Myrto Uzuni është kthyer në këto vite në një idhull të tifozerisë së Granadës në Spanjë, por edhe një emër shumë i lakuar në klubet e tjera, të interesuara për të siguruar shërbimet e sulmuesit shqiptar. Futbollisti në ditët e ardhshme duket se do të duhet të marrë një vendim nëse do të vazhdojë në klubin që ra në La Liga 2, apo të pranojë ndonjë ofertë nga skuadrat e elitës, meqë ka të ndryshme të interesuara për të.
Rënia e Granadës një kategori më poshtë, ndryshon klauzolën e largimit të Uzunit, duke e kthyer në 12 milionë euro, Një shifër që mund të përballohet nga klube të ndryshme në La Liga dhe që raportohet se i intereson në fakt sidomos Seviljes. Kjo e fundit kërkon të rinovojë repartin e avancuar dhe pritet të bëjë disa lëvizje në verë.
Megjithatë, për të bërë të mundur ndërhyrjen financiare për të afruar Uzunin, nga Sevilja kërkojnë që të largojnë fillimisht atë që e kanë cilësuar si një nga dështimet e mëdha të merkatos në vitet e fundit. Bëhet fjalë për Adnan Januzajn, i cili iu bashkua këtij klubi dy vite më parë dhe ka qenë praktikisht një “fantazmë” në radhët e tij, pa lenë kurrë shenjë.
Januzaj ka edhe dy vite të mbetura në kontratën e tij me Seviljen, nga e cila përfiton 5 milionë euro bruto në vit dhe nuk duket se ka ndër mend të lëvizë. Kësisoj, ai ka bllokuar merkaton e klubit andaluz, që nuk pa arrin të gjejë hapësira financiare në këto momente për të bërë afrime, meqë ka kaluar limitin e rrogave të caktuar nga La Liga. Vetëm nëse Januzaj gjen një tjetër sistemim dhe pranon të largohet, atëherë lëvizja për të marrë Uzunin mund të konkretizohet shumë shpejt nga klubi i njohur spanjoll i cili mban rekordin e paarritshëm me 7 fitore të Ligës së Europës.