Drejtuesi politik i Koalicionit Euroatlantik, Lulzim Basha, priti në një takim kryesuesin e misionit të vëzhguesve të OSBE/ODIHR për zgjedhjet parlamentare të 11 majit, ambasadorin Lamberto Zannier. Gjatë këtij takimi u diskutua mbi procesin zgjedhor dhe problematikat që e shoqërojnë atë. Basha theksoi se, përtej pazarit politik Rama-Berisha për mbylljen e listave, Koalicioni Euroatlantik ia ka dalë t’u japë qytetarëve mundësinë të zgjedhin vetë kandidatin që duan t’i përfaqësojë në Parlament.
“Listat 100% të hapura janë risia e këtyre zgjedhjeve dhe modeli i demokracisë që ofron Koalicioni Euroatlantik,” tha Basha.
Ai vlerësoi gjithashtu planin e SPAK për parandalimin e krimit zgjedhor, duke theksuar se – siç është provuar edhe në zgjedhjet e kaluara – krimi i organizuar, shitblerja e votës dhe përdorimi i administratës publike kanë deformuar vullnetin e zgjedhësve dhe kanë penguar rotacionin politik në vend.
“Edhe në këto zgjedhje,” – vijoi Basha – “presioni ndaj administratës, përdorimi i aseteve publike, shitblerja e votës dhe intimidimi i votuesve janë të pranishme në zona të ndryshme të vendit. Këto veprime kryhen nga individë me rekorde negative në drejtësi, të cilët kanë përdorur skema të ngjashme edhe në zgjedhjet e mëparshme.”
Koalicioni Euroatlantik ka ofruar kandidatë të aftë dhe me integritet, që e kanë dëshmuar se u shërbejnë qytetarëve – në krahasim me kandidatët e ofruar nga Rama dhe Berisha: persona me rekorde korrupsioni, të përjashtuar nga sistemi i drejtësisë për lidhje me krimin.
Koalicioni Euroatlantik mbështet drejtësinë, ndërsa përballë ka Ramën dhe Berishën, të cilët kërkojnë votën për të shpëtuar të korruptuarit dhe për të nxjerrë nga burgu ata që janë nën hetim, siç u dëshmua edhe me amnistinë e fundit.