“Koalicioni Euroatlantik i pari që ka dalë në program”, Basha: Duam t’ japim SPAK-ut gjithë fuqinë që e meriton për t’i shkuar deri në fund luftës kundër korrupsionit

Drejtuesi politik i Koalicionit Euroatlantik, Lulzim Basha, në një intervistë për emisionin “Këndi i Debatit” në Tëvë1 me gazetarin Ardian Visoka, ka treguar pse dhe si e nisi debati në distancë me Edi Ramën përmes videove ironike, në të cilat i kërkon kryeminitrit t’u tregoj shqiptarëve ku i ka shokët dhe pse i ka në burg, në arrati apo nën hetim.

“Ideja erdhi fare natyrshëm. Kryeministri kishte kohë që herë pas here në ato podkastet e veta që bënte, hidhte ndonjë thumb ‘o Lul ku je, o Lul ku je’. Unë me thënë të drejtën unë nuk e kisha dëgjuar. Të dielën e para një jave, ma çon një kolegu juaj gazetar, thotë a e ke parë këtë. Rastisa që isha nis për një takim electoral. Siç e pashë, thash t’i kthejë një përgjigje dhe ajo është video e parë ku i the “unë këtu jam, po ti ku i ke shokët, ku e ke Erion Veliajn , kryetarin e bashkisë, ku e ke Arben Ahmetajn zëvendëskryeministrin, ku i ke ministrat, Lefter Kokën, Ilir Beqen, Sajmir Tahirin, ku i ke bashkëpunëtorët. Dhe kjo ishte videoja e parë, e hodha dhe pati një popullaritet të madh. Ndërkoh një tjetër më shkruan, a të kujtohet kënga e Unikkatilit “ku t’metën shokët”. Si s’më kujtohet i thash. Ti këtë këtë ke thënë më tha, ku t’metën shokët. E kështu nisi viraliteti. Por dua ta them që po të futesh në facebookun tim apo në instagramin tim do shikosh që këto video janë virale. Por nuk janë vetëm këto. Unë kam një aktivitet të ngjeshur politik që shtrihet nga Shkodra në Athinë me shqiptarët, e së shpejti edhe në Londër. Dhe dua të them që si Koalicion Euroatlantik jemi të parët që kemi dal me një program më 1 qershor të vitit të kaluar. E kemi shpalosur publikisht edhe kjo është oferta ime politike është e plotë” – tha ai.

Basha ka treguar pse ky komunikim po pëlqehet aq shumë. Sipas tij, kjo po ndodhë për arsye se qytetarët janë lodhur nga gjuha e vjetër politike që sipas tij është edhe reflektim nga zhgënjimi me këtë qeveri dhe një pjesë të opozitës.

“Arsyeja pse njerëzit pëlqejnë këtë formë ka ndoshta të bëjë me një lodhje të njerëzve me gjuhën e vjetër e politikës, sepse gjuha e saj është përfaqësuese e një zhgënjimi të madh politik, të një qeverie që ka 12 vjet dhe një pjese të opozitës e cila kurrë nuk ishte në gjendje t’i përgjigjej, përkundrazi u pa dhe shihet si pjesë e problemit dhe jo e zgjidhjes” – u shpreh Basha.

Basha gjithashtu foli edhe për SPAK-un, i cili tha se vetëm përmes mbështetjes për luftën ndaj korrupsionit mund të avancohen synimet drejt integrimit evropian të Shqipërisë. Ai më tej tha se Koalicioni Euroatlantik është i vetmi që ka dërguar në kuvend paketë ligjore për ndihmë ndaj SPAK-ut.

“Struktura e Posaçme Anti-Korrupsion (SPAK) është një investim strategjik euroatlantik prandaj dhe koalicioni Euroatlantik ka qenë dhe është në mbështetje me vepra dhe jo me fjalë ndaj SPAK-ut. Të vetmit që kemi një vit e gjysmë që kemi dërguar paketën për ndihmën ndaj SPAK-ut dhe këta bëjnë sikur nuk e shohin e nuk e fusin as në rend të ditës ta diskutojnë e jo më ta votojnë. Quhemi koalicioni Euroatlantik dhe mbështesim SPAK-un se vetëm përmes mbështetjes për luftën ndaj korrupsionit, vetëm përmes mbështetjes për SPAK-un ne mund të avancojmë synimet tona drejt integrimit evropian të vendit. Nuk ka rrugë tjetër, nuk ka rrugë të shkurtër dhe nuk ka rrugë të fshehtë, rruga e vetme është t’i japim SPAK-ut gjithë fuqinë që e meriton për t’i shkuar deri në fund luftës kundër korrupsionit” – ka deklaruar Basha.

Artikulli paraprakShefi i NATO-s paralajmëron Putinin: Çdo sulm rus ndaj vendeve anëtare të aleancës, do të përballet me reagimin tonë shkatërrues!
Artikulli tjetërTelashe për Edi Ramën? Trump urdhëron FBI-në të hapë dosjen për hetimet ruse, pjesë e saj edhe McGonigal!