ministrave dhe Kuvendin në lidhje me të gjithë përcaktimet në marrëveshje ku qartazi rrezikoheshin interesat e shtetit shqiptar. Nuk ekziston asnjë dokument që e ka bërë. S’u morën në konsideratë opinionet e dy ekspertëve dhe konsulentit ligjor ndërkombëtar Deroi Garavi, për konsulencën e të cilëve shteti shqiptar pagoi 1.5 milionë euro. Madje raporti i konsulentit të BDO-së nuk është konsultuar as nga anëtarët e grupit të punës”. Gjiknuri dhe Hiçka u paditën në Prokurori nga Kontrolli i Lartë i Shtetit me akuzën se me negociatat për zgjidhjen me mirëkuptim të mosmarrëveshjeve me kompaninë çeke, CEZ i shkaktuan shtetit shqiptar një dëm prej 479 milionë eurosh.
Tetorin e vitit të kaluar, Kontrolli i Lartë i Shtetit përmes një letre i ka kërkuar kryetarit të Kuvendit, Ilir Meta dhe kryetarëve të grupeve parlamentare që të ngrenë një komision ad hoc me ekspertë për të hetuar mënyrën si u mbyll çështja CEZ nga qeveria shqiptare. Institucioni i drejtuar nga Bujar Leskaj ka kërkuar gjithashtu të raportojnë përpara Kuvendit për gjetjet e auditimit të bërë nga KLSH, duke refuzuar t’i përgjigjet akuzave politike dhe duke mundësuar të hedhin poshtë pretendimin se kallëzimi ndaj Gjiknurit dhe Hickës ishte i njëanshëm. KLSH kërkoi ngritjen e një komisioni ad hoc të pavarur me ekspertë teknikë dhe ekonomikë, të cilët do të të vlerësonin realisht dhe me saktësi dëmin nga aktiviteti nën administrimin e CEZ a.s., duke përcaktuar në çdo rast përgjegjësitë individuale dhe institucionale për të gjithë aktorët që lejuan këtë situatë. Gjithashtu, KLSH rekomandoi që auditimi i shoqërisë në vijimësi të bëhet nga një auditues i përcaktuar nga Kuvendi, duke shtuar edhe detyrimin që të raportojë në një seancë publike për konkluzionet që denoncuan një abuzim galopant prej 479 milionë eurosh.
Demi i shkaktuar shtetit
Shtetit shqiptar i është shkaktuar një dëm ekonomik i përllogaritur minimalisht në vlerën e 479 milionë eurove, të cilën KLSH e ka ndarë në tre grupe:
-95 milionë euro totali i huave
-352 milionë euro diferenca mes detyrimeve afatshkurtra dhe detyrimeve të pranuara
-32 milionë euro zvogëlimi në vlerë, zhvleftësimi i aksioneve të shtetit shqiptar.
Konsulenti u pagua 1. 5 milionë euro, por s’iu lexua raporti
Abuzimet korruptive për zgjidhjen me mirëkuptim të konfliktit me kompaninë CEZ
Kontrolli i Lartë i Shtetit i kushtoi një rëndësi të veçantë abuzimeve korruptive për zgjidhjen me mirëkuptim të konfliktit me kompaninë CEZ. Në raportin e Kontrollit të Lartë i Shtetit thuhet se, Ministrinë e Energjisë dhe grupin e punës që negocioi dhe më pas arriti marrëveshjen për zgjidhje me mirëkuptim të konfliktit me kompaninë CEZ, për mungesë transparence.
“Nga auditimi rezultoi se, negociatat janë zhvilluar, në kushtet e mungesës së dokumentacionit të nevojshëm, përfshirë procesverbalet e mbledhjeve të grupit të punës, mbi bazën e të cilit të mund të evidentohej dhe gjykohej në lidhje me punën e bërë nga ana e grupit të negocimit”, thotë KLSH në Buletinin Vjetor të Kontrolleve për vitin 2015. Në marrëveshjen e arritur pas negociatave dypalëshe, shteti shqiptar hoqi dorë nga çdo pretendim ndaj CEZ dhe mori përsipër t’i paguante kompanisë çeke 95 milionë euro si dëmshpërblim edhe pse kompania ishte nën akuzë për abuzime dhe mosrespektim të kontratës së privatizimit. Konflikti mes Shqipërisë dhe CEZ kulmoi në janar të vitit 2013, kur Enti Rregullator i hoqi licencën kompanisë çeke për shkak të ndërprerjes së energjisë në ujësjellësat. Pas heqjes së licencës, CEZ e paditi Shqipërinë në arbitrazh. Qeveria e atëhershme kontraktoi një studio të njohur avokatore për të përgatitur mbrojtjen e Shqipërisë në arbitrazh, por pas rrotacionit, me ardhjen në pushtet të qeverisë së majtë konflikti mori një tjetër drejtim. Menjëherë sapo erdhi në pushtet, qeveria e majtë ngriti një grup të posaçëm pune për të negociuar marrëveshjen me CEZ. Në krye të grupit u vendos ministri i Energjisë, Damian Gjiknuri, por në përbërje të tij kishte përfaqësues të Kryeministrisë, Ministrisë së Financave, Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes dhe Avokaturës së Shtetit. Sipas KLSH, asnjë nga mbledhjet e grupit nuk është e dokumentuar dhe mungesa e këtij dokumentacioni e bën të pamundur vlerësimin se si ky grup, ka mbrojtur interesat e shtetit shqiptar. “Në mungesë të dokumentacionit është e pamundur të vlerësohen argumentat dhe kundër argumentat e dhëna për pranimin apo refuzimin e pretendimeve të CEZ a.s nga ky grup si dhe qëndrimin karshi pretendimeve të mëparshme të shtetit shqiptar, analizën e provave, dokumentacionit dhe ekspertizës së dhënë nga ekspertët e huaj të kontraktuar”, thotë KLSH.
Pas analizës së informacioneve dytësore, Kontrolli i Lartë i Shtetit ka dalë në përfundimin se me nënshkrimin e kësaj Marrëveshjeje Mirëkuptimi, shtetit shqiptar i është shkaktuar një dëm ekonomik në vlerën 479 milionë euro. Ky dëm, sipas KLSH, është pasojë direkte e veprimtarisë dhe vendimmarrjes së vetë Grupit të Punës. “Është ky grup, i cili i ka relatuar Këshillit të Ministrave dhe Kuvendit të Shqipërisë miratimin e kësaj marrëveshjeje, duke u dakordësuar për pagesën e huave në shumën 95 milionë eurosh (hua të pa verifikuara), pagesë që nga ana tjetër shërbeu që shteti të marrë përsipër detyrimet e një keqmenaxhimi disa vjeçar prej 384 milionë euro të një shoqërie që u drejtua drejt falimentimit me një qëllim të verifikuar”, përfundon KLSH.