KLSH: Shpenzimet për shërbimet spitalore më të mëdha se kostot

Kontrolli i Lartë i Shtetit ka evidentuar në raportin për vitin 2017 situatën lidhur me shërbimin shëndetësor, që marrin sot qytetarët shqiptarë. KLSH konstaton se shpenzimet për shërbimet spitalore janë më të larta sesa kostot e tyre.
“Sistemi aktual i vlerësimit të kostove për shërbimet spitalore është një vlerësim që mbart shpenzime të tepërta dhe nuk reflekton kostot e vërteta, duke orientuar kërkesat e institucioneve shëndetësore spitalore drejt vlerësimit të shpenzimeve dhe jo sipas kostove të tyre. Mungesa e specialiteteve pranë shërbimeve në spitalet rajonale dhe bashkiake, si dhe mungesa e performancës së shërbimit parësor ka krijuar rritjen e kostove dhe përqendrimin e pacientëve në qendrën më të madhe universitare QSUT. Implementimi i paketave shëndetësore përbën një nismë të mirë për miratimin e protokolleve për këto paketa, por mënyra e vlerësimit financiar të tyre bie ndesh me ligjin e prokurimeve publike, duke rritur kostot e këtyre shërbimeve shëndetësore”, theksohet në raportin e KLSH-së.

Më tej, Kontrolli i Lartë i Shtetit rekomandon Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale së bashku me Fondin edhe QSUT që të angazhohen në hartimin dhe implementimin e protokolleve klinike për të gjitha shërbimet spitalore, duke pasur si orientim modelin DRG dhe klasifikimin më të fundit ndërkombëtar të sëmundjeve ICD-10. “Riorganizimi i hartës së spitaleve mbi bazën e treguesve të performancës së shërbimit spitalor përbën një kusht të nevojshëm dhe të domosdoshëm për uljen e kostove të tepërta për sistemin shëndetësor. Premisat e krijimit të një tregu shëndetësor do të çonte në ekuilibrin e kërkesë – ofertës, duke rritur eficiencën, cilësinë e shërbimeve nga ofruesit e kujdesit shëndetësor për pacientë”, vë në dukje KLSH.
Në finale, ajo që duket se mungon nuk janë paratë, por menaxhimi dhe mungesa e një vizioni dhe filozofie të qartë: kush paguan, duhet të shërbehet. Në të kundërt, rrezikohemi nga kultura e mospagimit. Në fund të fundit, tek privati do të përfundojmë!

Artikulli paraprakDe Gea shpëton Manchesterin
Artikulli tjetërFranca masa të ashpra për emigracionin, kryesojnë azilkërkuesit shqiptarë