KLSH: Mungojnë 325 milionë USD nga të ardhurat më 2016

Kontrolli i Lartë i Shtetit konfirmon dështimin spektakolar të qeverisë Rama në realizimin e buxhetit të shtetit për vitin 2016. 325 milionë dollarë më pak në arkën e shtetit është bilanci tashmë i konfirmuar nga ekspertët e KLSH-¬së.
“Civitas.al” ka arritur të sigurojë draft¬raportin e KLSH¬-së “Mbi zbatimin e buxhetit për vitin 2016″, i hartuar pas auditimit disa mujor në Ministrinë e Financave.
Siç shihet edhe nga të dhënat zyrtare të përfshira në raport, të ardhurat u planifikuan në vlerën 443 miliardë lekë, ndërkohë që ato janë realizuar në masën 407 miliardë lekë, pra 36 miliardë lekë më pak (325 milionë $).
Mosrealizimi i të ardhurave ka sjellë në mënyrë të pashmangshme edhe mosrealizimin e shpenzimeve. Shpenzimet u planifikuan në vlerën 483, 8 miliardë lekë, ndërkohë që janë realizuar në masën 433,7 miliardë lekë.
Siç konfirmohet edhe nga raporti, qeveria në mes të vitit të kaluar, përmes një akti normativ, ka rishikuar me ulje si realizimin e planit të të ardhurave ashtu edhe atë të shpenzimeve. Por sërish plani i të ardhurave dhe shpenzimeve nuk është realizuar.
Impaktin më të madh në këtë rënie e ka pasur mosrealizimi i të ardhurave nga tatimet.
Mosrealizimi i të ardhurave, në një një klimë taksash të rritura nga ana e qeverisë socialiste, dëshmon më së miri lulëzimin e ekonomisë informale dhe evazionit fiskal, sidomos në tatime.
Nga ana tjetër, mosrealizimi i shpenzimeve ka efekt direkt në rënien ekonomike në vend, uljen e investimeve, rritjen e problemeve sociale në vend dhe varfërisë.
Një tjetër element i paneglizhueshëm është edhe paaftësia e qeverisë në hartimin dhe realizimin e planit të të ardhurave dhe shpenzimeve. Në projekt¬raportin e KLSH-¬së thuhet qartë se, “Kjo situatë reflekton një programim jo realist ku programimi i të ardhurave mbetet pika më e dobët dhe që ndikon edhe në ndryshimin e shpenzimeve.
Nisur nga kjo praktikë që vijon prej vitesh, ku kuadri makroekonomik dhe fiskal i përshtatet ndryshimeve të nevojshme buxhetore gjykojmë se ai e humb rolin e të qenit mjet strategjik dhe pikë reference për Programimin Buxhetor Afatmesëm dhe vjetor.
Kjo mangësi vijon edhe për shkak të mungesës së Këshillit Fiskal, një organi të pavarur që do të përfshihej në realizimin e parashikimeve makroekonomike të sakta, të besueshme dhe të pacenueshme, duke ndikuar kështu në cilësinë e planit buxhetor afatmesëm dhe vjetor, si dhe në mbikëqyrjen e përputhshmërinë me rregullat fiskale aq të nevojshme për të siguruar stabilitetin fiskal”.

Civitas.al

Artikulli paraprakÇfarë fshihet pas lojës me radarët
Artikulli tjetërUdhëheqësja e Mianmarit i shmanget kritikave në OKB