Kontrolli i Lartë të Shtetit, në zbatim të programit të tij të auditimit nr. 1104/1 prot, datë 01.12.2015, ka përfunduar auditimin në Bashkinë Berat, me objekt: “Auditimi i zbatimit të ligjshmërisë dhe rregullshmërisë financiare për periudhën 01.01.2014-31.12.2015”.
Me vendimin nr. 52, datë 14.05.2016 të kryetarit të KLSH-së, është miratuar raporti përfundimtar i auditimit dhe për përmirësimin e gjendjes, me shkresë nr. 1104/9, datë 14.05.2016 i janë rekomanduar Bashkisë Berat masa me karakter organizativ dhe shpërblimin e dëmit të shkaktuar në vlerën totale 55,828 mijë lekë.
Gjatë auditimit u konstatuan shkelje dhe parregullsi të dispozitave ligjore në fuqi në fushën e zbatimit të procedurave të prokurimit publik lidhur me përcaktimin e kritereve për kualifikim, si dhe vlerësimin e ofertave ekonomike dhe konkretisht:
– Në 8 procedura prokurimi, kërkesat e veçanta për kualifikim, janë të paargumentuara duke kërkuar që operatorët ekonomikë (OE) të disponojnë nivele të kategorisë së licencës për punime më të larta se volumet e punimeve të vetë objektit, po ashtu dhe numër të punonjësve, pasi niveli i punimeve që do të kryhen për çdo kategori punimi dhe numri i punonjësve nuk përputhet me volumet e punës, veprim në papajtueshmëri me nenet 8 e 18 të Ligjit nr. 8402, datë 10.9.1998 “Për kontrollin dhe disiplinimin e punimeve të ndërtimit”, të ndryshuar dhe nenin 61 të VKM nr. 914, datë 29.12.2014, “Për miratimin e rregullave të prokurimit publik”.
– Në 4 procedura prokurimi, për “Blerje ushqime për nevoja të furnizimit QEA (Konviktet, kopshte & çerdhe)”, nuk ka dokumentacion ku të jetë përcaktuar numri i nxënësve që përfitojnë bursë (ushqim e fjetje) dhe frekuentimi, nuk ka analizë kosto të mallrave dhe specifikime teknike të mallrave, punëve dhe shërbimeve përkatëse. Nuk kanë përcaktuar treguesit, standardet, mënyrën e ruajtjes dhe transportimit dhe cilësinë, si dhe për dy artikuj (Makarona e biskota), kanë përcaktuar referencat e markave, në papajtueshmëri me nenin 23 të LPP dhe nenin 27 të VKM nr. 914, datë 29.12.2014.
– Në 2 procedura prokurimi është vendosur kriteri që “OE të ketë në staf mjekun e shoqërisë nga muaji dhjetor 2014 e vazhdim”, duke vendosur kufizime kohore, kur VKM nr. 741, datë 06.11.2003, e kërkon mjekun në mënyrë të përhershme. Kërkesa nuk është vendosur në asnjë nga procedurat e tjera të prokurimit, duke pasur pabarazi dhe diskriminim dhe vepruar në papajtueshmëri me nenin 1, 2, 20 të LPP.
– Në 8 procedura prokurimi, nuk ka asnjë të dhënë për përllogaritjen e fondit, nuk ka urdhër për ngritje të grupit të punës për hartimin e detyrës së projektimit, nuk ka të dhëna dokumentare se si është hartuar projekti dhe preventivi, nuk ka procedura marrje në dorëzim projekti, veprim në papajtueshmëri me nenin 59 të VKM nr. 914, datë 29.12.2014.
– Në procedurën e prokurimit “Rivitalizimi i parkut perëndimor të qendrës dhe nënkalimi i unazës perimetrale”, është shpallur fitues BOE me mangësi në plotësimin e kritereve të kualifikimit, pasi në kontratën e bashkimit të përkohshëm të shoqërive nuk ka të përcaktuar punët konkrete që do të kryejë çdo OE, si dhe kur njëri nga OE nuk plotëson kriterin e numrit të punonjësve. Vlerësimi nga KVO është në papajtueshmëri me kërkesat e LPP, pasi ka kualifikuar ofertues, të cilët nuk plotësojnë kriteret për kualifikim kur duhet t’i kishte skualifikuar dhe kërkuar anulimin dhe përsëritjen e procedurave.
