“Efektiviteti i Programeve Sociale të Strehimit”
KLSH përfundoi auditimin e performancës me temë “Efektiviteti i Programeve Sociale të Strehimit” të ushtruar në bashkitë Tiranë, Korçë, Shkodër, Vlorë dhe Ministrinë e Financave e Ekonomisë; auditim ky i miratuar nga Kryetari me Vendimin nr. 11 datë 22.07.2019.
Duke marrë parasysh faktorët e ndryshëm socialë dhe ekonomikë, përfshirë luhatjet financiare, nga shumatorja e përvojave europiane mbi banesat sociale, janë sintetizuar dy modele kryesore[1]:
Vendet me traditë të gjatë në programet sociale të strehimit kanë zhvilluar mekanizma inovativë, duke krijuar bashkëpunim me sektorin privat, me qëllim strehimin e më të varfërve;
Vendet me traditë modeste në programet sociale të strehimit , ku fondet publike janë edhe më të kufizuar, janë angazhuar drejt shtresave më nevojtare.
Në rastin e Shqipërisë, skema e banesave sociale është një ndërthurje mes modelit të kategorizimit të shtresave dhe modelit të kompensimit.
Blerja e një banesë në Shqipëri në raport me të ardhurat, përfshirë mesataren e pagave, është plotësisht e papërballueshme dhe në kontekstin e strehimit social, përbën riskun madhor të rritjes të kontingjentit të të pastrehëve.
Pikërisht, kuadri rregullator dhe analizat e bëra në këtë drejtim, nuk marrin parasysh faktorin “përballueshmëri” të banesave, por edhe problematika të tjera që shoqërojnë strehimin në Shqipëri, të cilat janë evidentuar nga organizata ndërkombëtare. P.sh. sipas anketës së realizuar nga Eurofound, Shqipëria renditet e fundit në Europë për nga mungesa e hapësirës së banesës. Krahasuar me mesataren europiane, ku vetëm 17% e të anketuarave janë shprehur se kanë hapësira të pamjaftueshme në banesat e tyre, në Shqipëri rreth 43% e të anketuarve janë përgjigjur se kanë probleme me mungesën e hapësirës.
Nga auditimi rezulton se, programet sociale të strehimit nuk janë zbatuar plotësisht si politika sociale, duke adresuar vetëm raste individuale, por jo fenomenin social të të pastrehëve, duke mos luajtur një rol proaktiv në zbutjen deri në eliminimin e këtij fenomeni. Mungojnë regjistri kombëtar mbi numrin e të pastrehëve dhe investimet në banesa sociale, stoku i të cilave është inekzistent në shumicën e bashkive dhe i pamjaftueshëm në disa të tjera.
Aksesi në programet sociale është mjaft i kufizuar. Bashkitë stepen në ofrimin e një informacioni të plotë për qytetarët nga risku i dyndjeve të papërballueshme në skemën e strehimit social.
Ligji i ri Nr. 22/2018 “Për strehimin social”, ndonëse ndjek modele të mira europiane, rrezikon të mos ofrojë një zgjidhje reale për zbatimin e plotë të programeve sociale të strehimit, pasi shtrihet përtej asaj që përballojnë kapacitetet e bashkive. Në kushtet kur burimet financiare në dispozicion për skemën e mëparshme të strehimit me 3 programe janë të kufizuara, dinamika që ofron ligji i ri për zbatimin e një skeme strehimi me 5 programe rrit nivelin e riskut në arritjen e objektivave të këtyre programeve.
Më konkretisht, nisur nga fakti se legjislacioni i vjetër ka qenë shterues në programet sociale të strehimit, burimi i mosfunksionimit të plotë të tyre nuk ka qenë baza ligjore, por moszbatimi i vet ligjit.
Në mënyrë të sintetizuar, problematikat kryesore të konstatuara nga ky auditim performance janë:
Përcaktimi i objektivave nga Qeverisja Qendrore dhe Njësitë e Qeverisjes Vendore për strehimin social, përtej kapaciteteve financiare dhe njerëzore të bashkive;
Mungesa e një statistike reale mbi numrin e të pastrehëve;
Mungesa e një strukture të konsoliduar dedikuar çështjeve të strehimit në shumicën e bashkive;
Kapacitete njerëzore të pamjaftueshme të bashkive për të përthithur dhe ushtruar në mënyrë të plotë kompetencat e ligjit;
Pozicionimi i strehimit në periferi të polikë-bërjes dhe politikë-zbatimit, si nga bashkitë ashtu edhe nga strukturat qendrore;
Zbatimi i plotë dhe efektiv i programeve sociale të strehimit has vështirësi, pasi realizohet pa patur të përcaktuar, bazën e formulës së përfitimit, që janë të ardhurat mesatare në rang kombëtar dhe vendor. INSTAT-i nuk disponon të dhëna se cilat janë të ardhurat mesatare dhe mungesa e këtij elementi pengon zbatimin e plotë të programeve sociale të strehimit.
Në lidhje me zbatimin e ligjit të ri, është i rëndësishëm angazhimi të bashkive për t’u kërkuar subjekteve private dorëzimin e 3% të sipërfaqes së ndërtimit, për rastet kur është mbi 2000m2, sipërfaqe që do të shkojë në favor të programeve sociale të strehimit.
Gjatë 10 viteve të fundit asnjë bashki nuk ka ndërtuar vet banesa sociale apo të ketë blerë nga tregu për t’i ofruar si banesë me kosto të ulët. Për më tepër, ky funksion social i bashkisë s’është i inkuadruar as në planifikimet urbane apo planet e detajuara vendore, për ndërtimin e banesave sociale, për të përfshirë konceptin e Zonave me Interes Social.
Është planifikuar i njëjti nivel shpenzimesh për të gjithë periudhën 2018- 2020. Buxheti për strehimin është 550 milion lekë për çdo vit përgjatë kësaj periudhe. Në vitin 2017, 2018 buxheti për strehimin financuar nga QQ ka qenë me rritje krahasuar me vitet e mëparshme, përkatësisht 13 dhe 10%. Fondet e alokuara nuk arrijnë të mbulojnë nevojat financiare për programet sociale të strehimit sipas strategjisë së strehimit social.
Në Vendimin e Kryetarit të KLSh-së për auditimin e performancës “Efektiviteti i Programeve Sociale të Strehimit” janë dhënë 38 rekomandime për organet e qeverisjes qendrore dhe vendore të cilat adresojnë eliminimin e mangësive dhe përmirësimin në të ardhmen të sistemit të strehimit social në vendin tone.
Shënim. Në web-in e KLSH gjendet i plotë Vendimi nr. 11, datë 22.07.2019 i Kryetarit të KLSH-së, në lidhje me këtë auditim.