KLSH zbulon skandalin me Urgjencat Mjekësore: Autoambulancave u mungojnë dhe pajisjet bazë

Kontrolli i Lartë i Shtetit (KLSH) ka publikuar raportin përfundimtar për Urgjencën Mjekësore, ku konstaton se ky shërbim ka problematika të përsëritura në shërbimin e urgjencës të cilat evidentojnë qartësisht një mungesë lidershipi, koordinimi, bashkëpunimi dhe transparence midis institucioneve shtetërore.
KLSh thekson në raport se pacientët vazhdojnë të raportojnë se shërbimi që u ofrohet nuk është në kohën e duhur dhe me cilësinë e kërkuar kjo edhe për arsye se:
Ende numri i autoambulancave është i pamjaftueshëm;
Shërbimi i urgjencës mjekësore nuk është i shtrirë në të gjithë territorin;
Infrastruktura rrugore përbën një problem thelbësor në ofrimin e këtij shërbimi;
Personeli i urgjencës mjekësore nuk është i mjaftueshëm;
Autoambulancave u mungojnë pajisjet bazë për të shpëtuar jetën e pacientëve.
Nga ana tjetër, institucionet shëndetësore të cilat çdo ditë përballen me pacientët sjellin në vëmendje se:
Ende nuk ka protokolle të posaçme të urgjencës mjekësore të miratuara nga MSHMS;
Sistemi i referimit nuk funksionon, duke krijuar ngarkesë të panevojshme në sportelet e urgjencës;
Ende mungon certifikimi i profesioneve të urgjencës mjekësore;
Nuk janë përcaktuar kriteret për infrastrukturën, pajisjet, barnat dhe burimet njerëzore nga MSHMS;
Në disa raste në nivel parësor institucioni nuk është në dijeni të detyrimit për të ofruar shërbim urgjence 24/24, 7 ditë në javë;

Jo të gjitha strukturat shëndetësore publike që ofrojnë shërbim urgjence janë në dijeni të detyrimit për raportim pranë QKUM; Strukturat shëndetësore private simotra, të cilat kanë të njëjtin detyrim nuk e kryejnë farë atë.
Në analizën e riskut, KLSH thekson se ka pasur shkurtim të fondeve për shëndetësinë për vitet 2015-2016; Shërbimi nuk është i shtrirë në gjithë territorin; ka një numër të pamjaftueshëm ambulancash dhe mjetesh. Po ashtu nuk janë miratuar standardet për pajisjet mjekësore, barnat, infrastrukturën fizike, autoambulancat dhe mjetet e tjera.
KLSH konkludon se veprimtarisë së institucioneve përgjegjëse për organizimin dhe funksionimin e urgjencës mjekësore në vendin tonë për periudhën objekt auditimi i ka munguar efektiviteti në disa aspekte kyçe të saj.
Edhe pas 4 vitesh nga hyrja në fuqi e Ligjit për urgjencën mjekësore, Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale (MSHMS) nuk ka miratuar standardet për infrastrukturën fizike, barnat, pajisjet mjekësore, si dhe burimet njerëzore të nevojshme për ofrimin e këtij shërbimi në vendin tonë. Mosveprimi i MSHMS evidenton një mungesë përgjegjshmërie institucionale për të përmirësuar situatën e Urgjencës Mjekësore në Shqipëri, sidomos kundrejt veprimtarisë së vakët në drejtim të miratimit të protokolleve të urgjencës mjekësore, si edhe sa i takon rishikimit dhe përafrimit të legjislacionit të vendit tonë me atë evropian. MSHMS ka qenë totalisht inefektive për ato pak iniciativa që ka ndërmarrë në këtë fushë, për periudhën objekt auditimi.

Që nga momenti i krijimit, Qendra Kombëtare e Urgjencës Mjekësore (QKUM), pavarësisht përpjekjeve, nuk ka vepruar në mënyrë efektive me qëllim identifikimin e prioriteteve kyçe sa i takon planifikimit, drejtimit, pjesëmarrjes dhe bashkërendimit të të gjitha aseteve ekzistuese në një sistem mbarështetëror të unifikuar, duke arritur të ofrojë vetëm koordinim të pjesshëm për qytetin e Tiranës.
QKUM nuk ka kryer rishikim të cilësisë së shërbimit të urgjencës në shkallë vendi dhe nuk ka ushtruar kontroll të brendshëm në të gjithë shërbimin e urgjencës mjekësore, duke penalizuar zhvillimin e këtij shërbimi, si edhe aktivitetin e vet në këtë drejtim. Ky institucion nuk ka qenë i aftë të ndërtojë një kanal komunikimi zyrtar me MSHMS, me qëllim përcjelljen e të gjitha problematikave të ndeshura në shtrirjen e shërbimit në shkallë vendi dhe në mbarëvajtjen e tij. Mosveprimi dhe neglizhenca e treguar shpreh qartë që ky institucion nuk ka gjeneruar impaktin e përcaktuar nga Ligji për përmirësimin e shërbimit të urgjencës mjekësore.
Sipas KLSH, mungesa e vendosjes së standardeve nga MSHMS për barnat, pajisjet mjekësore në të gjitha nivelet e shërbimit të urgjencës në vendin tonë sipas përcaktimeve ligjore60 nuk ka lejuar një zhvillim bashkëkohor të sistemit të urgjencës mjekësore, duke mos arritur të plotësojë pritshmëritë e taksapaguesve mbi këtë shërbim.
/Monitor/

ambulanca

Artikulli paraprakHakmerret Rama/ Nxirret nga zyra Shoqata Antikomuniste e të Përndjekurve pse i dërgoi letër Arta Markut
Artikulli tjetërPlas skandali në Greqi/ Mediat: Ministria ka dhënë fonde sekrete për mediat në Shqipëri