KLSH zbardh skemën e vjedhjes me dy segmente rrugore që do kushtojnë 322 milionë euro

KLSH zbulon skemën e vjedhjes me rrugët Milot-Balldren dhe Orikum-Dukat
Dy nga koncesionet më të përfolura kohët e fundit, që kanë lidhje me sistemin rrugor nacional, janë gjetur me shkelje skandaloze nga ana e Kontrollit të Lartë të Shtetit. Nga auditimi me profesionalizëm të plotë del se në të dy rastet kemi të bëjmë me një vjedhje gjigande të organizuar në instancat më të larta të qeverisë Rama.

Milot-Balldren
Kontrolli i Lartë i Shtetit, përmes një auditi të thelluar, ka konstatuar shkelje të rënda nga ana e Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë që drejtohej nga Arben Ahmetaj, lidhur me miratimin e projektit të koncesionit të rrugës Milot-Balldren, kosto e së cilës kap shifrën e çmendur prej 256 milionë eurosh, ose 15 milionë euro për kilometër.

Sipas raportit, KLSH ngarkon me përgjegjësi direkte ministrin e asaj kohe, Arben Ahmetajn dhe 6 zyrtarë të tjerë, për miratimin e kësaj kontrate abuzive. Në raportin e KLSH konstatohen një sërë shkeljesh që janë anashkaluar nga MFE, e cila miratoi projektin ku 1 km rrugë në fushë u kushton shqiptarëve 15 milionë euro.

Sipas raportit të KLSH, në kontratën që u rinegociua pa garë konstatohet se koncesionari nuk ka para për t’iu përgjigjur projektit, ka fryrje e kostove, si dhe gabime në parashimet e flukseve të parasë. Pavarësisht problemeve, kontrata u firmos nga Arben Ahmetaj, të cilin KLSH e bën përgjegjës.

Fillimisht, në relacionin e buxhetit për 2018-ën qeveria kishte përcaktuar një fond total prej 113 milionë eurosh. Shtatë muaj më vonë kostoja e rrugës u shtua me 48 milionë euro, duke shkuar në 161.5 milionë euro, vlerë kjo e paraqitur nga kompania ANK sh.p.k, e cila hyri në garë me propozim të pakërkuar.

Kompania negocioi dhe normën e fitimit e interesat për 13 vitet e shlyerjes duke e çuan koston e rrugës në 213,7 mln euro, e cila në total bashkë me TVSH arrin gati 260 milionë euro.

Sipas kontratës, ANK do ta ndërtojë aksin 17.2 kilometër nga Miloti në Balldren me paratë e veta(të cilat nuk i ka), dhe më pas do të shlyhet nga buxheti i shtetit me këste për 13 vjet

Sipas analizës financiare, kostoja e ndërtimit dhe mirëmbajtjes është 161 500 000 euro dhe pagesat nga buxheti i shtetit kapin shumën 217 318 500 euro, që rezulton një kosto financimi e raportuar në interesa në shumën 56 918 500 euro.

Raporti konstaton se kompania nuk ka kapacitete financiare për të ndërtuar një projekt të tillë. Ndërsa ANK premton të financojë 62 milionë euro nga kapitali i vet dhe huatë, të dhënat zyrtare nga bilanci 2017 tregojnë se totali i aktiveve të saj është vetëm 16 milionë euro (2 miliardë lekë), ndërsa totali i kapitalit është 3.2 milionë euro. Kostoja e ndërtimit është 141 milionë euro dhe kjo tregon se kompania ka marrë përsipër një punë për të cilën nuk ka fonde. I njëjti shqetësim konstatohet edhe për periudhën që parashikon mirëmbajtjen e rrugës, për të cilën kompania nuk ka fonde të mjaftueshme.

Nga auditimi konstatohen shkelje të MFE në lidhje me miratimin e dhënë si në aspektin e implikimeve financiare mbi studimin e fizibilitetit ashtu edhe në drejtim të risqeve të marra nga sektori publik.