– Në 2 procedura prokurimi “Rivitalizimi i parkut perëndimor të qendrës dhe nënkalimi i unazës perimetrale” dhe “Rikonstruksion i shëtitores së bulevardit ‘Osumi'”, janë shpallur fitues të të njëjtit BOE, për të njëjtën shtrirje kohore të afatit të kontratës, kur kanë paraqitur të njëjtat makineri dhe fuqi punëtore. KVO, për tenderin e parë, nuk duhej ta shpallte fitues BOE pasi nuk plotëson numrin e fuqisë punëtore, si dhe në kontratën e bashkimit të përkohshëm të shoqërive nuk ka të përcaktuar punët konkrete që do të kryejë dhe duhej ta kishte skualifikuar dhe kërkuar anulimin dhe përsëritjen e procedurave.
– Në procedurën e prokurimit “Rikonstruksion dhe rikualifikimi urban i lulishtes perëndimore (loti opsional) dhe suplementi i sheshit qendror “Teodor Muzaka”, është shpallur fitues BOE me mangësi në plotësimin e kritereve të kualifikimit, pasi nuk plotëson kategoritë e licencës për punimet që ka marrë përsipër të kryejë, si dhe numrin e punonjësve në përputhje me përqindjet e përcaktuara në kontratën e bashkimit përkohshëm të OE, veprim në papajtueshmëri me nenin 74 të VKM nr. 914, datë 29.12.2014.
– Në procedurën e prokurimit “Rikonstruksion i trotuareve, parmakëve dhe ndriçimit në segmentin Ura e Varur-Ura e Goricës”, kanë klasifikuar si ofertë të vlefshme të vetmin OE të mbetur në garë, kur nuk plotëson numrin e punonjësve, në papajtueshmëri me kërkesat e LPP, pasi ofertuesi duhet të ishte skualifikuar dhe kërkuar anulimi dhe përsëritja e procedurës.
– Në 2 procedura prokurimi “Rikonstruksion i trotuareve, parmakëve dhe ndriçimit në segmentin Ura e Varur-Ura e Goricës”, dhe “Rikonstruksion dhe rikualifikimi urban i lulishtes perëndimore (loti opsional) dhe suplementi i sheshit qendror “Teodor Muzaka”, janë shpallur fitues të njëjtit BOE për të njëjtën shtrirje kohore të afatit të kontratës, kur nuk plotësojnë kushtet për kualifikim, pasi kanë paraqitur në 11 raste të njëjtat makineri dhe të njëjtën fuqi punëtore. KVO, nuk duhej ta shpallte fitues BOE dhe duhej ta kishte skualifikuar dhe kërkuar anulimin dhe përsëritjen e procedurave.
– Në procedurën e prokurimit “Rehabilitimi i fasadave përgjatë bulevardit Republika”, është shpallur fitues OE në kushtet kur nuk plotëson kërkesën për përvojë të suksesshme në ekzekutimin e punëve të ngjashme të së njëjtës natyrë, si dhe kur nuk konfirmon shlyerjen e detyrimeve të energjisë elektrike, ndërkohë ka skualifikuar OE, me vlerë më të ulët, në të njëjtat kushte për vërtetimin e pagesës së energjisë elektrike duke vepruar me dy standarde vlerësuese dhe në papajtueshmëri me nenet 1, 2, 51 dhe 53 të LPP, si dhe dëm ekonomik në vlerën prej 3,842 mijë lekë.
