KLSH: Qeveria manipulon shifrat, borxhi publik në 2017 më i lartë

Qeveria duket se po fsheh sërish shifrat e borxhit publik. Të dhënat e raportit të KLSH-së të vitit 2017, detyrimet e papaguara ndaj farmacistëve, mosrimbursimi i TVSH për eksportuesit si dhe projektet e famshme të PPP, ngrenë dyshime të forta se borxhi publik është jashtë shifrave që raporton qeveria. Sapo mori çelësat e arkës së shtetit në 2013 kryeministri Edi Rama deklaroi me të madhe gropën buxhetore prej 720 mld euro të trashëguar nga qeveria e mëparshme.
Sipas Ramës, ky borxh financiar lidhej me detyrimet e prapambetura nga qeveria paraardhëse. Rama do ta kujtonte këtë shifër edhe disa vite më vonë duke deklaruar se qeveria e tij kishte shmangur një katastrofë financiare.
“Në tetorin e 2013 kemi shmangur rënien nga humnera e një katastrofe financiare.Gjetëm një borxh i cili deri në atë moment ishte mbajtur i fshehur, 720 milionë euro në formën e detyrimeve të prapembetura” (Citim Rama 12.11.2016)
Edhe në relacionin e buxhetit të vitit 2019 të ministrisë së Financave theksohet se qeveria arriti të shlyente të gjitha detyrimet e prapambetura të raportuara për dy vjecarin 2014-2015.
“Një nga çështjet problematike në sistemin tonë buxhetor, u vërtetua se ishte akumulimi i detyrimeve të prapambetura të krijuara përpara vitit 2014. Qeveria jo vetëm e adresoi me prioritet çështjen e shlyerjes së tyre, por u arrrit që brenda dy viteve (2014-2015) të shlyen të gjitha detyrimet e prapambetura të raportuara, në vlerën 67 miliardë lekë.” (Citim relacioni buxhetit 2019)
Sipas statistikave të qeverisë, borxhi publik në 2015 rezultonte në 73% të PBB. Një vit më pas qeveria deklaroi se ai u ul me 72.3% të PBB dhe në 2017 për herë të parë që nga 2013 borxhi u ul nën 70% të PBB duke arritur në 69.9% të PBB.

Por çfarë ka ndodhur në të vërtetë me borxhin publik në Shqipëri? Kontrolli i Lartë i Shtetit në raportin e vitit 2017 konstatoi se shifrat e deklaruara nga qeveria nuk përputhen me realitetin e financave të vendit. Madje KLSH në raportin e saj thekson fort se borxhi publik po manipulohet dhe është më i lartë se ai që deklaron qeveria. Kështu sipas KLSH, janë të paktën 19 mld lekë detyrime të papaguara që i shtohen borxhit publik.
“Vlera prej 19 miliard lekësh përbën shtesë të borxhit të shtetit ndaj të tretëve, për shlyerjen e të cilit, megjithëse është konstatuar detyrimi, nuk është marrë borxh. Nëse për financimin e këtyre pagesave do të ishte marrë borxh, stoku i borxhit publik të raportuar, nga 1,088 miliard lekë do të ishte në rreth 1,104 miliard lekë, i cili në raport me PBB-në do të jepte një tregues të borxhit në nivelin mbi 71%. Nëse marrim në konsideratë edhe shlyerjen e stokut të rimbursimit të TVSH-së në vlerë 11 miliardë lekë, borxhi publik do të jepte një tregues në nivelin 72% të PBB. (Citim raporti i KLSH)
Por nuk janë vetëm këto detyrime që fshihen në tabelën e borxhit të qeverisë Rama. Nëse shifrave të Kontrollit të Lartë të Shtetit do ti shtojmë edhe 1 mld dollarë të partneritetit publik privat të projektit të shpallur në vitin 2017 që qeveria nuk I ka parashikuar si borxh atëherë borxhi publik kapërcen 80% të PBB, duke na renditur si vendi me borxhin më të lartë në rajon. Qeveria propagandon që 1 miliard dollarët në PPP nuk përfshihen si borxh por në të vërtet ato janë detyrime që do të shlyhen me taksat dhe kursimet e qytetarëve.
Krahas borxhit të fshehur qeveria Rama rezulton të ketë qenë edhe e paaftë të ri-investojë edhe paratë e marra hua. Në 5 vite të dhënat e certifikuara nga qeveria janë marrë hua 202 mld lekë, ndërkohë që ekonomia u rrit me 205 mld lekë, pra me vetëm 3 mld. Kjo shifër 3 mld lekë tregon se ose ekonomia nuk ka pasur aktivitet privat dhe vendi ka qenë në një krizë të thellë ose paratë që merr borxh qeveria janë investuar në projekte jo produktive të cilat nuk arrijnë të shlyejnë as veten e jo më të nxisin zhvillimin e ekonomisë. Një gjë është e sigurt nga 720 mln euro borxh që thërriste kryeministri Rama në 2013 qeveria e tij ka shlyer 480 mln euro ose vetëm pak më shumë se gjysmën e detyrimeve të prapambetura.

Artikulli paraprakOpozita në protestë, Spaho: Nuk luftojmë për pushtetin tonë, por për të ardhmen e vendit
Artikulli tjetërEksodi i shqiptarëve/ Berisha takohet me zyrtarë të Bankës Botërore