Supozimet e studimit përfshijnë financimin me 115 milionë eurove hua bankare dhe 50 milionë eurove investim nga kapitali i kompanisë, nga të cilat 30 milionë euro për realizimin e investimit dhe pjesa tjetër prej 20 milionë euro për mirëmbajtjen. Në total kostoja e investimit dhe mirëmbajtjes sipas vlerësimeve është në shumën 161.5 milioën euro ndërkohë që modeli i financimit përfshin burime në shumën 165 milionë euro. Diferenca prej 3.5 milionë eurosh financim shtesë përtej nevojave për investim dhe mirëmbajtje sipas modelit të propozuar rëndon me kosto shtesë financimin përtej nevojave reale, duke përfshirë kostot e interesit.

Për tre vitet në të cilat është parashikuar që të realizohet investimi, vendosen në dispozicion fonde të panevojshme (krahasuar me nevojën për para për kryerjen e investimit) që në vitin e parë e cila vazhdon deri në vitin e tretë, nga ana e koncesionarit dhe financimit me hua bankare për të cilat paguhet interesa.

Shkeljet e Ahmetajt dhe zyrtarëve të ministrisë:
-KLSH konstaton se analiza e kryer nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë është jo e plotë dhe nuk ka evidentuar problematikat në drejtim të flukseve të projektuara të parasë, burimet e nevojshme të financimit, treguesit kryesorë financiarë të projektit si dhe kostot kryesore që angazhojnë flukse dalëse të parasë. Në këtë mënyrë, për efekt të problematikave të vlerësuara më sipër nuk evidentohet të jetë refuzuar projekti, por është shprehur dakortësia në parim.

-Konstatohet se ministria nuk ka analizuar në mënyrë të plotë përcaktimin e levërdisshmërisë së koncesionit në studimin e fizibilitetit në krahasim me alternativën e prokurorimit.

-Nga auditimi konstatohet se ministra nuk ka marrë asnjë masë për shmangien e risqeve financiare, duke qenë se është miratuar studimi i fizibilitetit që përfshin mbartjen e këtyre risqeve nga sektori publik, duke lejuar mundësine e rritjes së pagesave nga buxheti për realizimin e projektit koncesionar.

Për të gjitha shkeljet e konstatuara, në konkluzion, KLSH thotë se ngarkon me përgjegjësi ministrin e asaj kohë Arben Ahmetaj dhe 6 zyrtarë të tjerë. “Për veprimet dhe mosveprimet e sipërme ngarkohen me përgjegjësi të gjithë përsonat nënshkrues të shkresës miratuese në lidhje me këtë projekt koncesionar” thuhet në raportin e KLSH.

Orikum-Dukat
Ndërkohë, miratimi i një fondi rreth 45 milionë euro nga Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim për ndërtimin e tre segmenteve rrugore në Shqipëri ka nxjerrë në pah megaabuzimin që bëhet me koncesionin për ndërtimin e rrugës Orikum-Dukat. Bëhet fjalë për një shumë plot 62 milionë eurosh, që dyshohet se shkon direkt në xhepin e koncesionarit.

Ndërtimi i rrugës Vlorë-Dukat është ndarë në dy segmente, ku pjesa e parë e rrugës Vlorë Orikum do të ndërtohet nga BERZH, ndërsa segmenti Orikum-Dukat është dhënë me koncesion.

Nëse do bënim një përllogaritje të shpenzimeve, vihen re diferenca të jashtëzakonshme të kostove. Për aksin 10.6 km që do të ndërtohen nga BERZH, një kilometër do ketë kosto rreth 600 mijë euro, ndërsa aksi që është dhënë me PPP ka shifrën e çmendur 5 milionë euro për kilometër.

Për ta thënë më thjeshtë në shifra, nëse edhe ndërtimi i rrugës Orikum-Dukat do ishte bërë nga BERZH dhe jo nga koncesionari, rruga do kushtonte vetëm 8 milionë e 400 mijë euro dhe jo 70 milionë euro.

