KLSH zbardh mashtrimin e qeverisë me kasat fiskale

Kasat fiskale nuk kanë dhënë rezultat në luftën kundër informalitetit dhe në rritjen e të ardhurave në buxhetin e shtetit. Ky është përfundimi i nxjerë nga një auditim i realizuar nga Kontrolli i Lartë i Shtetit për efektivitetin e kasave fiskale për periudhën 2010-2018.

Ndër të tjera ky institucion ngre një sërë pikpyetjesh edhe në lidhje me zbatimin e proçesit të fiskalizimit i cili pritet të nisë në shtator të këtij viti. Kontrolli i Lartë i Shtetit konstaton se, miratimi i ligjit për fiskalizimin është i vonuar, në një kohë që po has kundërshtim edhe nga grupet e interesit.

Ekonomia shqiptare nuk ka përfituar nga vendosja e kasave fiskale. Kontrolli i Lartë i Shtetit ka realizur një auditim për efektivitetin e kasave fiskale dhe ka dalë në përfundimin se kjo nismë nuk ka ulur informalitetin i cili rezulton se është në nivelin 50 %.

Madje në raport theksohet se ka rënë ndjeshëm pesha e të ardhurave nga TVSh, që mblidhet nga tatimet. Sipas KLSH-së në vitin 2009, tatimet mblidhnin 30% të TVSH-së totale, ndërsa për periudhën 2010-2018, pesha mesatare e TVSH-së së mbledhur nga tatimet ishte vetëm 24%.

Kjo situatë duket se është ndikuar edhe nga efektiviteti i administratës tatimore e cila edhe pse ka realizuar fushata të shumta e madje ka penalizuar bizneset kjo nuk ka ndikuar në uljen e evazionit tatimor.

Vendosja e kasave fiskale ishte një kosto shtesë për bizneset të cilat tashmë do të ndryshojnë përsëri mënyrën e deklarimit.

Klsh thekson se në total janë shpenzuar 46.5 milionë euro për vendosjen e 155 mijë kasave fiskale ku pjesa më e madhe është vendosur për bizneset e vogla. Ndërkohë pesimist ky institucion tregohet, edhe në lidhje me nismën e re të qeverisë, për vendosjen e sistemit të fiskalizimit.

Kontrolli i Lartë i Shtetit thekson se miratimi jo në kohë i ndryshimeve ligjore dhe akteve nënligjore, vështirëson realizimin e kërkesave të projektit, rrit kostot për biznesin dhe e cilëson të vështirë zbatimin e këtij projekti sidomos në zonat rurale.

Qëllimi i sistemit të ri të fiskalizimit, synon që të gjitha transaksionet midis bizneseve dhe konsumatorit do të raportohen tek Administrata Tatimore në kohë reale, bazuar në sistemin e ri të pajisjeve fiskale, ndërsa të gjitha transaksionet ndërmjet biznesit me njëri – tjetrin dhe ndërmjet biznesit me organet publike, do të bëhen në bazë të faturës elektronike.

Exit mobile version