KLSH kallëzon 4 drejtorë bashkie, shkaktuan 38 milionë lekë dëm me tenderat

KLSH ka kallëzuar në Prokurori katër drejtorë të Bashkisë Roskovec dhe dy përgjegjës sektori. Zyrtarët e Bashkisë së Roskovecit akuzohen se i kanë shkaktuar shtetit një dëm ekonomik prej 38.2 milionë lekësh. Shkeljet dhe parregullsitë në dispozitat ligjore në fuqi në fushën e prokurimit publik, në hartimin e kritereve për pjesëmarrjen në procedurat e prokurimit dhe vlerësimin e ofertave ekonomike, duke vepruar me dy standarde vlerësimi, janë konstatuar pas një auditimit të bërë. Shkeljet janë evidentuar sipas KLSH në 6 procedura prokurimi: “Përmirësimi i kushteve të banimit për komunitetin rom/egjiptian”; “Rikonstruksion i shkollës Kuman, për t’u përdorur për zyra”; “Ndërtim i kanalizimeve të ujërave të zeza fshati Strum, Bashkia Roskovec”; “Ndërtim trotuari i rrugës së fshatit Velmisht”; “Projekti zhvillimor i qendrës Kuman” dhe “Ndriçimi i rrugëve: Loti I, ndriçim i rrugës Bushi Kola dhe Loti II – Ndriçimi i rrugës së Kurjanit”. Është shkaktuar një dëm ekonomik në vlerën prej 2,380,746 lekësh pa TVSH, për skualifikimin e padrejtë të operatorit ekonomik me ofertë me vlerë më të ulët, në kushtet kur operatori ekonomik ka plotësuar kërkesat e dokumenteve standarde të tenderimit; Janë kryer veprime me efekt negativ në buxhetin e shtetit për diferenca të ofertave në vlerën 4,047,807 lekë pa TVSH, shkaktuar nga vendosja e kritereve të gabuara dhe jo sipas objektit të prokurimit, me pasojë skualifikimin e operatorit ekonomik me vlerë më të ulët dhe shpalljen fitues të operatorit ekonomik me ofertë më të lartë; Kanë kërkuar kategori të licencave me klasifikim më të lartë se volumi i punimeve apo kategori licence që nuk lidhen me objektin e prokurimit; Kanë kërkuar një numër të konsiderueshëm fuqie punëtore të paargumentuar me volum pune; Kanë përcaktuar dhe evidentuar markën e materialeve, duke kufizuar numrin e shoqërive pjesëmarrëse në prokurim, në kundërshtim me Ligjin nr. 9643, datë 20.11.2006 “Për Prokurimin Publik” i ndryshuar dhe me VKM nr. 914, datë 29.12.2014 “Për Rregullat e Prokurimit Publik”, me VKM nr. 312, datë 05.05.2010, “Për miratimin e rregullores ‘Për sigurinë në kantier’, si dhe të neneve 8 dhe 18 të Ligjit nr. 8402, datë 10.9.1998 ‘Për kontrollin e disiplinimin e punimeve në ndërtim’”, të ndryshuar. Për këto shkelje dhe për të tjera, KLSH ka kryer pranë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Fier, me shkresën nr. 257/16 datë 20.07.2017 kallëzim penal ndaj E.M., me detyrë drejtore Juridike, në cilësinë e anëtares së njësisë së hartimit të dokumenteve të tenderit (NJHDT), M.C., me detyrë ish-përgjegjëse e sektorit të financës, aktualisht specialiste finance, në cilësinë e anëtares së NJHDT, E.K., me detyrë ish-specialist topograf, në cilësinë e anëtarit të NJHDT, F.P., me detyrë ish-përgjegjës i Sektorit të Ndërtimeve, në cilësinë e anëtarit të NJHDT, S.C., me detyrë drejtor Ekonomik në cilësinë e kryetarit të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave (KVO), E.T., me detyrë ish-drejtor i Planifikimit dhe Zhvillimit të Territorit, në cilësinë e anëtarit të KVO dhe A.D., me detyrë drejtor i Shërbimeve në cilësinë e anëtarit të KVO, për konsumimin e elementëve të veprave penale “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tender apo ankande publike” dhe “Shpërdorimit të detyrës” parashikuar nga nenet 258 dhe 248, të Kodit Penal. KLSH, me qëllim përmirësimin e situatës i ka rekomanduar Bashkinë Roskovec masa me karakter organizativ në lidhje me eliminimin e praktikave që kanë sjellë impakt negativ në buxhet, kryesisht në fushën e tatim taksave, në vlerën 293 milion lekë.

Artikulli paraprakDule: Qeveria Rama represion në Himarë, gjoba selektive ndaj bizneseve
Artikulli tjetërTaksa e re, sa do paguajmë më shumë për banesat tona