Siç shihet, pa analizuar faktorët e tjerë, vetëm përmes kësaj skeme, koncesionari iu zhvat shqiptarëve plot 62 milionë euro.
Në dhjetor 2019 kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi, gjatë një interviste televizive, tha se pas koncesionit të rrugëve Orikum-Dukat dhe Milot-Balldren fshihet manjati i mediave Aleksandër Frangaj.

Koncesionet PPP do të marrin 125 milionë € më 2021, 120 mln sivjet

Financimi i kontratave koncesionare nga fondet buxhetore do të arrijë kulmin përgjatë vitit 2021-përkatësisht me 15.2 miliardë lekë. Kjo shumë pritet të jetë më e madhja e përqendruar në një vit buxhetor për financimin e këtyre kontratave. Planifikimi i financimeve për PPP-të u azhurnuam në Programin e Reformave Ekonomike 2020-2022 që u publikua sot në fletoren zyrtare. Financimi i lejuar në vitin 2021 pritet të arrijë në 3,3 për qind te të ardhurave tatimore të vitit paraardhës, teksa limiti i këtij kufiri i përcaktuar në ligjin organik të buxhetit është 5%.

Për vitin 2020, kufiri i lejuar i pagesave neto për kontratat koncesionare/PPP, prej 5% të të ardhurave tatimore të pritshme të vitit 2019, është rreth 22.42 miliardë lekë. Për vitin 2020 pagesat vjetore neto që parashikohen të kryhen nga njësitë e qeverisjes së përgjithshme për kontratat koncesionare apo PPP-ve, kapin vlerën rreth 14.6 miliardë lekë.

Ministria e Financave ka sqaruar se në buxhetin 2020 është respektuar kufizimi ligjor, pasi vlera e parashikuar prej 14.6 miliardë lekësh për pagesat vjetore neto të kontratave koncesionare apo PPP për vitin 2020, përbën vetëm 3.3 për qind të totalit të të ardhurave tatimore të parashikuara për vitin 2019, prej rreth 448.3 miliardë lekësh.

Fondet buxhetore të planifikuara për vitin 2019, me destinacion mbështetjen nga buxheti për kontratat koncesionare/PPP, janë në total rreth 12.63 miliardë lekë. Nga këto, rreth 6.38 miliardë lekë janë investime dhe 6.25 miliardë lekë shpenzime korrente.
Kundrejt faktit të vitit 2018 që kapi vlerën 8.76 miliardë lekë, plani 2019 rezulton 44.2% më i lartë ose rreth 3.87 miliardë lekë më shumë.

Pagesat faktike, në total për 11-mujorin 2019, rezultojnë 11.56 miliardë lekë ose 91.5% e planit vjetor 2019, të ndryshuar. Nivelin më të lartë të pagesave e ka shënuar muaji janar, me 2.9 miliardë lekë nga të cilat 2.52 miliardë lekë është pagesa për kontratën e MIE-s “Ndërtimi dhe operimi i Rrugës së Arbrit”, specifikisht për ndërtimin, operimin dhe mirëmbajtjen e kësaj kontrate.

Krahasuar me pagesat faktike për 11-mujorin e vitit 2018, fakti 11-mujor i vitit 2019 rezulton në masën 4.1 miliardë lekë më shumë ose 55.9 për qind më i lartë. Theksojmë faktin, se për kontratën koncesionare/PPP, “Ndërtimi i rrugës së Arbrit”, në vitin 2018 nuk ka pasur asnjë pagesë buxhetore.

Bazuar në parashikimin e ecurisë së pagesave për muajin e fundit të vitit 2019, fondi i planifikuar për t’u shpenzuar është 742.5 milionë lekë, nivel ky që do të përmbushte 97.4% planin vjetor për vitin 2019.

Pyetja që shtrohet vetvetiu është e thjeshtë: kur bëhen pagesa kaq të rënda nga Buxheti i Shtetit, atëhere pse duhet privati në mes? A nuk është thënë se këto vepra do të ndërtoheshin me paratë e privatit dhe kështu shteti do të lehtësohej? Duket qartë se privatët në këtë mes luajnë rolin e sekserit dhe paratë i futin në xhep qeveritarët!