– Në procedurën e prokurimit “Rikonstruksion dhe rikualifikim i parkut ‘Dëshmorët e Kombit’, trotuareve dhe unazës perimetrale”, ku është skualifikuar pa të padrejtë BOE me ofertë më të ulët, rezulton se OE ankues dhe i shpallur fitues disponon të dhëna të hollësishme për dokumentacionin e OE të skualifikuar, kur dokumentet e ngarkuara në sistemin e prokurimit, përpunohen e ruhen që të sigurojnë integritetin dhe konfidencialitetin e ofertave.
– Në procedurën e prokurimit “Rikonstruksioni i trotuareve rruga ‘Antipatrea’, segmenti gjykatë-bashki”, KVO ka skualifikuar me të padrejtë OE, me vlerë më të ulët të ofruar, duke shkaktuar dëm ekonomik prej 964 mijë lekë, duke vepruar në papajtueshmëri me nenin 1 të LPP dhe nenin 66 të VKM nr. 914, datë 29.12.2014.
KLSH, duke i konsideruar veprimet e kryera nga K.GJ., në cilësinë e kryetarit të NJHDT, M.K., në cilësinë e anëtarit të NJHDT, R.K., në cilësinë e anëtarit të NJHDT, E.P., në cilësinë e kryetarit të KVO, M.S., në cilësinë e anëtarit të KVO dhe L.B., në cilësinë e anëtarit të KVO apo dhe personave të tjerë, të cilët mund të rezultojnë si përgjegjës gjatë hetimeve, si veprime me pasoja të rënda për interesat e ligjshme të shtetit dhe të dënueshme sipas Ligjit nr. 7895, datë 27.01.1995 “Kodi Penal i Republikës së Shqipërisë”, me shkresën nr. 1104/14, datë 29.06.2016, ka bërë kallëzim pranë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Berat, për konsumimin e elementëve të figurës së veprave penale të “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tender apo ankande publike” dhe “Shpërdorimit të detyrës” parashikuar nga nenet 258 dhe 248, të Kodit Penal.
KLSH padit kreun e Komunës Buçimas për vjedhje
Kontrolli i Lartë të Shtetit, në zbatim të programit të tij të auditimit nr. 389/1 prot, datë 04.04.2016, ka përfunduar auditimin në Bashkinë Pogradec, me objekt: “Auditimi i zbatimit të ligjshmërisë dhe rregullshmërisë financiare për vitin 2015”.
Me vendimin nr. 92, datë 09.07.2016 të kryetarit të KLSH-së, është miratuar raporti përfundimtar i auditimit dhe për përmirësimin e gjendjes, me shkresë nr. 389/10, datë 09.07.2016 i janë rekomanduar Bashkisë Pogradec masa me karakter organizativ dhe shpërblimin e dëmit të shkaktuar në vlerën totale 85,400 mijë lekë.
I. Gjatë auditimit u konstatuan shkelje dhe parregullsi të dispozitave ligjore në fuqi në fushën e zbatimit të procedurave të prokurimit publik lidhur me kriteret e kualifikimit dhe vlerësimin e ofertave ekonomike, zbatimin e kontratave, si dhe administrimin e aseteve, nga ish-Komuna Buçimas dhe konkretisht:
1. Për 4 raste të dhënies me qira të sipërfaqes prej 285,080 m2 duke mos zbatuar procedurat e konkurrimit për dhënien në përdorim me kontratë qiraje të fondit pyjor dhe kullosor publik.
Për 1 rast të lidhjes të kontratës “Për depozitimin e mbeturinave urbane në territorin e Komunës Buçimas Pogradec, në vendin e quajtur “Luadhi i Çelos”, duke mos zbatuar procedurat e konkurrimit për dhënien në përdorim me kontratë qiraje.
2. Për 3 raste nga ku projektzbatimi dhe preventivi i objekteve, nuk është tenderuar (prokuruar), si dhe janë hartuar nga specialistë, të cilët nuk disponojnë licencat përkatëse sipas përcaktimeve të rregullores për kriteret dhe procedurat e dhënies së licencave profesionale, veprime në papajtueshmëri me dispozita ligjore të fushës.
