Koalicioni Euroatlantik ka depozituar ditën e sotme një kallëzim penal në Prokurorinë e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), ndaj kandidatit për deputet të Sali Berishës në Qarkun e Durrësit, z. Arian Ndoja.
Në kallëzimin e paraqitur, Koalicioni Euroatlantik kërkon nisjen e hetimeve ndaj z. Ndoja për veprat penale të “Korrupsionit aktiv në zgjedhje” (neni 328 i Kodit Penal) dhe “Kanosjes apo dhunimit ndaj pjesëmarrësve në zgjedhje” (neni 329 i Kodit Penal).
Sipas të dhënave të mbledhura nga kandidatët e Koalicionit dhe banorë të zonës, z. Ndoja dyshohet se ka ushtruar presion të drejtpërdrejtë ndaj qytetarëve për të mos votuar subjekte të tjera politike, si dhe ka pohuar publikisht lidhje me individë të botës së krimit, me qëllim intimidimin e zgjedhësve dhe ndikimin në votë.
“Zgjedhjet e 11 majit duhet të zhvillohen në mënyrë të lirë, të ndershme dhe larg ndikimit të grupeve të strukturuara kriminale apo formave të blerjes së votës,” – thuhet në kallëzimin zyrtar.
Sipas kallëzuesve, këto dyshime bien ndesh me objektivat e Strategjisë së Hetimit për Krimin Zgjedhor të miratuar nga vetë SPAK, e cila përfshin hetimin aktiv të rasteve të presionit, kanosjes apo përfshirjes së elementëve kriminalë në procesin elektoral.
Koalicioni Euroatlantik i bën thirrje Prokurorisë së Posaçme që të regjistrojë menjëherë kallëzimin penal, të kryejë hetimet e nevojshme dhe të mbrojë integritetin e procesit zgjedhor përmes veprimit të shpejtë dhe të vendosur.
Kujtojmë se ish-prokurori i Durrësit, Arian Ndoja, u shkarkua nga detyra nga KPK me arsyetimin se nuk justifikonte pasurinë dhe për lidhje të dyshuara me botën e krimit, duke u akuzuar për favorizimin e personave me precedentë penalë.
Në vitin 2019, Ndoja ishte objekt i një atentati në të cilin humbi jetën shoferi i tij, Andi Maloku, ndërsa vetë Ndoja dhe Aleksandër Laho, i njohur ndryshe si “Rrumi i Shijakut”, mbetën të plagosur.