Bujqësia mbetet sektori me më pak vëmendje nga shteti
Bujqësia është sektori më pak i kredituar në 2019-ën. Mes rimbursimeve të pamjaftueshme, vështirësive për tu mbajtur më këmbë e mandej për të investuar, druhet të marrë kredi. Sipas Bankës së Shqipërisë, Bujqësia ishte i vetmi sektor që shfaqi tkurrje të kredisë gjatë 2019-ës krahasuar me një vit më parë me 7%. T

kurrja e këtij portofoli është shfaqur në pjesën më të madhe të vitit, duke ndikuar në rënien e peshës së kredisë për bujqësinë ndaj totalit në 1.4%. Reduktim të peshës ndaj totalit të kredisë shfaqi edhe sektori i ndërtimit, ku kredia për këtë sektor ra në 14.0%, krahasuar me 14.7% një vit më parë. Tkurrja e peshës së kreditimit në këta dy sektorë është shoqëruar nga zgjerimii i portofolit të kredive për sektorin e industrisë, tregtisë dhe shërbimeve, të cilat shënuan rritje të peshës së tyre ndaj totalit, në përkatësisht 25.1%, 44.7%, 14.8% në fund të vitit 2019. Nga ana tjetër, sqaron Banka e Shqipërisë, rritja e kërkesës për kredi e bizneseve akoma nuk i është rikthyer një trajektoreje të qëndrueshme, por shfaq luhatshmëri nga një tremujor në tjetrin.

Në tremujorin e katërt, kërkesa për kredi u raportua më e ulët se në tremujorin e tretë. Dobësimi i kërkesës për kredi, kryesisht për bizneset e vogla dhe të mesme dhe në financimin e investimeve, në një masë të madhe është për shkak të perceptimit mbi situatën ekonomike në tërësi të vendit dhe parashikimeve për të ardhmen, si edhe rënies së besimit të bizneseve. Në tremujorin e katërt rritje kanë shfaqur edhe kreditë e disbursuara për bizneset.

Fluksi i kredisë së re për bizneset prej 52.7 miliardë lekësh, ishte ndjeshëm më i lartë se tremujorët e tjerë të vitit, duke reflektuar edhe sjelljen sezonale. Korrektuar për efektin sezonal, ky fluks ishte rreth 11.3% më i lartë se ai i një tremujori më parë. Gjithashtu, ai shfaqet edhe 5.5% më i lartë se e njëjta periudhë e një viti më parë.

Rritja e kredisë së re për bizneset në tremujorin e fundit, duket se ka qenë në linjë me pritjet e bankave për zgjerimin e aktivitetit kreditues, sikurse është paraqitur në vrojtimin për aktivitetin kreditues. Rritja e portofolit të kredisë për biznese në tremujorin e katërt u mbështet nga kreditimi i biznesit të madh. Ritmi i rritjes së këtij portofoli shënoi 4.5% ose 2.5 pikë përqindje më shumë se një tremujor më parë.

Nga ana tjetër, rritja e kredive për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme (NVM) shënoi ngadalësim, në ndryshim nga përmirësimi i këtyre segmentëve deri në tremujorin e tretë. Ecuria e portofolit të kredive për NVM- të është ndikuar pozitivisht nga lehtësimi i standardeve të bankave, ndërkohë që kërkesa e tyre për financim është më e ulët se një tremujor më parë. Për vetë natyrën e brishtë të aktivitetit ekonomik të NVM -ve, ndikimi i tyre nga pasojat e tërmetit të datës 26 nëntor 2019 mund të jetë më i lartë. Në fund të vitit 2019, kredia për SME-të përbënte 11.6% të PBB-së, ose 0.7 pikë përqindje më shumë se një vit më parë. Ky raport për kredinë dhënë biznesit të madh ishte 12.3%, pothuajse i pandryshuar nga viti 2018.

Exit mobile version