3. Për 4 raste të përzgjedhjes të formës së prokurimit “Negocim pa shpallje paraprake të njoftimit të kontratës”, si nevoja emergjente për shkak të mungesës së mallrave apo shërbimeve, procedurë e paargumentuar pasi nevojat emergjente për mallra dhe shërbime nuk janë shkaktuar për rastet e parashikuara në rregullat e prokurimit publik, por nga moskryerja në kohë e procedurave të prokurimeve nga autoriteti kontraktor.
4. Për 2 raste lidhur me procedurën e prokurimit “Pyllëzim kurora e gjelbër, fshati Tushemisht”, dhe “Ndërtim i rrugës pedonale dhe tabelave për akses në Wetland, Drilon”, ku vendosja e kritereve për kualifikim nuk është bërë sipas specifikave të llojit të punës/shërbimit. Vlerësimi nga KVO është në papajtueshmëri me kërkesat e ligjit, pasi ka kualifikuar ofertues, të cilët nuk plotësojnë kriteret për kualifikim kur duhet t’i kishte skualifikuar dhe kërkuar anulimin dhe përsëritjen e procedurave.
5. Për 1 rast të moszbatimit të projektit “Pyllëzim kurora e gjelbër, fshati Tushemisht”, në lidhje me pyllëzimin e ngastrave, duke investuar në një objekt jashtë projektit dhe jo në pronësi të ish-komunës, por të Autoritetit Rrugor Shqiptar, pa miratim nga hartuesi i projektit dhe ARRSH, veprim në papajtueshmëri me dispozita ligjore të fushës dhe dëm ekonomik.
II. Gjatë auditimit u konstatuan shkelje dhe parregullsi të dispozitave ligjore në fuqi në fushën e zbatimit të kontratave për kryerjen e investimeve dhe konkretisht:
1. Për procedurën e realizuar nga Bashkia Pogradec “Sistemim rrugët e lagjes nr. 1 (trekëndëshi), në qytetin e Pogradecit”, me dëm ekonomik në vlerën prej 9,252 mijë lekë, si diferenca në punime të pakryera, por të paguara, si dhe vlera prej 18,859 mijë lekë, si pasojë e dëmeve të likujdueshme për vonesa në përfundimin e punimeve, si dhe cilësi të dobët të materialeve të përdorura dhe punimeve të kryera.
2. Për procedurat e realizuara nga ish-Komuna Hudënisht “Sistemim Sheshi Qendër Hudënisht-Rruga Nacionale” dhe “Kënd Sportiv për shkollat e fshatrave Lin, Piskupat e Buqez”, me dëm ekonomik në vlerën në vlerën 4,000 mijë lekë, si diferenca në punime të pakryera, por të paguara, si dhe cilësi të dobët të materialeve të përdorura dhe punimeve të kryera.
KLSH, duke i konsideruar veprimet e kryera nga R.T., me detyrë ish-kryetar i Komunës Buçimas, O.S., në cilësinë e juristit të NJP, E.P., në cilësinë e specialistit në NJP, I.K., në cilësinë e specialistit në NJP, R.B., në cilësinë e kryetarit të KVO, P.K., në cilësinë e anëtarit të KVO dhe E.M., në cilësinë e anëtarit të KVO, si dhe K.S., dhe B.B., në cilësinë e mbikëqyrësit të punimeve, apo dhe personave të tjerë, të cilët mund të rezultojnë si përgjegjës gjatë hetimeve, si veprime me pasoja të rënda për interesat e ligjshme të shtetit dhe të dënueshme sipas Ligjit nr. 7895, datë 27.01.1995 “Kodi Penal i Republikës së Shqipërisë”, me shkresat nr. 389/15 dhe 16 datë 30.09.2016, ka bërë kallëzim pranë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Pogradec, për konsumimin e elementëve të figurës së veprave penale të “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tender apo ankande publike”, “Falsifikimit” parashikuar nga neni 258 dhe 186 dhe “Shpërdorimit të detyrës” parashikuar nga nenet 248, të Kodit Penal.